1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Rupel: Kosova mbetet hallka e fundit e ish-Jugosllavisë

Presidenca e ardhshme sllovene e Bashkimit Europian shprehet e gatshme të njohë dhe pranojë realitetin e ri të krijuar në vendet e Ballkanit Perëndimor.

default

Dimitri Rupel, ministri i jashtëm slloven

Për herë të parë një vend ballkanik, i cili deri para 16 vjetësh ishte republikë përbërëse e ish-Jugosllavisë, do të kryesojë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm, presidencën e radhës të Bashkimit Europian. Gjatë paraqitjes që ministri i jashtëm, Dimitri Rupel, i bëri programit të punës të presidencës së ardhshme sllovene, u vu re se një vëmendje të veçantë Ljubljana do t'i kushtojë rajonit të Ballkanit Perëndimor, dhe sidomos zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Historia e Kosovës nuk njihet mirë

Diplomati slloven vuri në dukje ndër të tjera se disa vende të BE-së nuk kanë njohjen e duhur të problemit të Kosovës, të historisë së saj të re dhe të vjetër. Kosova si provincë autonome kishte afërsisht 80% të kompetencave të Kroacisë dhe Sllovenisë që janë të pavarura që prej 16 vitesh, - vuri në dukje ai në selinë e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian në Bruksel, - para se të shtonte se ishte Millosheviçi ai që suprimoi autonominë e Kosovës, që shkaktoi shpërbërjen e ish -Jugosllavisë dhe gjakderdhjet atje.

Kosova është shprehur Rupel mbetet hallka e fundit në zinxhirin e shpërbërjes të ish- Jugosllavisë. Duke folur rreth statusit të ardhshëm të saj, rreth misionit të përfunduar të trojkës dhe mosmarrëveshjeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi i presidencës së ardhshme të Bashkimit Europian, nënvizoi se ai nuk njihte asnjë plan më të mirë, më të plotë dhe më të përpunuar për zgjidhjen e statusit të Kosovës se ai i hartuar nga Marti Ahtisari.

BE ndoshta nuk pret detyrimisht rezolutë të KS

Njëkohësisht ai la të kuptohej se Bashkimi Europian nuk do të priste detyrimisht deri në një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të marrë përsipër misionin e tij të ri në Kosovë. Alenca Atlantike u shpreh para pak ditësh se asaj i mjaftonte rezoluta e deritashme 1244 për të mbajtur trupat e saj në Kosovë. Atëhere përse BE-ja nuk mund të bëjë të njëjtën gjë si NATO, kërkoi Rupel. Në këtë mënyrë ai la të kuptohet se do të ecet përpara në zgjidhjen e statusit të Kosovës edhe pa një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Vëmendje Ballkanit Perëndimor

Përfaqësuesi i presidencës sllovene të BE-së nënvizoi edhe nevojën e rifreskimit të axhendës europiane të Selanikut ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i dhënë një ritëm dhe dinamikë të re, e cila do të mundësonte që Kroacia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja të afroheshin edhe më shumë me Bashkimin Europian në të ardhmen e afërt.



DW.COM

  • Data 20.12.2007
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CeFe
  • Data 20.12.2007
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CeFe