1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ruprecht Polenz: "Kina duhet të respektojë të drejtat e njeriut"

Intervistë me Ruprecht Polenz, (CDU), kryetar i komisionit për marrëdhëniet me jashtë në parlamentin gjerman, me rastin e konsultimeve qeveritare gjermano-kineze.

Ruprecht Polenz

Ruprecht Polenz (CDU)

DW: Në Berlin kanë filluar konsultimet qeveritare gjermano-kineze. Të parat e këtij lloji. Si janë aktualisht marrëdhëniet gjermano-kineze?

Polenz: Mendoj se marrëdhënet mes Gjermanisë dhe Kinës janë të shumë të rëndësishme për të dyja vendet. Kina është një partner për zgjidhjen e çështjeve ndërkombëtare dhe globale të shekullit të 21-të dhe kancelarja për këtë arsye gjatë vizitës së saj në Kinë ra dakord për këto konsultime qeveritare, që po mbahen tani.

DW: Sa hapësirë do të zerë çështja e të drejtave të njeriut? Në Kinë shkelen të drejtat e njeriut për shembull si pasojë e "politikës një fëmijë". Mijëra vajza abortohen qëllimisht, lihen foshnje në rrugë, apo shiten. Ka njoftime për aborte të detyruara. Kjo duhet ta alarmojë CDU (Unionin Kristian Demokrat).

Polenz: Sigurisht që kjo do të diskutohet. Një herë gjendja e të drejtave të njeriut në Kinë, por ne na intereson të bisedojmë me Kinën për rëndësinë e të drejtave të njeriut në politikën ndaj vendeve të treta. Në Afrikën Veriore ne po kërkojmë se çfarë duhet bërë, që pranvera arabe të bëhet një verë arabe, me qëllim që në vendet arabe të drejtat e njeriut të respektohen më shumë, se sa nën një regjim totalitar. Ne do të donim të dinim, nëse Kina është në anën tonë, apo përsëri nuk e pranon si pjesë të politikës së saj nën moton: "Asnjë ndërhyrje në punët e brendshme".

DW: Kina është një fuqi ekonomike në zhvillim të shpejtë. Wen Jiabao tha në fundjavë në Hungari se Kina do të vazhdojë të investojë në borxhet shtetërore evropiane dhe të mbështesë euron. Me fjalë të tjera: Evropa, eurozona dhe kështu edhe Gjermania bëhen gjithnjë e më të varura nga Kina. Kështu paralajmërimet për demokraci dhe respektimin e të drejtave të njeriut tingëllojnë si paralajmërime pa pasoja, apo jo?

Polenz: Jo, para së gjithash është e rëndësishme dhe e drejtë, që Kina ka interes që euro të jetë e qëndrueshme dhe që krahas dollarit të ketë edhe një tjetër monedhë rezerve në këtë botë. Kina deri tani ka blerë të holla, valutë në euro, në monedhën euro. Sigurisht duhet të jemi të kujdesshëm që Europa tani të mos bjerë në një varësi të njëanshme, por kjo varet sigurisht edhe nga vetë evropianët. Eurozona përfaqëson një të katërten e prodhimit botëror, në qoftë se ne nuk bëjmë përpjekje të mjaftueshme, për ta mbajtur euron të qëndrueshme, atëherë Kina do të blejë borxhet shtetërore. Pra varet edhe nga vetë evropianët, në se rritet këtu ndikimi kinez, ose jo.

DW: Sa e varur është Gjermania nga Kina?

Polenz: Unë mendoj se është një varësi reciproke. Vitin e kaluar kemi patur një tregti të jashtme me Kinën prej 130 miliardë eurosh. Kjo është një shumë e madhe parash, por e matur me prodhimin e përgjithshëm ekonomik të Gjermanisë nuk është një shumë jashtëzakonisht e madhe.

DW: A do të bëhet Kina vitet e ardhshme ekonomikisht shumë e fortë dhe politikisht e fuqishme?

Polenz: Nuk ma merr mendja, në qoftë se analizon situatën në Kinë, e kupton se Kina ndodhet para problemeve të mëdha. Ne gjithnjë dëgjojmë për shifra gjigande ekonomike: tetë përqind, nëntë përqind. Por shkencëtarët kinezë thonë vetë: "Në qoftë se do të llogarisnim shpenzimet, që do të bënim për ruajtjen e mjedisit, sepse mënyra se si ne prodhojmë shkon në kurriz të mjedisit, në qoftë se do t'i llogarisnim ato, atëherë do të kishim rritje prej një ose dy përqind." Kina ka probleme të mëdha mjedisore, probleme të mëdha energjitike dhe mbi të gjitha Kina ka problemin e madh se nuk ka një sistem politik, që liria, që u ka dhënë njerëzve në hapësirën ekonomike, të korrespondojë edhe në sferën politike.

Autor: Uwe Lueb/SWR/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi