1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rumania lufton korrupsionin e gjithëpranishëm

Në Rumani nuk kalon thuajse asnjë ditë, pa nisur ndonjë proces për korrupsion kundër personave të njohur. Askush më nuk duket i paprekshëm. Edhe BE e lëvdon luftën kundër korrupsionit.

Në Rumani tërheqin vëmendjen arrestime personash të njohur nga politika, drejtësia, shtypi dhe ekonomia. Ato tregojnë se ç'përmasa ka marrë korrupsioni në vend. Në Rumani pak gjëra funksionojnë pa korrupsion - pavarësisht nëse bëhet fjalë për gjykimin e rezultateve të mira në shkollë, për çmime për letërsinë apo për licensa për koncerne ndërkombëtare pa tenderim publik.

Kjo e fundit ka sjellë aktualisht një nga rastet më të mëdha të korrupsionit në Rumani: afera e Microsoftit. Në vitin 2004, shteti rumun bleu licensa të Microsoftit për programe, me të cilat duhet të pajisen shkollat. Në xhepat e disa ndërmjetësve mendohet se kanë përfunduar shuma milionëshe. Janë paditur në gjyq biznesmenë dhe nëntë ish-ministra.

Pranga në qarqet më të larta

Në vitet e kaluara janë dënuar rreth 1500 persona për shkak të korrupsionit dhe shpërdorimit të postit: ish-ministra, kryetarë bashkish, gjykatës dhe drejtues të zyrave qeveritare. Tetë ish- ministra janë dënuar ndërkohë me dënime shumëvjeçare arresti: një bilanc që me të drejtë u vlerësua pozitivisht në raportin e ri të monitorimit të Komisionit Evropian për Rumaninë. Askush nuk duket se po kursehet: as përfaqësues me ndikim të sipërmarrjeve mediatike, as ata që i kanë shpallur vetë luftën kundër korrupsionit, as politikanë të të gjitha ngjyrave. Persona të të gjitha ngjyrave arrestohen tani publikisht dhe nxirren me pranga në publik.

Do të ishte herët që të spekulohet për pasojat e këtyre masave, para së gjithash nëse ato do të ushtrojnë një ndikim të thellë në ndryshimin e mentalitetit në Rumani. Por një gjë është e sigurtë: i gjithë qerthulli i botës politike dhe të biznesit duket se ndodhet para copëtimit, nën presionin e Zyrës kundër Korrupsion-it (DNA). Shumë vëzhgues presin që drejtësia ta detyrojë të gjithë sistemin politik të ndërmarrë një reformë të thellë.

Presidenti i ri i Rumanisë, Klaus Johannis i premtoi popullit pas zgjedhjes në nëntor 2014 një jetë më të mirë - edhe me transparencë dhe drejtësi. Shpresat e lidhura me Presidentin me origjinë gjermane janë të mëdha.

Shumë premtuese është edhe rifillimi i hetimeve në të ashtuquajturën proces "Mineriade". Këtu bëhet fjalë për sulmet brutale të minatorëve rumunë kundër përfaqësuesve të opozitës, studentëve dhe njerëzve me "pamje intelektuale", me syze dhe me mjekër. Nxitësi më i rëndësishëm i këtyre sulmeve mendohet se ka qenë ish-Presidenti Ion Iliescu, një komunist i vjetër që mori pushtetin pas rrëzimit të diktatorit Nicolae Çaushesku.

Ekspertët besojnë se zhvillimet aktuale në luftën kundër korrupsionit janë të pakthyeshme. Në fjalimin e tij para parlamentit të hënën, Presidenti Johannis nguli këmbë për përshpejtimin e procedurave, për heqjen e imunitetit të parlamentarëve, ministrave dhe kryetarëve të shtetit.