1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raporti i Troikës do të jetë vetëm raportues

Anila Shuka29 Nëntor 2007

Wim van Meurs dhe Tim Judah për efektin dhe problematikën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës mbas dështimit të bisedimeve të Troikës

https://p.dw.com/p/CUtl
Pamje nga PrishtinaFotografi: picture-alliance/ dpa

Raporti që troika do t'i dorëzojë më datën 10 dhjetor Sekretarit të Përgjithshëm të OKBsë pritet të ketë karakter faktik, siç mësoi Deutsche Welle nga qarqet diplomatike në Berlin. Kjo do të thotë, se raporti nuk do të përmbajë një propozim për statusin, por thjesht do të rrëfejë ecurinë e procesit të negociatave, duke theksuar se zgjatja e tyre, bërë me kërkesë të Beogradit, nuk arriti t'i afronte aspak palët drejt konsensusit. Sipas të njëjtit burim, pritet që ky raport të mbështetet nga të tre përfaqësuesit e Troikës, pra edhe nga pala ruse.

Mbas raportit të Troikës, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë parlamenti i ri i Prishtinës pritet të shpallë pavarësinë. Wim van Meurs nga Qendra për Aplikimin e Politikës (CAP) në Mynih, parasheh që BE-ja të dalë me një "deklaratë të përbashkët, ku do të përcaktohen kushtet për njohjen e pavarësisë. Më pas do të ketë ndoshta një numër vendesh që do ta njohin pavarësinë e Kosovës, të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës."

Meurs është i mendimit se Gjermania duhet të jetë një nga vendet e para në këtë listë: "Afati tashmë ka skaduar prej kohësh. Vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës mund të mendohet për të ardhmen dhe mund të ecet përpara me proceset e mëtejshme politike." Njohja e pavarësisë nga ana e Gjermanisë do të inkurajonte edhe vende të tjera të BE/së, thotë Meurs.

Tim Judah, gazetar për britaniken "Economist" është i mendimit se shumica dërrmuese e vendeve të BE-së janë të gatshme ta njohin Kosovën: "Është vetëm një vend që thotë jo, kurrë: Ky është Qipro. Ka edhe disa vende të tjera që nuk janë shumë të kënaqura me pavarësinë, por që ndoshta do ta pranojnë atë, si për shembull, Sllovakia, Rumania ose Greqia."

Se cila është data më e përshtatshme për shpalljen e pavarësisë? Van Meurs pret që ajo të ndodhë menjëherë, mbas raportit të Troikës: Shqiptarët do ta bëjnë këtë ndoshta në marrëveshje të heshtur me disa vende evropiane, parasheh Meurs. Sipas Tim Judah disa diplomatë perëndimorë do të preferonin më mirë, që shpallja e pavarësisë të bëhej mbas zgjedhjeve presidenciale në Serbi, për t'i dhënë kështu një shans më të madh rifitimi forcave demokratike. "Ekziston frika që në rast se Kosova do të shpallë pavarësinë para zgjedhjeve, në Serbi do të fitojnë radikalët. Këta mund ta largonin atë nga rruga e integrimit euroatlantik", thotë Judah.

Por problemi më i madh është gjetja e një baze të përshtatshme ligjore për misionin e ri të BE/së. Van Meurs thotë se ekspertët do të mundohen të gjejnë një formulë ligjore, e cila mundëson që të gjitha vendet e BE/së ta pranojnë këtë mision, pa qenë të detyruara të njohin pavarësinë e Kosovës. Gjetja e kësaj formule është e lidhur edhe me procedurën e njohjes dhe implementimit të statusit, dhe sipas qarqeve diplomatike në Berlin, kjo është pika për të cilën po negociohet aktualisht me vendet e BE/së.

Ndërkohë shumë vëzhgues janë të mendimit, se njohja e pavarësisë së Kosovës jashtë Këshillit të Sigurimit, nga njëra anë do të krijojë një "konflikt të ngrirë" me veriun serb të Kosovës dhe nga ana tjetër, do ta zvarrisë me shumë vjet pranimin e Kosovës në OKB. Van Meurs kujton këtu rastin e Tajvanit: "De fakto ai është i pavarur që prej 50 vjetësh, por një vend në OKB nuk e ka fituar ende".