1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini ka një rol kyç në negociata

Dragoslav Dedoviç19 Dhjetor 2013

Negociatat me Serbinë do të fillojnë më 21 Janar. Beogradi ka lënë pas një rrugë të vështirë, por ka para po ashtu negociata të vështira. Berlini ka një rol kyç në negociata, komenton Dragoslav Dedoviç.

https://p.dw.com/p/1AcTN
Rubrikenbild Kommentar albanisch

Në dallim nga negociatat e aspirantëve të tjerë me BE-në, kësaj here troket në derë një "djalë i keq". Aty ai duhet të bindë fillimisht bodyguardin e fortë gjerman për qëllimet e tij të ndershme. Të gjithë anëtarët e klubit, përfshirë edhe Gjermaninë, ia kanë lëshuar këto ditë shkresën për aftësinë e konvertimit të plotë, atij vendi që shpesh në të shkuarën perceptohej si "djalë i keq".

Në Beograd qeverisin kësaj here ish- nacionalistët e papajtueshëm serbë, - që nga mesi i vitit të shkuar me një mazhorancë të sigurtë. E pikërisht kjo qeveri serbe nënshkroi një marrëveshje me Kosovën të ndërmjetësuar nën patronazhin e Bashkimit Europian. Bashkimi Europian i dhuroi kështu Serbisë një sukses të dukshëm në politikën e jashtme. Suksese të tilla janë të rralla në Bruksel. Tani vjen shpërblimi.

Edhe për politikanët e jashtëm gjermanë është i qartë roli i rëndësishëm strategjik i Serbisë në Ballkan. Jo më kot në faqen online të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë nuk ka një vlerësim të qartë të marrëdhënies bilaterale mes Beogradit dhe Berlinit. Ndërkohë që marrëdhëniet gjermano-shqiptare vlerësohen si "të ngushta dhe në partneritet", ato me Kroacinë si "të shkëlqyera", diplomatët e Berlinit, e konsiderojnë "mbështetjen për kursin e reformave politike dhe ekonomike të Serbisë" si substancën më të rëndësishme të marrëdhënieve me Beogradin. Në gjuhën diplomatike shpesh është më e rëndësishme ajo që nuk thuhet: Marrëdhëniet me Beogradin janë të komplikuara.

Kujtimet ndaj sulmeve të NATO-s 1999

Jo vetëm vështrimi i Berlinit drejt Beogradit është i distancuar dhe kritik, edhe ai i Beogradit është i njëjtë. Në Serbi nuk është harruar "engjëlli mëshirues" - ky ishte emërtimi gjithë fantazi i sulmeve tremujore të NATO-s nga ajri, me pjesëmarrje gjermane, ku u përdorën edhe bombat dispersive dhe me uran të kritikuara në shkallë ndërkombëtare që vranë më shumë civilë se ushtarë. Në Serbi janë sot deri dy të tretat e popullsisë për anëtarësimin në BE, në të njëjtën kohë po kaq vetë janë kundër anëtarësimit në NATO.

15 vjet pas luftës aktorët e dikurshëm - ose kanë ndërruar jetë si ish-presidenti Sllobodan Millosheviç, ose shkruajnë memuarë si politikanët e dalë në pension, Bill Clinton dhe Joshka Fischer. Matur me zhurmën propagandistike të luftës në ato vite, të ardhur si nga kryeqytetet perëndimore, ashtu edhe nga Beogradi, fillimi i bisedimeve të anëtarësimit në Janar të vitit 2014 është më shumë se një procedim administrattiv.

Deutsche Welle Serbisch Dragoslav Dedovic
Dragoslav Dedovic, drejtues i redaksisë serbe në DWFotografi: DW/P. Henriksen

Berlini - rol kyç në suksesin e negociatave

Herë pas here nacionalistët serbë akuzojnë Gjermaninë demokratike se ka qëllim krijimin e "Rajhut të katërt" - dhe se ndjek një politikë dominance kontinentale kundrejt Serbisë. Ata e interpretojnë antagonizmin e dy Luftërave Botërore si edhe vitin 1999 si shenjë kontuiniteti të politikës antiserbe të Berlinit. Politika e Serbisë nga vitet 90-të, në këtë model shihet si e padiskutueshme, madje edhe kur ajo është bashkëpërgjegjëse për gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995. Shumica e qytetarëve serbë e shikon situatën me një qëndrim më të diferencuar. Një skepticizëm i fshehtë kundrejt Gjermanisë, që i mbivihet skepticizmit ndaj BE-së, mbetet ende mjaft i përhapur.

Në Beograd dihet që marrëdhënia me Berlinin është thelbësore për suksesin e negociatave me Brukselin. Para Serbisë ndodhet detyra shumë e vështirë: financat e rrënuara, korrupsion dhe ekonomi tarafesh, infrastruktura e shkatërruar, drejtësia inefiçiente dhe e ndikueshme - lista është e gjatë. Vendi ndodhet në të njëjtën kohë në qendër të interesave strategjitkë të politikës gjermane të zhvillimit në Ballkan. Gjermania është donatori më i madh, dhe pas Italisë partneri më i rëndësishëm ekonomik i Serbisë.

Për fazën më të rëndësishme të negociatave me BE-në nuk do të mjaftojë niveli aktual i marrëdhënieve bilaterale. Toni i fohtë dhe kushtet e perceptuara nga Berlini si shumë rigoroze, apo imazhi i celebruar në mediat serbe për një "Gjermani të urryer" duhet të zëvendësohet në vitet e ardhshme nga një partneritet i sinqertë dhe më shumë sensibilitet ndaj çështjes. Ka ardhur koha që të tejkalohet mosbesimi i fshehtë dhe i dynanshëm. Përtej nivelit të negociimit në Bruksel, rruga e Beogradit në Bashkimin Europian kalon sidomos nga Berlini i lodhur nga zgjerimi.