1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ruajtje e kursit dhe inkurajim - Kancelarja Merkel në Greqi

Një javë e mbarë për qeverinë në Athinë. Vendi sërish u kthye në tregjet e kapitalit. E tani edhe vizita e kancelares Angela Merkel, ndonëse ajo nuk mirëpirtet nga popullsia greke.

Kancelarja Angela Merkel e ka inkurajuar Greqinë për vazhdimin e kursit të reformave të dhimbshme. "Unë besoj fort, se pas një faze shumë, shumë të vështirë, që natyrisht ende vazhdon në Greqi edhe për shumë njerëz, në këtë vend ka edhe mundësi të jashtëzakonshme, që ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht", tha Merkel gjatë një vizite të shkurtër në Athinë. Pikërisht në sektorët klasikë të ekonomisë greke, në turizëm dhe bujqësi ka ende shumë potencial, sipas kancelares.

Merkel në fillim të vizitës bashkë me kryeministrin grek Antonis Samaras (në fotografi) gjatë një takimi me sipërmarrës të rinj foli mbi përpjekjet e ekonomisë greke, për ta rimarrë veten nga kriza e borxheve. Në hapje të bisedimeve ajo i inkurajoi sipërmarrësit e rinj duke vënë në dukje, se: Edhe pas ribashkimit të Gjermanisë ka pasur vështirësi për shumë njerëz. Por jam e sigurtë tha ajo, se në situata të tilla: "Dominojnë shanset dhe mundësitë."

Kancelarja njëkohësisht siguroi mbështetje të mëtejshme nga Gjermania: "Ne duam tani të krijojmë një bankë kredituese për mbështetjen e sipërmarrësve të vegjël." Për krijimin e një banke të tillë për mbështetjen e sipërmarrësve të vegjël në Greqi është rënë dakord qysh në vitin 2013. Sipas planeve buxhetore të Greqisë kjo bankë duhet të ketë një kapital prej rreth 500 milionë eurosh. Gjermania, ashtu si edhe Greqia do të kontribuojë në këtë kapital me 100 milionë euro. 200 milionë euro do të lëvrohen nga Fondet e Strukturimit të BE-së dhe përmes Bankës Evropiane të investimeve (EIB), edhe Franca do të marrë pjesë në krijimin e këtij kapitali. Kontributi gjerman do të lëvrohet përmes Bankës Kredituese gjermane për Zhvillimin, KfW, e cila njëkohësisht shërben edhe si model për institucionin kreditues që synon të krijojë Greqia "Institution for Growth". Ky institucion do të japë kredi me interesa të favorshme për sipërmarrje të vogla dhe të mesme, në mënyrë që t'i japë impulse rritjes ekonomike.

Greqia të enjten (10.04.2014), katër vjet pasi u parandalua falimentimi i shtetit me ndihmat ndërkombëtare, arriti të ritkhehet në tregjet financiare duke shënuar edhe një sukses tek investitorët. Sipas të dhënave të Ministrisë së Finanacve në tregun e obligacioneve shtetërore u mblodhën tre miliardë euro, rreth gjysmë miliard më shumë nga sa ishte parashikuar. Për këto bono të reja thesari me një afat pesë vjeçar depozituesit do të përfitojnë një interes nominal prej 4,75%.


Në Athinë policia, pas shpërthimit të një veture-bombë të enjten (10.04.2014), që shkaktkoi dëme materiale, i ndaloi të gjitha demonstratat në kuartierin qeveritar gjatë ditës së vizitës së kancelares Merkel. Sindiktatat, partia më e fortë opozitare Aaleanca e radikalëve të Majtë (Syriza) dhe grupimet autonome kishin bërë thirrje për demonstratë.