1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rusi: Me shkopinj gome kundër një opozite të rizgjuar

Aleksej Navalni bëri thirrje për protestë dhe kudo erdhën para së gjithash rusë të rinj. Në Moskë policia e shpërndau me dhunë demonstratën. Jo sinjal i mirë për zgjedhjet presidenciale 2018, mendon Hermann Krause.

Aleksej Navalni

Aleksej Navalni

Pas një pushimi katërvjeçar opozita në Rusi është rikthyer. Në Moskë, dhjetëra mijëra vetë dolën në rrugë. Ndoshta ky ishte fillimi i një lëvizjeje të re "Anti-Putin" - me saktësi këtë megjithatë nuk mund ta thuash. Për demonstratat në të gjithë vendin bëri thirrje përmes rrjeteve sociale Aleksej Navalni.

Në blogun e tij antikorrupsion Navalni pati publikuar një film për Dmitri Medvedevin. Sipas kërkimeve të autorëve të pavarur të filmit, kryeministri është pasuruar gjoja paturpësisht - me jahte luksoze, me pasuri të paluajtshme luksoze dhe me një vreshtë në Toskanë. Edhe për rusët që janë mësuar që politikanët e tyre të jenë të korruptuar, kjo është tepër. Para së gjithash sepse ky Dmitri Medvedev, i cili konsiderohej si liberal në Perëndim, në një takim me pensionistët, pyetjes se pse janë kaq të ulëta pensionet në Rusi iu përgjigj: "Nuk ka para, duroni, ju uroj ta merrni me humor!"- shprehje që ndërkohë qarkullon kudo në Rusi.

Kryeministri i korruptuar mund të qendrojë në post

Në fakt Medvedevi, të cilin gjithsesi populli nuk e do fare, nuk mund të mbahet më në post. Por që Vladimir Putini ta ndërrojë, kjo konsiderohet me pak gjasa. Ai u lëshoi pe demonstruesve, do të thoshin, dhe kjo do të interpretohej si shenjë dobësie. Putini - Presidenti i fortë! Një monument që ka nisur megjithatë të lëkundet, po të shohësh se si veproi pushteti shtetëror me të rinjtë që ecën të dielën paqësisht në Moskë në rrugën Tverskaja. Zëdhënësi i Putinit deklaroi vetëm se aksioni pati qenë një provokim.

Jo, kjo nuk është përgjigje për pyetjet e bëra dhe nuk është perspektivë për brezin e ardhshëm. Ai nuk do luftë në Siri, nuk do angazhim ushtarak në Donbass dhe nuk do konflikt në Ukrainë. Këta të rinj duan të mësojnë, të studiojnë dhe të udhëtojnë në botën e jashtme - ata ndihen pjesë e Evropës!

Të duket e çuditshme që manifestimet në qytetet e tjera ruse u lejuan. Kështu u protestua edhe në Siberi, në Ural dhe në Lindjen e Largët. Atje - në dallim nga Moska - u lejuan ta marrin fjalën edhe oratorë. Kudo dëgjoheshin të njëjtat halle: çmime të larta, të ardhura të ulëta, pensione të vogla dhe një shërbim i keq mjekësor.

Hermann Krause

Hermann Krause

Perandoria e Putinit në krizë - dhe këtë e dinë të gjithë

Jashtë Putini shfaqet si burrë i madh shteti, por brenda vendit gjendja është keqësuar. Varfëria po thellohet sërish, rrogat nuk paguhen. Rusia ndodhet jo vetëm në një krizë ekonomike, por edhe në një krizë politike: korrupsioni nuk është pakësuar aspak. Ministra, guvernatorë, deputetë ose nëpunës vazhdojnë të pasurohen. Këtë njerëzit e dinë.

Administrata e qytetit të Moskës i pati propozuar Navalnit të demonstronte jashtë qytetit, në një park - si të thuash jashtë syve të publikut. Këta Kremlini duket se i ka frikë, veçanërisht publikun e ri. Në vend të përgjigjeve jepen shkopinj gome. Jo shenjë e mirë për një periudhë tjetër në post të Presidentit të përjetshëm Putin.