1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rritje e shpejtë e qytetarëve të BE-së prej marrjes së nënshtetësisë

Kroacia, Bullgaria, apo Rumania kanë rregulla jo shumë të forta në lidhje me nënshtetësinë.

default

"Si kroate, nuk e kam ndjerë veten kurrë, në fakt unë jam e tëra boshnjake e vërtetë. Por vendimi për të kërkuar shtetësinë kroate ishte një vendim racional dhe jo emocional." - thotë Ema Pecenkovic nga Bihaci i Bosnjës, në afërsi të kufirit boshnjako-kroat.

Ema është bija e një kroateje të Bosnjes dhe për këtë arsye do ta marrë shtetësinë kroate. Pas kësaj ajo mund të ëndërrojnë për një të ardhme më të mirë, për shkak se shanset për të gjetur një punë në Bosnje janë të ulëta. Për më shumë se tre vjet ekonomistja e diplomuar është duke kërkuar për punë -. Pa sukses. "Ndoshta gjej ndonjë punë në Kroaci apo diku tjetër në Austri apo Gjermani, nuk e di. Çfarë është e rëndësishmja është se kam sigurinë." thotë Ema.

Shumë kërkesa - shumë qytetarë të rinj të BE-së

Për shkak të kërkesave të tilla si ajo e Emës, Bashkimi Evropian mund të përjetojë një rritje të papritur të popullsisë në një ardhme të parashikueshme. Kjo për shkak se disa nga vendet e reja anëtare të BE si Kroacia, Bullgaria dhe Rumania kanë procedura të lehta për dhënien e nënshtetësisë për kategori të caktuara qytetarësh nga vendet e treta si dhe për ata që jetojnë jashtë këtyre vendeve, por kanë me ta ngjashmëri kulturore, gjuhësore apo historike, sqaron Karin Traunmüller nga Universiteti i Vjenës.

Karin Traunmüller

Karin Traunmüller

"Po ashtu p.sh. nuk kërkohet që një person nga ky rreth i cili kërkon nënshtetësinë ta ketë edhe vendbanim në vendin e natyralizimit. Aplikantët mund të marrin për shembull shtetësinë rumune pa pasur vendbanim në Rumani. Gjithashtu, ata nuk duhet të heqin dorë nga shtetësia e tyre të mëparshme. Shtetësia e dyfishtë është e ligjshme.", sqaron Traunmüller.

Rregulla të mjegullta në vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore

Shumë prej formulimeve në ligjin për nënshtetësinë në vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore janë të tilla që u lënë shumë diapazon interpretimi punonjësve. P.sh. nënshtetësinë hungareze mund ta marrë dikush që ndoshta i ka pasur të parët nga Hungaria dhe di hungarisht.

Ky formulim është shumë i pasaktë, mendon Traunmüller. Apo formulimi sipas të cilit gjithkush që ka origjinë bullgare, mund të marrë nënshtetësinë bullgare. Ai që do të marrë nënshtetësinë kroate duhet të njohë ligjet dhe zakonet tradicionale të Kroacisë.

Lehtësi edhe në Evropën Perëndimore

Por edhe në Evropën Perëndimore ka vende me rregulla jo shumë të forta në lidhje me nënshtetësinë. P.sh. në Spanjë ka lehtësime për qytetarët e vendeve të Amerikës Latine. Lehtësime të ndryshme kanë edhe ligjet në Itali apo Greqi.

Shumë qytetarë moldavë marrin nënshtetësinë rumune

Shumë qytetarë moldavë marrin nënshtetësinë rumune

Lidhur me këtë çështje nuk do të jetë e lehtë të arrihet një marrëveshje në nivel evropian. Karin Traunmüller thotë se: "Rregullat për nënshtetësinë janë çështje e çdo shteti dhe e drejta e nënshtetësinë dhe kërkesat që duhet të përmbushen për dhënien e shtetësisë janë bastion i fundit i sovranitetit."

Si do të reagojë Evropa ndaj numrit në rritje të qytetarëve që marrin nënshtetësinë e një vendi të BE-së? Qeveria italiane ka protestuar ndërkohë kundër ligjeve të buta të shteteve të tjera, për shkak se Italia është destinacioni primar i qytetarëve moldavë të cilët kanë marrë shtetësinë rumune.