1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rumunët punojnë më gjatë dhe po aq mirë sa gjermanët

12 Shtator 2009

Pas deklarimeve të fundit të kryeministrit të Renanisë Veriore dhe Vestfalisë, Jürgen Rüttgers, lidhur me moralin e punës në repartet e Nokias në Rumani, fjalën e mori edhe presidenti rumun, Traian Basescu

https://p.dw.com/p/JdaJ
Më 16 Janar 2008 u mbyll porta e parë e NOKIA-s në Bohum
Më 16 Janar 2008 u mbyll porta e parë e NOKIA-s në BohumFotografi: AP

Këto pohime nuk janë korrekte, theksoi presidenti rumun në një fjalim televiziv, me rastin e prezantimit të veturës së parë të koncernit Ford, të ndërtuar në Rumani. Gjatë një manifestimi zgjedhor, Rüttgers ka deklaruar se punëtorët në Rumani vijnë dhe shkojnë nga puna kur të duan dhe nuk e dinë se çfarë punojnë. Këto vlerësime ai i dha pas vendimit që reparti i Nokias të zhvendoset prej Bohumit të Gjermanisë në Rumani.

Që njerëzit në Bohum nuk janë të kënaqur me vendimin për zhvendosjen e repartit të Nokia-s, këtë e dinë edhe në Rumani. Një këngë e cila shpreh këtë pakënaqësi është dëgjuar me javë të tëra edhe në faqet e internetit, tani është përkthyer edhe në gjuhën rumune. Në rumanisht janë përkthyer tani edhe fjalët e kryeministrit Jürgen Rüttgers. Por në repartin e Nokias në Rumani nuk mund të gjesh njerëz që humbin kohën kot, duke mos punuar asgjë. Në dy ndërrime punojnë rreth 1.600 punëtorë të repartit të Nokias në Rumani. Ata përgatisin telefona celularë, i montojnë, i testojnë dhe i paketojnë për eksport. Çdo ndërrim zgjatë gati 12 orë. Punëtorët nuk mund të vijnë dhe të shkojnë kur të duan. Ata merren me autobusë nga zonat ku banojnë dhe sërish kthehen me autobusë në shtëpi. Ata punojnë më gjatë se punëtorët gjermanë dhe po kështu mirë si gjermanët, thotë këshilltari i punëtorëve, Werner Stein, i cili paralajmëron nga paragjykimet për punën dhe moralin e keq të punëtorëve rumunë.

Rruga që shpie në Nokia - Rumani
Rruga që shpie në Nokia - RumaniFotografi: AP

Vështirësitë nuk janë krijuar nga puntorët - ata po i tejkalojnë ato

"Kjo është ndoshta më e çuditshmja, që njerëzit edhe ndoshta nuk e besojnë, por ata tani montojnë dhe hedhin në treg celularë të mirë. Kjo është kryesorja." Që Nokia nuk ka po arrin të kryej punën me sukses në Rumani, as kjo nuk është e vërtetë. "Megjithë punën e domosdoshme, përgatitjen dhe shkollimin e mëtutjeshëm", thotë Stein.

Megjithatë ka vështirësi, por ato nuk i kanë shkaktuar punëtorët - përkundrazi. Punëtorët janë ata të cilët përpiqen t'i tejkalojnë ato. Presionet për shkak të kostove janë enorme. Rroga mujore është vetëm 250 euro. Megjithatë askush nga punëtorët e Nokias nuk rri duarkryq në Nokia, nuk vonohet në punë, bën punë të keqe apo e e rrezikon vendin e vet të punës.

"Shumë që kanë ikur në botën e jashtme janë kthyer, sepse tani edhe këtu në Rumani mund të fitojnë para", sqaron një punëtor rumunë.

Një ish-punëtor gjerman i Nokia-s shkatërron telefonin e tij
Një ish-punëtor gjerman i Nokia-s shkatërron telefonin e tijFotografi: AP

Punëtorët rumunë kanë shumë obligime e pak të drejta

Punëtorët në Nokia në Rumani janë të shqetësuar me pohimet në Gjermani se nuk janë punëtorë të mirë edhe për faktin se Rumania gjendet para një provimi të rëndë. Ata kanë shumë obligime dhe pak të drejta, për të cilat luftojnë. Sindikata më e madhe e vendit ka kërkuar shkurtimin e orarit të punës prej 12 orësh, por deri tani pa sukses. Kanë dështuar edhe përpjekjet për rritjen e rrogave të ulëta. Përgjigja ishte se ata që nuk duan të punojnë, mund të largohen, sepse lista e atyre që në Rumania presin punë është e gjatë. Për shkak të punës së rëndë, punëtorët shpërblehen me lehtësime të tjera sociale. Prandaj edhe janë të kënaqur, pohon eksperti ekonomik rumun, Marius Nikoara, i cili gjermanëve u sugjeron:

"Ata duhet të mendojnë se Nokia ishte në Gjermani për një kohë të gjatë. Gjermania ka përfituar nga Nokia. Natyrisht që nuk është mirë kur mijëra njerëz e humbin vendin e punës, por shteti është ai i cili përfitimet duhet t'i invesojtë ku duhet, për shembull në aftësimin e mëtutjeshëm të fuqisë punëtore dhe hapjen e vendeve të reja të punës."

Kriza e vendeve të punës mund të manifestohet edhe në Rumani, sepse kriza financiare ka ndikuar edhe në shitjen e celularëve të Nokias. Por për këtë çështje, punëtorët rumunë nuk janë apsak fajtorë.

Autor: Andreas Meyer-Feist / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti