1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ruanda akuzon Francën për gjenocid

Antje Diekhans / Nairobi7 Gusht 2008

Parisi kundërshton fajësimet e rënda se ushtria dhe qeveria e Francës kanë qenë aktive në përgatitjen dhe kryerjen e gjenocidit të vitit 1994. Po edhe në Ruandë ka nga ata që dyshojnë se sa bindëse mund të jenë akuzat.

https://p.dw.com/p/EsEU
Memoriali për viktimat e gjenocidit të vitit 1994 në Nyamata, 18 milje në jug të Kigalit
Memoriali për viktimat e gjenocidit të vitit 1994 në Nyamata, 18 milje në jug të KigalitFotografi: AP

Eshtë vetëm një fajësim i pavend, për t'iu kundërvënë akuzave të palës franceze, apo ndonjë pjesë të vertete në raportin, që është publikuar tani në Ruandë? Në 500 faqe rreshtohen deliktet e Francës gjatë genocidit të vitit 1994 në këtë vend të Afrikës lindore. Konkretisht thuhet, se Franca ka qenë në dijeni për përgatitjet për genocidin dhe i ka mbështetur planet.

Në raport përmenden 33 oficerë dhe politikanë francezë

Forcat franceze sipas raportit duhet të kenë përgatitur milicët hutu, të cilët pastaj vranë në mënyrë mizore më shumë se 800.000 tuci dhe hutu të moderuar. Edhe në mënyrë aktive duhet të kenë marrë pjesë ushtarët francezë në vrasje dhe ata akuzohen për përdhunime. Gjithsej janë përmendur 33 oficerë dhe politikanë, të cilët sipas përpiluesve të raportit duhet të ndiqen penalisht – ndër ta edhe ish presidenti tani i vdekur i Francës, Francois Mitterrand, dhe anëtarë të atëhershëm të kabinetit.

Dyshime edhe në Ruandë

Por edhe vetë në Ruanda ka zëra, që i vënë në dyshim këto fajësime. Frank Mwini është një ekspert i njohur ligjor në vend. Ai sheh një rast sipas motos "si ti mua, ashtu unë ty“.

"Përfaqësues të palës franceze kanë sulmuar udhëheqjen në Ruandë dhe tani kjo nga ana e saj ngre padi kundër Francës. I gjithë rishikimi i gjenocidit keqpërdoret këtu, për të bërë një teatër politik.“

Marrëdhëniet ndërmjet Francës dhe Ruandës janë prej kohësh të tensionuara. Në nëntor 2006 udhëheqja ruandese ndërpreu të gjitha kontaktet zyrtare. Atëherë një gjykatë në Francë pat ngritur akuza të rënda kundër presidentit ruandez Paul Kagame. Se ai vetë paska marrë pjesë në vitin 1994 në vrasjen e presidentit të atëhershëm Juvenal Habyarimana. Vrasja e tij ishte shkaku i trazirave dhe masakrës. E qartë është se udhëheqja ruandeze e ka nxjerrë raportin pas këtyre fajësimeve.

„Pyetja është nëse këtu bëhet fjalë me të vertetë për drejtësi, apo vetëm për politikë. Një gjë është e qartë qeveria franceze nuk e ja njohur udhëheqjen e Ruandës. Dhe kjo do ta vështirësojë edhe më tej procedurën juridike për këtë çështje“, thotë Mwini.

Franca e gatshme t'i shqyrtojë akuzat

Qeveria franceze ka pohuar se do t'i shqyrtojë akuzat, sapo të ketë marrë raportin. Ajo shprehu megjithatë dyshime të mëdha rreth pohimeve të dëshmitarëve dhe të mbijetuarve. Para disa muajve ministri i jashtëm, Bernard Kouchner, ka kundërshtuar çdo pjesëmarrje të Francës në genocid. Por ai pohoi, se janë bërë gabime politike. Qeveria franceze është gabuar me vlerësimin e regjimit Hutu.