1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ruajtja e monumenteve fetare e kulturore serbe

24 Gusht 2010

Zyrtarë të forcave paqeruajtëse janë të vendosur të vazhdojnë procesin e bartjes së përgjegjësive te policia e Kosovës. Kisha ortodokse serbe thotë se akoma nuk janë krijuar kushtet që policia e Kosovës të ruajë objektet

https://p.dw.com/p/Oukd
Manastiri Visoki DecaniFotografi: DW / Slavkovic

Zyrtarë të forcave paqeruajtëse në Kosovë shprehen të vendosur që të vazhdojnë procesin e bartjes së përgjegjësive te policia e Kosovës për ruajtjen e disa monumenteve fetare e kulturore serbe. Policia e Kosovës është e gatshme të sigurojë objektet fetare serbe. Mirëpo përfaqësues të kishës ortodokse serbe thonë se akoma nuk janë krijuar kushtet që policia e Kosovës të ruajë objektet fetare ortodokse.

Bundeswehrsoldat im Kosovo
KFOR-i dorëzon mbrojtjen e kishaveFotografi: AP

Zyrtarë të forcave paqeruajtëse në Kosovë thonë se bartja e përgjegjësive te policia e Kosovës për të garantuar sigurinë e objekteve fetare dhe kulturore serbe në Kosovë do të vazhdojë. Sipas tyre kjo po bëhet në konsultim të ngushtë me të gjithë faktorët relevantë duke përfshirë edhe udhëheqësit e manastireve ortodokse.

Kisha nuk është dakord

Disa nga udhëheqësit e manastireve nuk pajtohen që siguria përreth objekteve fetare të bëhet nga policia e Kosovës. Sava Janjiq, Zëdhënësi i Manastrit të Decanit, dëshiron që ky objekt fetar i rëndësisë së veçantë të vazhdojë të ruhet nga trupat e NATO-s. Ai thotë se në fund të vitit të shkuar forcat paqeruajtëse e kanë njoftuar se në kuadër të shkurtimeve të trupave të NATO-s nga Kosova, do të fillojë edhe procesi i transferimit të kompetencave nga KFOR-i te policia e Kosovës, por në mënyrë graduale.

Orthodoxe Kirche, Bogosevac, Kosovo
Në kishën e BogoshevcitFotografi: Refki Alija

“Ne kemi paraqitur qëndrimin tonë se ky është një vendim i hershëm, pasiqë nuk ekzistojnë kushtet e nevojshme, duke marrë para sysh se kemi të bëjmë edhe me një problem politik. Ne kemi vizituar edhe Brukselin, Romën e Parisin për të shprehur jopajtueshmërinë tonë me këtë vendim, si dhe disa herë kemi takuar komandantin e KFOR-it, me të cilin kemi biseduar dhe kemi shprehur qëndrimin, se me këtë vendim siguria jonë do të rrezikohet.” thotë Sava Janjiq.

Nëntë prona të kishës me status special

Zyrtarë të forcave paqeruajtëse në një komunikatë të shkruar thonë se janë nëntë prona me status të caktuar special që më herët është dashur të ruhen nga KFOR-i. Ato janë monumenti i Gazimestanit, manastiri i Graçanicës, manastiri i Budisavcit, manastiri i Goriocit, manastiri i Zoçistes, manastiri i Kryeengjëjve, manastiri i Deçanit, manastiri i Devicit dhe Patrikana në Pejë.

Kirche Kosovo
Manastiri i DecanitFotografi: picture-alliance/ dpa

Këshilli Veri-Atlantik i NATO-s ka vendosur më 9 korrik, që për shkak të situatës së mirë të sigurisë ka ardhur koha që të transferohet përgjegjësia e ruajtjes së manastireve të Graçanicës, Budisavcit, Goriocit dhe Zoçistes tek Policia e Kosovës, por në mënyrë graduale. Për tri manastire të tjera do të vendoset më vonë. Sipas zyrtarëve të KFOR-it Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë ka qenë e informuar gjatë tërë procesit të vendimmarrjes.

Janjiq: "Më së miri manastiret t'i sigurojë KFOR-i"

Mirëpo Sava Janjiq, zëdhënësi i Manastirit të Decanit, nuk pajtohet që ka ardhur koha, që forcat paqeruajtëse të bartin përgjegjësitë te policia e Kosovës për ruajtjen e objekteve fetare serbe.

“Ne konsiderojmë se është më së miri që manastiret t'i sigurojë KFOR-i dhe jo policia e Kosovës, sepse ende nuk është vendosur një besueshmëri e plotë te policia e Kosovës, edhe pse përpiqemi të kemi raporte korrekte. Por definitivisht kemi nevojë për prani ndërkombëtare edhe për një periudhë kohore, sepse kjo çështje ende është herët të zgjidhet në nivelin lokal”, thotë Sava Janjiq.

Kosovo Polizeisprecher Baki Kelani in Pristina
Baki Kelani, zëdhënësi i policisë së KosovësFotografi: DW

Policia e Kosovës e gatshme të marrë përgjegjësitë

Zyrtarë të policisë së Kosovës thonë se ata janë të gatshëm për ruajtjen e objekteve kulturore e fetare serbe dhe janë në pritje të hapave të tjetër nga KFOR-i. Baki Kelani, zëdhënës si policisë së Kosovës, thotë për programin tonë.

“Ky veprim i policisë së Kosovës reflekton edhe në situatën e përmirësuar të sigurisë në Kosovë dhe besimin, që KFOR-i ka te policia e Kosovës. Gradualisht të gjitha përgjegjësitë për sigurinë e objekteve të trashëgimisë kulturore e fetare serbe është duke i bartur te policia e Kosovës. Policia e Kosovës ka kapacitete njerëzore dhe profesionale, që të marrë nën përgjegjësi sigurimin e te gjitha objekteve, që ende gjenden nën sigurinë e KFOR-it”, thotë Baki Kelani.

Që nga viti 1999 në listat e organeve të sigurisë përfshiheshin 176 objekteve fetare e kulturore, të cilat duhej siguruar. Hapësira përreth secilës nga këto objekte cilësohet si zonë e mbrojtur me pakon e Marti Ahtisarit. Brenda këtyre hapësirave ndalohet çdo zhvillim industrial, ndërtimet, ose zhvillimet komerciale.

Flash-Galerie Kosovo
Patrikana e PejësFotografi: picture alliance/dpa

Bazuar në ligjin për trashëgiminë kulturore fetare dhe obligimet e dalë nga propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës të të emëruarit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, përgjegjësitë për sigurimin e Manastirit të Graçanicës prej sot, nga trupat e KFOR-it janë bartur tek Policia e Kosovës. Policia e Kosovës, nderkohë siguron 174 objekte kulturore fetare dhe deri më tani nuk është raportuar për asnjë incident sa i përket sigurimit të këtyre objekteve.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica