1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rumani: „Rruga merr rolin e opozitës“

Në të gjithë Rumaninë janë zhvilluar protesta kundër zbutjes së kuadrit ligjor për rastet e korrupsionit. 50.000 vetë protestuan vetëm në Bukuresht. Gazetari Cristian Stefanescu, shpjegon se çfarë është arritur?

Protest gegen Lockerung der Antikorruptionsgesetze (picture alliance/AP Photo/V. Ghirda/)

Protesta, Bukuresht

Deutsche Welle: Përse bëhet fjalë në protestat në Rumani?

Cristian Stefanescu: Gati tre dekada me radhë politikanët qeverisës kanë vjedhur sa të munden - shpesh me ndihmën e përfaqësuesve apo pasardhësve të ish-partisë komuniste të unitetit dhe shërbimit sekret të diktatorit Çaushesku. Ata e vunë drejtësinë nën vete, për të fshehur korrupsionin e tyre. Vetëm pas presionit ndërkombëtar, drejtësia filloi hetimet në shumë raste të dyshuara për korrupsion.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 në pushtet ka ardhur një parti, e cila kontrollohet nga persona, të cilat kanë qenë dënuar për korrupsion, ose nga persona që janë të dyshuar për korrupsion. Socialdemokratët (PSD) bashkë me partnerin liberal të koalicionit, (ALDE) kanë mazhorancën e cilësuar për të ndryshuar ligjet.

Por përse po ndryshohen ligjet?

Duket e pamundur kjo që po ndodh në shekullin e 21 në Europë. Kjo mazhorancë përgatit një ligj amnistie që „i shpëlan" politikanët e korruptuar nga mëkatet e tyre dhe u lejon të mbajnë gjithçka, të cilën ata e kanë arritur në mënyrë ilegale. Frika, se mund të paguajnë për bëmat e tyre, është kaq e madhe, saqë ata vënë në lojë edhe fatin e partisë së tyre dhe të gjithë vendit. Për shkak se opozia nuk u del dot ballë këtyre zhvillimeve, vetë njerëzit kanë humbur durimin dhe kanë dalë në rrugë. Ata duan t'u tregojnë politikanëve, se ligjet nuk janë për të mirën e politikanëve, që vjedhin paranë publike.

Si e keni përjetuar ju atmosferën në protesta?

Në protestat e tre javëve të fundit kanë marrë pjesë shtresa të ndryshme shoqërore. Një grup, ndër të cilët bëj pjesë edhe unë- janë të mendimit që duhet respektuar rezultati zgjedhor. Të tjerët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit (socialdemokrati Sorin Grindeanu shën.red.) dhe të atyre minsitrave, që kanë dashur të ndryshojnë ligjet pa debate publike. Të gjithë demonstruesit i bashkon zemërimi e dëshpërimi për korrupsionin në vend. Sigurisht njerëzit bëjnë gabime, kjo vlen edhe për qeveritë, por kur je në pushtet dhe kërkon të nxjerrësh të larë të korruptuarit, ndërkohë që një e pesta e popullsisë kërkon jashtë vendit punë, kur gjendja në spitalet publike është e mjerueshme, atëherë nuk të mbetet tjetër me sa duket, por të thuash se demonstruesit po manipulohen nga fuqi misterioze nga jashtë.

Çfarë kanë arritur demonstruesit?

Deri më tani ata kanë arritur të shtyjnë ndryshimin e planifikuar të ligjit. Më shumë se kaq, ata e kanë detyruar Ministrinë e Drejtëssisë të organizojë një debat publik. Sigurisht ky është vetëm rol konsultues, sepse ministria ka të drejtë të injorojë përfaqësuesit që marrin pjesë në këtë debat. Rruga po luan tani rolin e opozitës.

Presidenti Klaus Iohannis ka marrë po ashtu pjesë në protesta. Lidhur me këtë kreu i socialdemokratëve, Liviu Dragnea bëri fjalë për "përpjekje për grusht shteti". Si e vlerësoni ju?

Presidenti nuk duhej të kishte dalë në rrugë. Protesta qytetare drejtohet kundër zbutjes së ligjeve kundër korrupsionit, nuk bëhet fjalë për një konfrontim mes politikanëve. Prej vitesh demonstruesit paraqiten si masë që manipulohet. Edhe pse duket absurde, televizionet, që i përkasin një bosi mediash të dënuar dhe një biznesmeni të zhdukur gjatë hetimeve, pretendojnë se demonstruesit kanë marrë para. Presidenti e di, se me kë ka të bëjë dhe se dalja e tij në rrugë do të çonte ujë në mullirin e maipulimeve. Ndoshta nga ana politike ai ka fituar pikë, por për luftën kundër korrupsionit ky ishte një gabim.

Gazetari rumun Cristian Stefanescu punon për radion DigiFM në Bukuresht.