1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rruga e vështirë e Rumanisë drejt shtetit juridik dhe shoqërisë civile

Transformimi politik në Rumani u krye ndryshe nga vendet e tjera të Evropës Lindore, ai ishte i përgjakshëm dhe i dhunshëm. Shteti juridik mbeti për një kohë të gjatë utopi.

default

Diktatori rumun, Nicolae Ceausescu

Nga të gjitha shtetet satelite të ish-Bashkimit Sovjetik, Rumania ka historinë më interesante komuniste. Regjimi komunist i Ceausescu-t ishte në veçanti brutal dhe kurrë nuk ka lejuar një opozitë të organizuar. Rumania e rrëzoi diktaturën me dhunë dhe gjakderdhje. Nuk është ndonjë befasi, kur dihet se vlerat civilizuese nuk mund të realizoheshin ndryshe.

Rumänien Geschichte Revolution Bukarest 1989 Panzer

Rrëzimi i pushtetit komunist në Rumani: Tank me trupa të revoltuara në një rrugë të Bukureshtit. 16.12.1989

Bukuresht, 15 qershor 1990. Presidenti i parë postkomunist i Rumanisë Ion Iliescu falënderon minatorët për prezencë dhe disiplinë të lartë qytetare. Një ditë më parë nga qyteti perëndimor Schiltal kishin ardhur në Bukuresht 10.000 minatorë dhe me miratimin e Ilieskut, morën pjesë në një manifestim të dhunshëm antikomunist, që përfundoi me gjashtë të vrarë dhe qindra të plagosur.

Tani më kishte kaluar gjysmë viti nga rrëzimi i diktatorit Ceausescu. Dhuna në sheshin e Universitetit në Bukuresht ishte kulmi i manifestimeve të dhunshme dhe sinjal për ndryshimin e rrugës së Rumanisë, për rrugën e reformimit të regjimit nacionalist dhe autoritar. Ion Iliescu, bashkëpunëtori i dikurshëm i Ceausescut, u zgjodh pas vitit 1989 tri herë president i Rumanisë. 79-vjeçari edhe sot zemërohet, kur ia kujton dhunën e vitit 1990.

Rumänien Geschichte Revolution Bukarest 1989 Panzer

Një tank i ushtrisë qëllon në Bukuresht përkrahësit e Çausheskut unruhen

"Gjithmonë thuhet se Iliescu i ka organizaur minatorët të vijnë në Bukuresht. Po si? Ata kanë ardhur vetvetiu! Ata janë kategoria më e veçantë dhe më solidare e punëtorëve. Me këtë shpirt solidariteti ata i kanë mbrojtur institucionet nga elementet e anarkisë. Ne i kemi falënderuar për këtë solidaritet. Vetëm kështu kemi mundur t'i bindim të largohen nga kryeqyteti, ndryshe jo."

Iliescu thotë se ai ishte garant i stabilitetit dhe demokracisë në vend që nga 22 dhjetori i vitit 1989 ditës, kur u rrëzua diktatura në Rumani.

Rumänien Geschichte Revolution Bukarest 1989

Rrëzimi i rregjimit komunist në Rumani. 22.12.1989

"Gjithandej ishte kaos, ndërsa paraqitja ime i dha kuptim këtyre ngjarjeve."

Një lloj kontinuiteti i personelit pas diktaturës ishte i paevitueshëm, thotë Iliescu.

"Në mos është dashur të bëjmë ekzekutime masive të të gjithë atyre, që ishin me regjimin?! Do të ishte kjo një politikë neohitleriane. Ne donim demokraci dhe në këtë rrugë duhej të ndihmonin edhe ata, që kanë bërë më parë gabime. Madje pa i fajësuar për këto vepra. "

Rumania nuk ia doli të sigurojë të drejta për minoritetet

Smaranda Enache është filologe dhe aktiviste e të drejtave të njeriut në qytetin Tirgu Mures. Në fund të vitit 1989 ishte anëtare e Lidhjes Pro Europa, që ishte ndër organizatat e para joqeveritare pas rrëzimit të Ceausescut. Nacionalistët rumunë se shpejti e quajtën tradhëtare numër një të shtetit. Në mars të vitit 1990 u shënuan trazira të rënda me sfond etnik mes ultranacionalistëve dhe ish-oficerëve të Securitates në Tirgu Mures.

Smaranda Enache Liga PRO EUROPA

Smaranda Enache, zv/presidente e Lidhjes PRO EUROPA në Rumani

Smaranda Enache ishte ndër të paktët, që kërkonin pajtimin dhe më shumë të drejta për minoritetet. Rumania është ndërkohë anëtare e BE-së, por...

" Rumania nuk ia doli që të ndërtojë një shoqëri multietnike dhe një komb qytetarësh. Ne ende jemi komb i dominuar nga përkatësia nacionale dhe ortodoksia, që do të thotë se disa grupe janë zhvendosur në periferi të ngjarjeve. Më brengos radikalizimi i tyre."

Që Rumania nuk është shoqëri qyetare, përgjegjësinë e mbajnë edhe aktivistët e shoqërisë civile, thotë Smaranda Enache.

"Ne më shumë jemi marrë me elitat dhe sqarimin e modelit demokratik të shekullit të 18-të. Nuk kemi treguar sensibilitet për njerëzit e rëndomtë. Tani befasisht e kemi zbuluar se kursi i deritanishëm ishte në kundërshtim me përvojat e shumta negative të këtyre njerëzve. Në brendësi të Rumanisë ende jetohet në kushte mesjetare. Nuk janë shqetësuese vetëm kushtet e jetës, por dhe fakti që elitat në metropole po prodhojnë edhe varfëri dhe kriminalitet. Ndonëse jemi anëtar të BE-së, në këtë kuptim më shumë i ngjajmë botës së tretë."

Autor: Keno Verseck/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica