1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rruga e gjatë e Kroacisë drejt BE

Përkatësia në Evropë është pjesë e botëkuptimit të Kroacisë, dhe që kur vendi deklaroi më 1991 pavarësinë nga federata e shteteve jugosllave. Por megjithatë, u desh të kalonin thuajse 10 vjet dhe një luftë, deri në BE.

Kroacia në BE më 2013

Kroacia në BE më 2013

Në nëntor 2000 Kroacia nisi negociatat me BE për një Marrëveshje Stabilizimi dhe Asociimi me BE-në. Kjo ishte lidhja e parë kontraktore e Kroacisë me BE-në. Në marrëveshje, të dyja palët ranë dakord për rregulla për një dialog të ardhshëm politik, u përcaktuan marrëdhëniet tregtare dhe prej Kroacisë u kërkua që ta përshtasë legjislacionin e saj nacional me standardet evropiane. Njëkohësisht, prej Zagrebit u kërkua që të angazhohet në mënyrë më intensive për dialogun rajonal dhe që të intensifikojë bashkëpunimin me fqinjët. E gjithë kjo u mbikqyr në të ashtuquajturin Këshill të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit. Në krahasim me marrëveshjet e mëparshme evropiane që BE-ja i vendosi në atë kohë me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, marrëveshjet me Kroacinë shkuan edhe më tepër në thellësi dhe ishin shumë më të detajuara.

Grindje kufitare midis fqinjsh

Lutjen zyrtare për anëtarësim në BE, Kroacia e paraqiti në kohën e qeverisë së socialdemokratit, Ivica Racan, në mars 2003. Një gjysmë viti më vonë, Komisioni ia dha formularin Kroacisë. Kroacia e plotësoi formularin në më pak se tre muaj. Në mars 2004, Komisioni bëri të ditur opinionin e tij dhe rekomandimin për statusin e kandidatit për Kroacinë dhe dy muaj më vonë, në takimin e nivelit të lartë të BE-së në korrik, Këshilli i BE-së konfirmoi statusin e kandidatit të Kroacisë.

Nisja e negociatave të anëtarësimit u shty pastaj me një gjysmë viti, meqenëse disa shtete anëtare ishin të mendimit se Kroacia nuk bashkëpunon sa duhet me Tribunalin e Hagës për Krime lufte. Prandaj negociatat nisën vetëm në tetor 2005, njëkohësisht me negociatat e anëtarësimit midis BE-së dhe Turqisë.

Procesi i negociatave zgjati

Procesi i negociatave zgjati

Konferenca e parë u zhvillua në 28 tetor 2005 dhe negociatat përfunduan me kapitullin e fundit prej gjithsej 35 kapituj, në 30 qershor 2011. Kështu, negociatat me Kroacinë zgjatën gati gjashtë vjet, gjë që është një mjet i mirë në krahasim me negociatat e mëparshme. Në negociata Kroacia u pengua për gati një vit nga bllokada sllovene. Shkaku ishte kufiri i pasqaruar detar midis Sllovenisë dhe Kroacisë në Adriatik. Zgjidhja mori fund me një marrëveshje midis Zagrebit dhe Ljubljanës, të cilët ranë dakord që vendimin t'ia përcjellin një gjykate arbitrazhi - vendimi pritet muajt e ardhshëm.

Autor: Alen Legovic/ Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora