1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Ruani zemrën blu të Europës”

Ani Ruci5 Maj 2015

Parlamenti Europian (PE) i bëri thirrje, ditët e fundit, qeverisë së Shqipërisë drejtuar nga kryeministri Edi Rama të rishikojë projektet hidroenergjetike përgjatë lumit Vjosa dhe degëve të tij.

https://p.dw.com/p/1FKPp
Fluss Vjosa
Fotografi: DW/A. Ruci

Në nenin 27 të Rezolutës së sapomiratuar mbi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian- përpiluar nga eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, raportues i PE për Shqipërinë - vihet në dukje se ”këto projekte do të dëmtojnë ekosistemet e lumit Vjosa, një nga lumenjtë e fundit në Europë që ka mbetur i paprekur, pothuajse në gjendje natyrore.” Edhe pse Rezolutat e PE kanë vetëm një rol këshillues në procesin e vendimeve të BE për politikat e zgjerimit, neni 27 i rezolutës në fjalë mbështetet në Direktivën Kuadër të BE, për Ujërat dhe mbrojtjen e Ekosistemeve. Lumi Vjosa është cilësuar nga ekspertë europianë si “Zemra Blu e Europës, si lumi i fundit, i madh në Europë që ka mbetur pothuajse i paprekur në 270 km e gjatësisë së tij. Por qeveria e Tiranës planifikon të ndërtojë 27 hidrocentrale mbi lumin Vjosa dhe degët e tij, nga të cilat dy tanimë kanë filluar

Vjosa- një lum mahnitës, thesar natyror i gjithë Europës

Sinjali që i dërgon PE, qeverisë së Tiranës për të ndaluar projektet e ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Vjosa vjen në një kohë kur shoqatat ekologjiste europiane, ato vendase, grupe të shoqërisë civile, personalitete të kulturës dhe artit në Shqipëri dhe banorë nga rajonet, ku kalon lumi Vjosa po kërkojnë me këmbëngulje që ai të shpallet Park Kombëtar. Ulrich Eichelmann, Drejtor Ekzekutiv i shoqatës europiane Riverwhatch, të përfshirë fuqimisht në përpjekjet për të shpëtuar Vjosën nga ndërtimi i hidrocentraleve thotë për DW:

“Në Shqipëri po përpiqemi së bashku me EuroNatur në Gjermani dhe EkoAlbania në Tiranë të ndalojmë realizimin e projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosa. Në vend të tyre synojmë që lumi Vjosa të shpalllet Parku i parë Kombëtar, i një lumi të paprekur europian. Në kontektin europian Lumi Vjosa është mahnitës, një thesar natyror, dhuratë për gjithë Europën” thotë për DW, Ulrich Eichelmann, Drejtor Ekzekutiv i Riverwatch, me seli në Vjenë. Ai tregon se atje ku kalon lumi Vjosa ka ujëvara spektakolare, kanione të thella, pyje të gjelbër dhe një biodiversitet të jashtëzakonshëm: 69 specie peshqish mes të cilave edhe salmoni i Danubit, specie e zhdukur në vendet e BE nga kalon Danubi, që gjenden vetëm në lumin Vjosa dhe askund në botë; 40% e midhjeve të ujrave të ëmbla dhe kërmijve të Europës, në zhdukje e sipër, jetojnë në ekosistemet e lumit Vjosa.

Albanien Protest Save the blue heart of Europe
Ulrich Eichelmann, Drejtor Ekzekutiv i Riverwatch, në intervistë për DWFotografi: DW/A. Ruci

Abuzim me legjislacionin dhe ekonominë e dobët të Ballkanit

Sipas të dhënave të Riverwatch, ka projekte për të ndërtuar 630 hidrocentrale nga Sllovenia në Shqipëri mbi lumenj të tjerë, të paprekur ballkanikë. “Nëse kjo nuk shmanget atëhere do të ketë një “cunam digash“. Ndërtimi i tyre mbi lumenj të tillë nuk i shërben prodhimit të energjisë por pasurimit të kompanive që i ndërtojnë si edhe bankave europiane që u japin atyre hua”, thotë për DW Ulrich Eichelmann,

Gjithsesi, as që mund të mendohet se ndërtimi i hidrocentraleve në Ballkan mund të ndalohet. Ajo që ekologjistët europianë dhe ballkanikë kërkojnë është ndërtimi i tyre duke respektuar natyrën, hartimi i një master plani unik për gjithë vendet e Ballkanit. "Ky master plan deri tani mungon. Ai duhet hartuar sa më parë me një përqasje planifikimi hapësinor për gjithë Ballkanin. Kjo do të bëjë të mundur informacionin e saktë se ku mund të ndërtohen diga hidrocentralesh që respektojnë ruajtjen e natyrës. Për gjithë Ballknain duhet të përcaktohen zonat, ku nuk mund të ndërtohen hidrocentrale. Bankat në vende të ndryshme të BE japin hua për të ndërtuar në vendet e Ballkanit gjithë sa në vendet e tyre nuk lejohet të ndërtohen. Ato abuzojnë dhe përfitojnë nga legjislacioni, ekonomia e dobët e vendeve të Ballkanit. Nëse kjo nuk ndalet tani rrënimi i natyrës do të ndodhë më shpejt se në vitet 60-të të shekullit të kaluar për shkak të teknologjisë moderne”, thotë për DW Ulrich Eichelmann.

Albanien Protest Save the blue heart of Europe
Fotografi: DW/A. Ruci

Ruajtja e thesareve natyrore - e ardhme e qendrueshme ekonomike për Ballkanin

Që kjo të mos ndodhë, shoqata ambientaliste e EuroNatur në Gjermani dhe Riverwatch në Austri, në bashkëpunim me organizatat ambientaliste në vende të ndryshme të Ballkanit, po zhvillojnë fushatën ndërkombërare “Ruani zemrën blu të Europës”.

“Kjo fushatë përqëndrohet në tri zona kryesore: ruajtjen e lumit Vjosa në Shqipëri, Parkun Kombëtar Mavrovo në Maqedoni dhe lumin Sava që kalon në Slloveni, Kroaci , Bosnjë- Hercegovinë dhe Serbi. Ne synojmë të ndërgjegjësojmë shoqërinë dhe politikanët për vlerat e lumenjve të Ballkanit dhe rrezikun që u kanoset atyre nga ndërtimi i digave të hidrocentraleve. Ne besojmë që e ardhmja ekonomike e vendeve të Ballkanit mund të jetë më e qëndrueshme duke nxitur ruajtjen e thesareve natyrore dhe potencialet e tyre për një zhvillim social- ekonomik të vlefshëm për brezat e ardhshëm,” thotë Ulrich Eichelmann, njëherazi edhe koordinator i kësaj fushate.

Albanien Protest Save the blue heart of Europe
Fotografi: DW/A. Ruci

Larg duart nga lumi Vjosa!

Shqipëria i është bashkuar fushatës ndërkomnbëtare “Ruani zemrën blu të Europës”. Në kuadër të kësaj fushate u zhvillua ditët e fundit një protestë kundër ndërtimit të 5 hidrocentraleve në degën e lumit Vjoza, në Bënçë të Tepelenës, një nga zonat më mahnitëse nga kalon Vjosa. Mbi 150 banorë nga rajonet prej ku kalon Vjosa, ekologjistë, përfaqësues të Riverwatch dhe EuroNatur morën pjesë në këtë protestë. “Duam të jetojmë, duam ujë, jetë, natyrë. Nuk duam që lumi Vjosa të burgoset me anë të digave, duam Vjosën të mbesë ashtu si është krijuar këtu e qindra vjet. Ne do të bëhemi më të varfër, dhe të kamurit më të pasur nëse do të ngrihet hidricentrali këtu “ tha për DW, Golik Jaupi, një nga protestuesit, banor i Bënçës.

Në degën e Vjosës që ndodhet në në Bënçë të Tepelenës sapo kanë filluar punimet për ngritjen e digës.