1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania historia ime

Rruga për në Universitet – të studiosh në Gjermani

Keni mbaruar shkollën e mesme dhe dëshironi të studioni në Gjermani? Përpara se të bëni gati valixhet duhet të përgatisni qëndrimin. Ne ju ndihmojmë me informacionet më të rëndësishme.

Nga pedagogjia deri në zoologji. Universitetet gjermane ofrojnë një larmi degësh studimi. Se si mund të aplikohet për një të drejtë studimi në Gjermani varet shpesh nga dega që zgjidhni.

Si aplikohet për një të drejtë studimi?

Në universitetet gjermane ka degë me numër të kufizuar pranimi dhe të tjera që janë pa kufizim. Në degët me numër të kufizuar përcaktohet numri maksimal i studentëve që pranohen. Kandidatët seleksionohen në radhë të parë nga nota mesatare e maturës. Në degët pa kufizim mund të regjistrohet çdo kandidat që ka marrë diplomën e maturës, edhe nëse nota mesatare nuk është e mirë.

Kush do të fitojë një të drejtë studimi në degë që kanë numër të kufizuar pranimi në të gjitha landet dhe universitetet gjermane, si për shembull mjekësi, duhet t´i drejtohet Zyrës për Pranim në Shkollat e Larta. Në qoftë se bëhet fjalë për pranim në një universitet të caktuar, pra kur vendos vetë universiteti për kriteret e pranimit, ose kur aplikohet për një degë pa kufizim në numrin e studentëve që pranohen, atëhere qytetarët e BE-së mund t´i dërgojnë dokumentat e aplikimit direkt në universitetin përkatës.

"Aplikimet mund të dërgohen edhe ne zyrën e punës dhe shërbimeve për aplikues ndërkombëtarë (uni.assist), në qoftë se shkolla e lartë e ka ngarkuar për të bërë seleksionimin paraprak” sqaron drejtorja e Zyrës për Planifikim dhe Koordinim pranë Shërbimit Gjerman për Shkëmbime Akademike (DAAD). DAAD ofron një formular aplikimi që pranohet nga shumë universitete.

Më e mira është që të interesuarit të informohen direkt pranë universitetit përkatës, se çfarë dokumentesh (CV, çertifikata, dëshmi për gjuhë të huaja, etj.) kërkohen, dhe se në cilën formë për secilën degë. Kopjet e dokumentave zyrtare të noterizuara duhet të kenë vulën dhe firmën origjinale.

Cilat dëshmi për gjuhë të huaja janë të rëndësishme?

Studentët ndërkombëtarë duhet të provojnë se zotërojnë gjuhën në të cilën bëhet mësimi, që ata të mund të pranohen në fakultete për të studiuar. „Në varësi të universiteteve procedura është shumë e ndryshme se cilat dëshmi kërkohen dhe me cilat rezultate (Testi DaF, DSH etj.)“, thotë Nicole Berners nga DAAD. Edhe niveli i njohurive të gjuhës që kërkohet varion. Shpeshherë është niveli C2 sipas referencës evropiane, një nivel që thuajse i përgjigjet atij të gjuhës amtare. Provimet me certifikatën përkatëse mund të jepen në vendin nga aplikuesi vjen, ose në Gjermani.

Kush ka nevojë për vizë për të studiuar?

Kush ka siguruar të drejtën e studimit duhet të informohet për kushtet e lejes së qëndrimit në Gjermani përpara se të përgatisë valixhet. Studentët e huaj nga vendet e BE-së nuk kanë nevojë për vizë. Ata marrin një dëshmi që u jep të drejtën e qëndrimit në Bashkimin Evropian dhe kjo dëshmi nuk lëshohet nga zyra për të huajt, por nga zyra e gjendjes civile të regjistrimit të banorëve. Qytetarët e BE-së duhet të shkojnë ashtu si edhe studentët gjermanë në zyrën përkatëse të rregjistrimit (Einwohnermeldeamt, Landratsamt, Bürgeramt, Bezirksamt etj.) dhe të regjistrojnë qëndrimin e tyre. Ata duhet të kenë një sigurim shëndetësor dhe të vërtetojnë se janë finaciarisht në gjendje të mbulojnë shpenzimet e jetesës.

Studentët e huaj që vijnë nga vende jashtë BE-së duhet të marrin vizë. Kjo jeper për një periudhë që si rregull është tre semestra më shumë se koha mesatare e zgjatjes së studimeve. Në maksimum studimet lejohet të zgjasin deri në dhjetë vjet dhe përfshirë doktoraturën deri në 15 vjet. Si rregull nuk jepet vizë për studime të dyta apo në degë të tjera.

Në kohën e studimeve përfshihen krahas lëndëve profesionale të degës edhe masat e domosdoshme paraprake si kurset përgatitore, praktika dhe kurset e gjuhës, si edhe pjesë të tjera të formimit profesional si praktika, doktoratura ose studime të tjera shtesë ose plotësuese. Kushte të rëndësishme për marrjen e lejes së qëndrimit për të studiuar në Gjermani janë të ardhurat financiare, rreth 650 Euro në muaj dhe një sigurim shëndetësor.

Çfarë rregullash ka për sigurimin shëndetësor?

Kushdo që jeton në Gjermani, qoftë ky gjerman apo i huaj duhet të ketë një sigurim shëndetësor. Si rregull studentët e huaj sigurohen për shëndetin në një shoqëri shtetërore sigurimesh me tarifa speciale për studentë që janë shumë më të ulëta se për punëmarrësit. Studentët nga vendet e BE-së dhe nga vende më të cilat ka marrëveshje për sigurimet sociale mund të vazhdojnë të jenë të siguruar në vendet nga vijnë dhe të përdorin në Gjermani kartën evropiane të sigurimit shëndetësor.

Kush paguan taksa për studimet?

"Nuk ka dallime në taksat për studimet për gjermanët, qytetarët e BE-së apo qytetarët jashtë vendeve të BE-së“, sqaron ekspertja për studimet e larta Nicole Berners. Sot për sot vetëm në Bavari dhe Saksoninë e Poshtme paguhen taksa për studimet në shumën e 500 eurove për çdo semestër. Megjithatë në shumë shkolla të larta ka degë të kualifikimit të mëtejshëm në nivel master, ku duhet paguar taksa. Në universitetet private studimet janë zakonisht me pagesë.

A është të qënit student në Gjermani një privilegj?

Studentët e huaj gëzojnë të gjitha të drejtat si gjermanët. Çdo student pajiset me kartën e studentit me të cilën ai mund të udhëtojë pa pagësë me mjetet e transportit publik në qytetin ku studion si edhe në rrethinat e tij. Gjithashtu një student i pajisur me kartë studenti paguan në shumë qytete gjermane më pak për një biletë kinemaje, muzeu, teatri ose madje në pishina.

"Të huajt që vijnë në Gjermani për studime master ose për doktoraturë, mund të aplikojnë për bursë DAAD” sqaron Nicole Berners. “Edhe për të ashtuquajturën „bursa e Gjermanisë“ mund të aplikojnë studentët e huaj“. Ky është një program për bursa në të gjithë Gjermaninë për studentë të talentuar të të gjitha degëve me një shumë prej 300 Euro në muaj.

Banimi në Gjermani

Kush do të studiojë në Gjermani duhet të mendojë gjithashtu me kohë edhe për një strehim të përshtatshëm në Gjermani. Vetëm kush kontakton në kohën e duhur universitetin, ka shanse të sigurojë një vend në konviktet e studentëve që kanë dhe qira të leverdisshme. Përveç kësaj në Gjermani studentët preferojnë të ndajnë një banesë me disa studentë të tjerë. Oferta për këto banesa ka në internet.

Konviktet si edhe banesat e përbashkëta janë shumë të rekomanduara për studentët e huaj pasi kanë çmime të arsyeshme si edhe krijojnë mundësinë për kontakte me studentë të tjerë.