1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rus tani mund të bëhesh më lehtë

Në mes të konfliktit për Ukrainën, shefi i Kremlinit, Putin dërgon një sinjal të fortë ndaj atyre, të cilët i tërheq Rusia: qytetarët e ish-republikave sovjetike mund të bëhen në të ardhmen më lehtë nënshtetas rusë.

Qytetarët rusishtfolës të ish- shteteve anëtare të Bashkimit Sovjetik mund të sigurojnë në të ardhmen më lehtë se deri tani një pasaportë ruse. Presidenti Vladimir Putin nënshkroi disa dekrete përkatëse, bëri të ditur zyra e tij në Moskë.

Në pjesën lindore të Ukrainës, ku flitet kryesisht rusisht, përfaqësues të qeverisë dhe vëzhgues ndërkombëtare po përpiqen aktualisht për një shtensionim të gjendjes. Një ekip i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka depërtuar në qytetin e kontrolluar nga persona të uniformuar prorusë, Slovjansk. Atje pati së fundi shkëmbime zjarri me të vrarë dhe të plagosur.

Bideni në vizitë në Ukrainë

Në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ka mbërritur ndërkohë zëvendëspresidenti i SHBA, Joe Biden, për të diskutuar ndihma të tjera për udhëheqjen e atjeshme. Për të martën janë planifikuar takime me presidentin tranzitor Oleksander Turçinov dhe me kryeministri Arseni Jazenjuk si dhe me deputetë të rajoneve dhe të partive të ndryshme.

Në plan të parë është vënia në jetë e vendimeve të marra të enjten e kaluar në Gjenevë për një rrugëdalje nga kriza e Ukrainës. Këtu në radhë të parë bëhet fjalë për një çarmatosje të separatistëve prorusë në rajonin e Donetskut. Në bazë të marrëveshjes së Gjenevës ata duhet të lirojnë veç kësaj ndërtesat publike që kanë pushtuar.

Lavrov: "shkelje e rëndë" e vendimeve për paqe

Presidenti tranzitor i Ukrainës, Aleksander Turçinov kërkoi nga Rusia edhe njëherë që ta përdorë ndikimin ndaj aktivistëve të orientuar drejt Moskës, për të ndikuar në qetësimin e gjendjes. Rusia nga ana e saj mendon se e ka radhën qeveria ukrainase të veprojë, që të çarmatosë edhe grupe besnike ndaj qeverisë si organizatën ultranacionaliste Sektori i Djathtë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov e akuzoi Ukrainën për një "shkelje të rëndë" të vendimeve për paqen në Gjenevë. Kievi nuk dëshiron t'i kontrollojë "ekstremistët", tha ai në një konferencë shtypi në Moskë. Ka gjithnjë e më shumë thirrje drejtuar Rusisë për "t'i çliruar njerëzit nga ky qendrim arbitrar". "Kjo na vë në një pozitë të vështirë", u shpreh Lavrovi.

Një kartëvizitë, e cila duhet të dëshmojë përfshirjen e grupit radikal të djathtë Sektori i Djathtë në këmbimet e zjarrit në Slovjansk është kthyer në internet ndërkohë në objekt të talljeve. Shumë ukrainas tallen me pohimin e drejtuesit prorus Vjaçeslav Ponomarev, se kartëvizita kuq e zi dëshmon se përgjegjës për incidentin, në të cilin të dielën në mëngjes në afërsi të Slovjanskut u vranë të paktën dy milicë prorusë, ishin paraushtarakët ultranacionalistë.

Sipas Ponomarevit, i cili e quan veten "kryetar bashkie" të Slovjanskut, kartëvizita është e drejtuesit të Sektorit të Djathtë, Dmitro Jarosh dhe u gjet në një automjet të djegur në afërsi të vendit të sulmit. Stacioni televiziv CNN i ra numrit të telefonit në kartëvizitë, por gjeti vetëm një grua, e cila dha garanci se nuk ka të bëjë me Sektorin e Djathtë ("Pravy Sektor").