1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rruga e gjatë drejt bashkëjetesës mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë

Bahri Cani18 Tetor 2013

Prej shpërthimit të luftës së Kosovës bashkëjetesa shqiptaro-serbë nuk ekziston. Në rastet më të mira mund të flitet për "koekzistencë paqësore" e jetë pranë njëri-tjetrit pa probleme serioze. Por perspektiva ekziston.

https://p.dw.com/p/1A29q
Fotografi: DW/B. Cani

Askush nuk e di saktësisht se sa banorë ka fshati kosovar Plemetinë. Dikush thotë 1500 e të tjerët rreth 2000. Shkaku: këtu ekzistojnë dy zyra të gjendjes civile, një serbe dhe një shqiptare. Ato nuk kanë asnjë lloj kontakti mes tyre. Njëra-tjetrën e trajtojnë madje si ilegale.
Shumica e serbëve në Plementinë ende shpresojnë se Kosova një ditë do të kthehet sërish në Serbi. Në Plemetinë strukturat janë paralele. Secila etni ka institucionet e veta, partitë e veta, serbët paguajnë me dinarë... Shumica e serbëve nuk e njeh shtetin e Kosovës, edhe pse ajo e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe deri tani është njohur (sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme) prej 105 shteteve, ndër to edhe 23 nga 28 anëtaret e Bashkimit Evropian.
Në Plemetinë jetojnë shqiptarë, serbë dhe romë. Ata takohen çdo ditë në rrugë, e përshëndesin njëri-tjetrin dhe nuk kanë konflikte mes tyre. Por për një bashkëjetesë nuk mund të flitet. "Ne nuk kemi probleme mes nesh, e përshëndesim njëri-tjetrin në rrugë, por secili sheh punën e vet", thotë Imer Ibrahimi.

"Do të dëshiroja një jetë normale"

Organizata joqeveritare GAIA po bën përpjekje ta ndryshojë situatën. Në këtë organizatë takohen të rinj serbë, romë dhe shqiptarë, në përpjekje që t'i tejkalojnë paragjykimet dhe të zbardhin të kaluarën. Nenad Andriq është një nga bashkëthemeluesit e kësaj organizate joqeveritare. Ai thotë se "është shumë krenar që është serb, por kurrë nuk e ka urryer dikë për shkak të përkatësisë së ndonjë grupi tjetër etnik".
"Unë gjithmonë kam qenë i gatshëm të bashkëpunoj me të tjerët. Ndoshta jam budalla dhe i marrë, por unë besoj në ardhmërinë time këtu në Kosovë, pavarësisht se si quhet shteti, presidenti, apo kryeministri", pohon ai. Por 22 vjeçari i takon me qëndrimet e tij për bashkëjetesën një pakice të serbëve, pasi shumica ende nuk e beson një bashkëjetesë në Kosovën e pavarur.

Nenad Andric, mitgründer der NGO, GAIA. GAIA ist eine NGO im Kosovo die sich für die Gleichgerechtigkeit von Minderheitsgruppen engagiert. Sie versammelt verteter alle etnische Gruppen im Kosovo - Serben, Ablaner, Roma...Foto: DW/Bahri Cani, September 2013,
Nenad Andric Mitgründer der NGO, GAIAFotografi: DW/B. Cani

A mund të jetojnë serbët në Kosovën e pavarur?

Shqiptarët në Kosovë përbëjnë një shumicë prej më shumë se 90 %. Ndërkohë që shumë serbë, pasi Serbia humbi luftën në vitin 1999, u zhvendosön nga Kosova. Vlerësohet se ata tani përbëjnë vetëm 5 – 6 % të popullatës, por të dhëna të sakta nuk ka, sepse shumë prej tyre nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e fundit.

Në komunat qendrore dhe në jug të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, gjendja është shumë më e relaksuar se sa në veri. Në komunat në jug të lumit Ibër ka edhe kontakte të përditshme mes shqiptarëve dhe serbëve. Në veri jo. Ajo, që mund të dëgjosh në veri të Mitrovicës, është se këtu ekzistojnë vetëm kontakte mes individëve serbë dhe shqiptarë, të cilët bëjnë biznese të dyshimta. Emrat e këtyre „biznesmenëve“ nuk i përmend thuajse askush, për shkaqe sigurie.

Shumë shqiptarë, që kanë jetuar para luftës në katër komunat e veriut, janë shpërngulur në jug. Qeveria në Kosovë nuk e ka kontrollin në veri. As Eulexi nuk mund të lëvizë gjithmonë i lirë. Kötö e dëshmojnë edhe barrikadat në rrugë dhe sulmet e kohëpaskohshme me armë. Për bashkëjetesën mes serbëve dhe shqiptarëve në këtë pjesë të Kosovës nuk mund të flitet.

Shpresat dhe pengesat

Politikanët në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel shpresojnë se situata në komunat e banuara me shumicë në veri të Kosovës do të përmirësohet pas marrëveshjes së prillit të këtij viti. Avokati serb Ljubomir Pantoviq mendon se një ditë edhe në veri do të shtrihet pushteti i institucioneve të Kosovës, „por kjo me siguri nuk do të ndodhë shpejt“.

A do të përmirësohet situata në Mitrovicë pas marrëveshjes së prillit?
A do të përmirësohet situata në Mitrovicë pas marrëveshjes së prillit?Fotografi: DW/R. Alija

„Marrëveshja për normalizimin e raporteve, e arritur në Bruksel, do të realizohet dikur. Por kjo nuk do të ndodhë shpejt dhe pa rezistencë e pa probleme të mëdha“, mendon Pantoviq.

Ndërsa analisti Kosovar Behlul Beqaj është edhe më pesimist. Duke iu referuar zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit 2013 ai thekson se „shumë shpejt pas zgjedhjeve do të krijohet një entitet i veçantë serb, i cili më vonë do të kërkojë ndarjen nga Kosova. Ne dhe bashkësia ndërkombëtare po investojmë në destabilizimin e Kosovës“, pohon Beqaj.

Humnera edhe më e thellë

Analisti kosovar ka frikë se humnera mes serbëve dhe shqiptarëve do të zgjerohet dhe do të thellohet edhe më shumë. „Perspektiva e bashkëjetesës mund të hapet vetëm, nëse Serbia heq dorë nga politika e miteve dhe nga pretendimet territoriale. Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e bëra. Por për fat të keq në këtë vend ende nuk ka ndonjë personalitet të kalibrit të Charles de Gaulle, Konrad Adenauer apo Willi Brandt ", pohon Beqaj.
Veriu mbetet një prej sfidave më të mëdha të qeverisë kosovare, serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare. Ndërsa në jug gjendja është më ndryshe. Nenad Andriq thotë se perspektiva e tyre është në Kosovë. „Njerëzit kanë jetuar këtu me shekuj së bashku. Problemet shpesh po zmadhohen pa nevojë. Shpresoj se njerëzit një ditë do t'i hapin sytë dhe do të bashkëjetojnë në paqe“, pohon Andriq.

Por as Andriq nuk e beson se problemet do të tejkalohen shpejt. Për një bashkëjetesë të mirëfilltë kërkohet edhe më shumë kohë, edhe më shumë angazhim i institucioneve të Prishtinës dhe Beogradit, organizatave joqeveritare, mediave dhe qarqeve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.