1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rruga e gjatë e Serbisë drejt BE

Marina Maksimovic/Angelina Verbica20 Janar 2014

Serbia mund të bëhet anëtarja e 29-të BE. Në janar fillojnë negociatat për pranim. Por rruga e këtij vendi ballkanik drejt BE nuk është e lehtë. Një pikë delikate janë marrëdhëniet me Kosovën.

https://p.dw.com/p/1Atlf
Fotografi: picture-alliance/dpa

Për Beogradin fillimi i bisedimeve për pranimin në BE është një hap historik drejt Evropës. Komisioneri për zgjerimin e BE Stefan Füle bëri të ditur se me 21 janar 2014 do të zhvillohet konferenca e parë ndërmjet Brukselit dhe Beogradit në nivel qeveritar. "Kështu fillon edhe puna e vërtetë dhe interaksioni ndërmjet shteteve anëtare dhe Serbisë, natyrisht me mbështetjen e komisionit të BE", tha Füle në bisedë me DW.

Që nga 1 marsi 2012 Serbia ka zyrtarisht statusin e kandidatit të BE-së. Askush nuk mund të parashikojë, se sa kohë do të zgjasin negociatat e pranimit. Ekspertët llogarisin të paktën me gjashtë vjet, kaq kohë kanë zgjatur negociatat në rastin e pranimit të anëtarit të fundit të BE-së, Kroacisë (nga viti 2005 deri 2011, anëtarësimi u bë më 1 korrik 2013). "Serbia është një kandidat i vështirë", thotë eksperti i Evropës Juglindore, Dushan Reljic, drejtor i fondacionit Shkenca dhe Politika në Bruksel, "jo vetëm për shkak të historisë, konflikteve ende të pazgjidhura me Kosovën, por edhe për shkak të situatës së vështirë ekonomike dhe boshllëqeve, që ekzistojnë ende në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimin e institucioneve politike.

Stefan Fule
Stefan FüleFotografi: picture-alliance/dpa

Marrëdhënia me Kosovën si pengesë

Në rrugën e tyre drejt pranimit kandidatët duhet të përmbushin edhe kushte të caktuara, në përputhje me situatën e tyre specifike. Për Serbinë ka qenë bashkëpunimi me gjykatën ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë. Këtë kusht Beogradi e ka përmbushur tashmë me arrestimin dhe dorëzimin e kriminelëve të luftës Ratko Mladiç dhe Radovan Karaxhiç.

Një kusht kryesor tani është raporti me Kosovën. Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008. Megjithatë qeveria në Beograd nënshkroi një marrëveshje me qeverinë kosovare, i cila parashikon një autonomi të gjerë për komunitetin serb në Kosovë, por në të njëjtën kohë kufizon ndikimin e drejtpërdrejtë të Beogradit në këto komunitete.

Gjatë negociatave për anëtarësim në BE do të vazhdojë të vëzhgojë me shumë vëmendje marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën. Në fund të këtij procesi është e nevojshme një marrëveshje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, thuhet nga BE. Për të hyrë në Bashkimin Evropian Beogradi nuk duhet të njohë zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur. Këtë nuk e kanë bërë deri tani edhe pesë anëtarë të tjerë të BE-së, Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.

"Shumica e qytetarëve do të votonte për BE"

Në Beograd sot qeverisin nacionalistët e dikurshëm, të cilët konsiderohen tani si mbështetës të bindur të BE-së. Në ndërrimin e mijëvjeçarëve 80 për qind e popullsisë ishin për hyrjen në BE, sipas sondazheve të fundit sot vetëm gjysma e tyre dëshiron që vendi i tyre të bëhet anëtar i BE. Për distancimin nga Evropa kanë kontribuar disa faktorë. Njohja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës nga shumë shtete anëtare të BE, përshtypja gjithnjë e më e madhe, se BE-ja është lodhur nga zgjerimi, por edhe disa vendime të Tribunalit për Jugosllavinë në Hagë, që u perceptuan si të padrejta në Serbi, për shembull lirimi i gjeneralit kroat Ante Gotovina, i cili ishte një nga kriminelët më të kërkuar të luftës në Jugosllavi.

Karadzic und Mladic Archiv 1993 in Pale
Karaxhiq dhe MladiqFotografi: picture-alliance/dpa

Me gjithë këtë qëndrim të rezervuar ndaj Evropës Ivan Knezeviç nga OJQ-ja serbe "Lëvizja Europiane në Serbi", është i sigurtë, që në rast të një referendumi për të ardhmen evropiane të Serbisë, një shumicë e qartë do të votonin për anëtarësim në BE. Në negociatat e pranimit hapat e ardhshëm tani janë "harmonizimi i ligjeve të veta me ligjin e BE dhe zbatimi efektiv i standardeve të BE-së në praktikë, në mënyrë që qytetarët serbë të përfitojnë prej tyre", thotë Knezeviç. Disa favore nga lidhjet me Evropën janë të tashmë të dukshme për serbët: Që nga viti 2009 ata mund të hyjnë pa vizë në shtetet e zonës Shengen.

Korrupsion dhe inflacion

Por në rrugën për në BE Beogradi duhet të zgjidhë akoma shumë probleme. Korrupsioni është shumë i përhapur. Transparency International e rendit Serbinë në vendin e 72, pas Namibisë. Inflacioni është në rreth 8,5 përqind dhe borxhi i ri sipas ekspertëve në vitin e ardhshëm mund të jetë më i larti në rajon, me rreth shtatë për qind të fuqisë ekonomike.

Megjithatë lidhur me një datë të mundshme të anëtarësimit të Serbisë nuk dëshiron të spekulojë askush, as komisioneri i zgjerimit të BE Stefan Füle. "Nuk ka asnjë automatizëm në lidhje me zgjerimin e BE-së", thotë ai. "Jo vetëm Komisioni i BE-së duhet të bindë shtetet anëtare, që Serbia në fund të negociatave të pranimit do të jetë plotësisht e përgatitur për anëtarësim. Edhe qeveritë e vendeve anëtare duhet të bindin qytetarët e tyre për këtë."

Në Beograd shumë politikanë kanë theksuar se data e pranimit në vetvete nuk është aq shumë e rëndësishme, ajo që vlen në rradhë të parë është modernizimi i vendit.