1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rumania bllokon Serbinë

Rumania ka bllokuar papritur ditën e martë, dhënien e statusit të kandidatit për t'u pranuar në BE, Serbisë. Pika e diskutueshme është pakica e vllehëve, që jeton në Serbi

Presidenti rumun Traian Basescu dhe ai serb Boris Tadic, 2009

Presidenti rumun Traian Basescu dhe ai serb Boris Tadic, 2009

"Rumania është vendi i vetëm, që ka shkaktuar bllokadën", tha një diplomat i BE-së, pasi Lituania dhe vendet e tjera patën dhënë pëlqimin e tyre në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje,e cila krahas statusit të kandidatit Serbisë parashikon koncensione edhe për Kosovën. Shefi i delegacionit rumun duhet të vendosej në kontakt me qeverinë në Bukuresht, për të marrë udhëzimet për mënyrën e mëtejshme të veprimit.

Ministrat qenë porositur që të jepnin rekomandime për marrjen e vendimit për dhënien Serbisë të statusit të vendit kandidat. Ky vendim duhet të merret në unanimitet. Vendimi përfundimtar ishte parashikuar të merrej në takimin e nivelit të lartë të BE-së, ditën e enjte dhe të premte. Diplomatët e BE-së u treguan të befasuar me Rumaninë, e cila bllokoi ditën e martë me forcë të madhe marrjen e vendimit.

Valle vllehe

Valle vllehe

Çështja e diskutueshme për Rumaninë është pakica, që flet arumunçe në Serbi. Sipas vlerësimeve 30 mijë anëtarë të kësaj pakice jetojnë në Serbi. Ata përbëjnë rreth 0,5 përqind të popullsisë serbe, siç bën të ditur në faqen e saj të internetit ministria e Jashtme gjermane, e cila i referohet një numërimi të popullsisë të kryer dhjetë vjet më parë.

Sipas diplomatëve Rumania kërkon që Serbia t`i njohë vllehët si rumunë. Rumania nuk ka pranuar që si shpërblim të heqë dorë nga bllokada, të pranohet më shpejt në zonën e Shengenit. Nëse çështja nuk sqarohet, atëherë kryetarët e shteteve dhe të qeverive duhet të këshillohen në takimin e nivelit të lartë për hapat e mëtejshme.

«Unë jam duke punuar që Serbia të marrë statusin e kandidatit sot," njoftoi Westerwelle para fillimit të debateve. Në muajin dhjetor Gjermania ishte një nga vendet, që kishte bllokuar statusin e vendit kandidat për Serbinë.

Nëse Serbia merr statusin e vendit kandidat, atëherë Komisioni i BE-së do të ngarkojë zhvillimin e një studimi fizibiliteti për Kosovën, që të marrë marrëveshjen e stabilizim- asocijimit. Për këtë do të gjendej një zgjidhje me katër vendet, përveç Rumanisë, që nuk e njohin si shtet të pavarur ish provincën e dikurshme serbe. Ato janë Spanja, Qipro, Greqia dhe Sllovakia.

Autor: afp/ Aida Cama

Redaktoi: Angelina Verbica