1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri-"Vettingu për gjykatës e prokurorë nis në shtator"

15 Korrik 2017

Intervistë me Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për reformën në drejtësi dhe Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian pwr Fqinjwsinw dhe Negociatat e Zgjerimit

https://p.dw.com/p/2gbkn
Genoveva Ruiz Calavera Europäische Kommission
Fotografi: European Commission

DW: Kur do të fillojë në Shqipëri rivlerësimi i gjykatësve dhe prokurorëve, pra vetttingu, që pritet të jetë gur themeli për një gjyqësor të ndershëm, të paanshëm, të pavarur nga politika

Genoveva Ruiz-Calavera: Kjo që thatë është shumë e drejtë: vettingu është aq i rëndësishëm për Shqipërinë saqë mund të konsiderohet një proces me rëndësi historike, një moment përcaktues për sistemin e drejtësisë në vend, por jo vetëm. Forcimi i një gjyqësori të paanshëm, të pavarur, të përgjegjshëm, efikas dhe profesional, ka rëndësi edhe për një sfidë më të gjerë: të konsolidojë në mënyrë të pakthyeshme, një herë e përgjithmonë, sundimin e ligjit në Shqipëri. Me pritshmëri të tilla, është e qartë, se sa më herët të fillojë procesi, aq më mirë do të jetë. Qytetarët e Shqipërisë kanë pritur tashmë prej një kohe shumë të gjatë; ata meritojnë një sistem gjyqësor ku gjithsejcili prej tyre të ketë besim. Lidhur me nevojat/kërkesat kushtetuese dhe ligjore të bashkësisë ndërkombëtare për të monitoruar apo "shoqëruar" procesin, mund të konfirmoj vetëm se të gjitha përgatitjet janë kryer me kohë. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM)) është gati të vërë në dispozicion ekspertizën e tij shumë të kualifikuar për të shoqëruar procesin, menjëherë sapo institucionet lokale të vettingut të jenë gati për të filluar procesin e rivlerësimit, që shpresojmë të nisë aty ngafillim i kësaj vjeshte. Megjithatë, për të qenë të qartë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar mban përgjegjësi për të monitoruar procesin, varet nga strukturat vendase, institucionet e vettingut që janë ngritur tanimë për të kryer direkt rivlerësimin.

DW: A ka rreziqe që mund të pengojnë zbatimin me sukses të procesit të vettingut, që janë marrë parasysh për t'i shmangur/përballuar?

Genoveva Ruiz-Calavera: Në proceset e ndërlikuara të reformave ka gjithmonë rreziqe. Procesi i vettingut është padyshim ndër përpjekjet më të ndërlikuara/komplekse  në axhendën aktuale të reformave. Përgatitjet janë bërë në bazë të konsultimeve shumë intensive, nga të dyja palet: aktorët e brendshëm politikë në Shqipëri si edhe mes tyre dhe aktorëve të bashkësisë ndërkombëtare, për të zbutur sa më shumë rreziqet e mundshme. Zbatimi aktual i procesit do të kërkojë përkushtim, guxim dhe gatishmëri për të kapërcyer me shpejtësi çdo pengesë që mund të shfaqet gjatë rrugës.

DW: A do të përfshijë vettingu në Shqipëri edhe ata gjykatës dhe prokurorë që dhanë në kohë dorëheqjen duke i shpëtuar kështu ”de facto” hetimit për të kaluarën e tyre, për pasuritë dhe lidhjet me krimin e organizuar? Po me ata që refuzojnë të deklarojnë pasuritë e tyre dhe nuk japin dorëheqjen ҫcfarë do të bëhet?

Genoveva Ruiz-Calavera: Ligji për vettingun u dha një afat të qartë kohor gjithë anëtarëve të gjyqësorit që të paraqisnin një informacion paraprak mbi pasuritë dhe trashëgimitë e tyre. Para se afati të skadonte disa gjykatës, prokurorë dhe këshilltarë ligjorë zgjodhën të jepnin dorëheqjen. Në njëfarë mënyre, kjo do të thotë se vettingu tanimë ka filluar të sjellë rezultate, para fillimit të tij të pritshëm.  Procesi zhvillohet në tri shtylla të qarta: e shkuara, pasuritë dhe vlerësimi i aftësive professionale, që do të jenë të detyrueshme dhe do të kryhen për secilin anëtar të gjyqësorit. Ne do të monitorojmë se hetimet do të jenë të plota dhe do të bëjnë të mundur, një herë dhe përgjithmonë, pastrimin e sistemit të drejtësisë, në të gjitha nivelet e saj, nga ata që nuk shërbejnë në interes të qytetarëve shqiptarë, por kanë ndjekur praktika të korruptuara dhe / ose kanë zhvilluar lidhje me rrjetet e krimit të organizuar.

DW: Cila është situata lidhur me ngritjen e dy institucioneve të reja për të zbatuar reformënnë drejtësi: Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë?

Genoveva Ruiz-Calavera: Ne po monitorojmë shumë nga afër formimin e këshillave të reja që do të jenë përgjegjës të drejtëpërdrejtë për administruar sistemin e drejtësisë. Ka disa përgjegjësi specifike ligjore që i janë dhënë IMO-së në këtë drejtim, kur bëhet fjalë për emërimin e anëtarëve të këtyre këshillave. Deri më tani kemi patur konsultime të ngushta dhe partneritet me autoritetet përkatëse për të kryer detyrat tona në kohën e duhur dhe lehtësuar finalizimit të këtyre proceseve.

DW: A mundeni, ju lutem, të parashikoni se kur reforma në drejtësi do të ketë rezultatet e saj të para përderisa këto rezultate janë parakusht për hapjen me BE të negociatave të anëtarësimit?

Genoveva Ruiz-Calavera: Ne i kemi parë tashmë rezultatet e para me kuadrin e ri ligjor që është miratuar për të mbështetur reformën e drejtësisë.  Arritje të tjera konkrete tani varen nga shumë faktorë dhe është e vështirë të bëhen parashikime specifike lidhur për kohën se kur ato do të realizohen. Por një gjë ka qënë shumë e sigurtë dhe shumë e qartë deri tani:  kërkesa e qytetarëve për ndryshim nuk është  lënë pa u dëgjuar. Me shpresë që kjo kërkesë do të vazhdojë të shtyjë përpara motorin e reformës dhe do të gjenerojë të gjitha ndryshimet pozitive që janë vonuar për një kohë të gjatë.  Unë vërtetë kam  arësye të kem një  perspektivë shumë optimiste, duke përfshirë edhe që shumë shpejt të  shikoj vettingun të shkojë përpara.

DW: A është situata brenda BE-së në favor të veprimeve dhe vendimeve konkrete politike për të përshpejtuar ritmin e procesit të integrimit për vendet kandidate për anëtarësim në Ballkanin Perëndimor, p.sh. si Shqipëria? A po luan rol në politikat e situata gjeopolitike në rajon?

Genoveva Ruiz-Calavera: BE po përballet me shumë sfida, shumica e të cilave janë të lidhura me çështje globale dhe dinamika komplekse edhe përtej tij. Historia e kohëve të fundit ka treguar edhe një herë se kur mbizotëron uniteti brenda BE-së, zgjidhjet e përbashkëta, të bazuara në solidaritet, kanë sjellë përfitime për të gjitha vendet në  Evropë, madje përtej saj. Kjo ka qenë gjithashtu e rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor. P.sh. bashkëpunimi për krizat e refugjatëve përmes rajonit ka treguar që një partneritet edhe më i ngushtë është i nevojshëm dhe qëllimi përfundimtar i anëtarësimit në BE të të gjitha vendeve të rajonit nuk përfaqëson asgjë tjetër përveҫ kulminacionit të një trajektoreje të natyrshme/normale historike: Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes evropiane dhe e ardhmja e tij është Bashkimit Europian. Në këtë kontekst, referimi duhet të bëhet edhe për progresin e rëndësishëm të arritur në kuadër të procesit të Ballkanit Perëndimor. Takimi i fundit në Trieste ishte një rast për të forcuar dialogun dhe bashkëpunimin konkret në shumë sektorë të ndjeshëm, duke konfirmuar një angazhim të fortë të përbashkët për të avancuar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe si dhe bashkëpunimin rajonal.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana