1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rumania në krizë të thellë

Në Rumani është ashpërsuar lufta për pushtet mes kryeministrit, presidentit dhe grupeve të ndryshme politike e ekonomike. Kjo ka bërë që vendi të futet në krizën më të thellë në disa dekadat e fundit.

Traian Basescu

Basescu

Qeveria e kryeministrit rumun Victor Ponta po përpiqet prej javësh që t'a detyrojë presidentin Traian Băsescu, që të largohet nga detyra. Për këtë shkak janë shkelur edhe ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Portali rumun hotnews.ro e quan këtë konflikt si një "revolucion të vjedhësve të kaçubave". Tani për këto qëllime po manipulohet edhe me numrin e zgjedhësve dhe votat e tyre në referendum.

Gjykata më e lartë në Rumani ka bërë publike me 10 gusht protokolet e telefonatave të përgjuara të ministrave dhe autoriteteve të larta. Nga këto telefonata del se kryeministri Victor Ponta ka planifikuar që të falsifikojë rezultatin e referendumit të fundit. Për shembull: kanë ekzistuar plane që të manipulohet me votat e dhjetëra mijëra njerëzve të vdekur, apo që rumunët që jetojnë në mërgatë, të hiqen nga listat e votimeve. Organet juridike kanë nisur ndërkohë hetimet për manipulime me votat e zgjedhësve.

Basescu

Basescu feston pas referendumit.

Disa autoritete të qeverisë kanë dashur që me manipulimin e votave të shpallin të vlefshëm referendumin e dështuar me 29 korrik, për shkarkimin e presidentit Traian Băsescu. Pjesëmarrja në referendum ka qenë vetëm 46 %. Rreth 80 % prej tyre janë deklaruar për shkarkimin e presidentit, por nuk është plotësuar kushti që në referendum të dalin më shumë se gjysma e votuesve.

Presionet ndaj Gjykatës Kushtetuese

Si pasojë e luftës për pushtet mes presidentit dhe qeverisë, Rumania është futur në krizën më të thellë politike që nga revolucioni në vitin 1989. Gazeta Adevărul shkruan se vendi po përjeton një "kolaps politik". Ish-ministrja e drejtësisë Monica Macovei, tani deputete në Parlamentin e Europës, e quan qeverinë e Pontës si "shkelëse të ligjeve që e ka margjinalizuar Rumaninë brenda BE-së".

Në fillim të gushtit është shënuar një ngjarje e paparë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata është dashur të vendosë nëse referendumi për shkarkimin e Băsescut ka qenë i ligjshëm. Presidenti i Gjykatës Augustin Zegrean ka kërkuar përmes një letre të hapur ndihmë edhe nga autoritetet e BE-së, me shpjegimin se qeveria e Pontes po bën presione të mëdha ndaj Gjykatës.

Presidenti i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso dhe Komisionerja e BE-së për Drejtësi Viviane Reding janë përgjigjur se Brukseli mbështetë pa rezerva dhe garanton shtetin juridik në Rumani. Ministri i Jashtëm rumun Titus Corlăţean ka kritikuar Zegrean se "me letrën e tij ka dëmtuar imazhin e Rumanisë".

Politikani i minoritetit hungarez në Rumani dhe aktivisti për të drejtat e njeriut Péter Eckstein-Kovács pohon se këto zhvillime dëshmojnë se Rumania nuk e ka të zhvilluar shtetin juridik dhe se shteti nuk funksionon si duhet.

"Elita e (pa)interesuar për vlerat e BE-së"

Jose Manuel Barroso dhe Victor Ponta.

Ponta dhe Barroso - probleme serioze me demokracinë.

Vet kryeministri socialist Victor Ponta ka kërkuar disa herë publikisht që të pranohet humbja në përpjekjet për shkarkimin e presidentit. Por duket se ai nuk është në gjendje që këtë qëndrim ta realizojë brenda partisë së tij, ku ka zëra të fuqishëm për shkarkimin e presidentit. Vëzhguesit e pavarur janë të mendimit se Ponte nuk e ka autoirtetin e duhur në Partinë e tij Socialdemokrate, sepse "shefat lokal" janë edhe më të fuqishëm. Ata kanë influencë më të madhe politike dhe ekonomike në rajone të ndryshme të Rumanisë. Ndërkohë që kryeministri ka probleme të mëdha edhe për shkak të kritikave për falsifikimin e punimit të doktoraturës.

Lufta për pushtet në Rumani do të zgjasë së paku deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të mbahen në nëntor të këtij viti. Ndërkohë që gjithnjë e më shumë njerëz në Rumani kanë përshtypjen se në këtë vend nuk ka më kurfarë sigurie juridike, për shkak të politikanëve të korruptuar.

"Tek ne nuk po respektohet asnjë rregull. Një pjesë e madhe e elitës politike nuk po i respekton rregullat dhe vlerat e BE-së dhe më së shumti do të donte që vendi të dal prej BE-së", pohon juristja Laura Ştefan. Ajo ka frikë se "vlerat e krijuara me mund të madh gjatë dy dekadave të fundit do të shkatërrohen brenda disa ditësh."