1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rritje e racizmit në Poloni

Sulmet me sfond racist në Poloni drejtohen para së gjithash kundër myslimanëve dhe afrikanëve. Por edhe antipatia ndaj gjermanëve luan rol.

Tre studentë nga Turqia dhe Bullgaria u sulmuan verbalisht në një metro të qytetit verior polak Bydgoszcz. Ata duhet të largohen nga ky vend. Polonia u përket polakëve, dëgjuan studentët. Raste si ky i fillimit të dhjetorit janë shtuar në Poloni. Edhe në qytetin universitar, Thorn janë shtuar sulmet kundër studentëve të huaj. Një djalë i ri turk u godit keq dhe u shtrua në spital. Dy të tjerë u detyruan nga shërbimi i lokalit të ecnin në gjunjë dhe të kërkonin falje që nuk ishin të krishterë, por myslimanë. Klientët u mblodhën përreth, jo për të ndihmuar, por për t'u tallur me studentët e poshtëruar.

"Engjëj mbrojtës" për studentët e huaj

"Jam e shokuar nga kjo atmosferë poshtërimi në këtë rast", thotë Ewa Walusiak-Bednarek, zëdhënëse e Universitetit në Thorn. „Prej dhjetë vitesh kemi studentë për shkëmbime, por asnjëherë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Ndërsa brenda këtij vit dy herë", shton ajo e zemëruar. Traditë në universitetin me 20.000 studentë ka qenë shoqërimi i studentëve nga studentët polakë, që njihen si "engjëj mbrojtës”. ”Ideja është ndihmesa e studentëve të huaj për t'u orientuar në të përditshmen, dhe të njohin më mirë vendin tonë", thotë Walusiak-Bednarek. „Pas sulmeve të fundit ndaj studentëve numri i engjëjve mbrojtës është rritur nga 10 në 110 vetë, kështu që secili nga të 130 studentët e huaj ka tani engjëllin e vet mbrojtës‘".

Por sulmet nuk kryhen vetëm në provincë. Në Universitetin e Varshavës u qëllua një student nigerian. Në verë u bë i njohur rasti i një profesori polak që u grind në gjermanisht me një profesor gjerman të ftuar në një metro. Rasti u trajtua gjerësisht në media, por nuk pati ndonjë dënim nga ana e qeverisë.

Numri i sulmeve raciste -10 herë më i lartë se në vitin 2000

Anna Tatar nga fondacioni „Kurrë më" regjistron sulmet raciste nga e gjithë Polonia. Në vitet 2009-2010 ajo ka regjistruar 400 raste, dy vite më vonë shifra u rrit në 600. "Por nga vera vëmë re një shkallëzim tjetër, rastet po përpunohen ende zyrtarisht”, thotë ajo. Tatar e shpjegon atmosferën e racizmit me debatin për refugjatët para zgjedhjeve parlamentare të vjeshtës 2015. Polonia nuk pranoi refugjatë, megjithatë zemërimi i qytetarëve për rritjen e numrit të refugjatëve në Europë ka mbetur. Anna Tatar kritikon mediat polake. "Ato i paraqitën refugjatët si masë, pa fytyrë, pa histori individuale.”

Nga viti 2000 numri i sulmeve me sfond racist është më shumë se dhjetëfishuar, megjithëse numri i të huajve në Poloni krahasur me vendet e tjera është i ulët. Nëse më parë sulmoheshin romët dhe hebrenjtë, sot sulmohen myslimanët dhe afrikanët. Autorët dënohen rrallë. 70 procedime gjyqësore u zhvilluan në vitin 2015. Arsyetimi që dëgjohej shpesh ishte „Dëm i vogël shoqëror".

Tolerancë për urrejtjen ndaj të huajve

Shqetësuese në këtë kontekst është heshtja e politikës. Më kot u pritën reagime pas sulmeve brutale në Thorn dhe Varshavë. Në ndonjë rast madje autoritetet mbrojnë autorët. Kur në prill të vitit 2016 në një demonstratë në Bialystok nacionalistët radikalë thërrisnin "Të varim hebrenjtë”, prokuroria nuk e pa këtë si akt penal me sfond racist, me arsyetimin, se jo çdo shprehje e aversionit mund të barazohet me thirrjen për urrejtje.

Ndërkohë që autorët vinin nga "kampi i radikalëve nacionalistë”, një nga grupimet më të mëdha radikale të djathta në Poloni. Simboli i tyre një dorë me thikë i ngjason kryqit nazist dhe është krahas këtij dhe simbolit të Ku-Klux-Klanit, qartësisht i identifikuar si simbol racist në udhëzimet për policët. Kur deputeti Adam Andruszkievicz, i njohur për kontaktet me skenën djathtiste, kritikoi se këto simbole përmenden njëherësh me simbolet naziste, Ministria e Punëve të Brendshme e hoqi rregulloren nga qarkullimi. Ndërkohë që një strategji e qeverisë për urrejtjen ndaj të huajve nuk shihet ende. Në vend të kësaj ajo merr vendime si heqjen e "këshillit për luftimin e diskriminimit racor "në vitin 2016, që kishte analizuar nga 2013-ta rastet e urrejtjes kundër të huajve.