1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rritje e papunësisë në Greqi - Të prekur edhe emigrantët nga Shqipëria

Papunësia po shndërrohet në një makth të madh për shoqërinë por edhe qeverinë greke. Perspektiva parashikohet akoma më e zymtë. Kush ka ende punë, e quan veten me fat.

Emigrantë shqiptarë kthehen në atdhe pasi kanë humbur punën në Greqi.

Ankthi i papunësisë duket se u ka hequr entuziazmin për një tjetër udhëtim për në vendlindje mallakastriotit Serafim Batra, që do të ndërmirrte të dielën në darkë, bashkë me shumë bashkatdhetarë të tij me autobusin e linjës Athinë-Tiranë.

Një shqetësim akoma dhe më i madh dhe se ai që kishte në vitet e para të emigrimit të tij 20-vjeçar këtu në Greqi.

“Është një krizë e tmerrshme. Sidomos për ne emigrantët. Na ka ngarkuar jashtë mase nga ana psikologjike, ekonomike dhe nuk e dimë se cila do të jetë e nesërmja” - thotë Serafimi.

Dryna apo shkurtime pune nëpër fabrika, dyqane, hotele turistike, apo kantiere ndërtimi ku ditët e punës numërohen tashmë në gishtat e dorës.

“Në qoftë se kishim 25 ditë punë, sot kemi vetëm 10 ditë. Punojmë me hope. Nuk ka punë të përditshme” - tregon Serafimi, i cili ku s'ka punuar për të mbijetuar para se të përfundojë si hidraulik në sistemet e shuarjes automatike të zjarreve por edhe në sistemet e ngrohjes.

Po e shoqja? “Punon si pastruese, vetëm tri ditë në javë, të ardhura shumë të pakta. Me këto rroga nuk ia dalim dot”- thotë Serafimi i cili tani sikur ngushëllohet dhe me “fatkeqësinë personale”, sikurse thotë, që fati e deshi të mos ketë fëmijë.

Mendja i shkon në këtë momente tek ata që janë me fëmijë dhe krejt pa punë. “Albani, një shoku im i ngushtë, me dy fëmijë, ka 6 muaj pa punë. Është i detyruar që për hir të dokumentave të blejë në të zezë, përkundrejt 25-30 eurosh, pullat e siguracionit social”.

Emigrantët shqiptarë nga Greqia presin kontrollin e dokumenteve në një pikë kufitare në jug të vendit.


Serafimi nuk ka as iluzionin më të vogël, se kjo krizë do të jetë një dimër i gjatë dhe duket sikur tregon “mirëkuptim” dhe për masat e kursimeve të rrepta qeveritare që këtë javë do të nxjerrin sërish njerëzit nëpër rrugë. “Kriza do të vazhdojë të paktën 7-10 vjet. Për 4-5 vjet thonë. Por këto janë masat e para që ka marrë qeveria. Është logjike, se ka një defiçit të tmerrshëm”.


Një tjetër emigrant, Agroni nga Fieri, ndërtues me profesion, thotë se ka gjashtë muaj pa punë dhe shikon instiktivisht duart si për të thënë se nuk ia kanë fajin ato: “Faji është i qeverisë, jo i yni. Ndërtimi mbaroi në Athinë”. Ka shtëpi me qira dhe dy fëmijë në shkollë, për fat të mirë ende të vegjël dhe pa shpenzime të mëdha. “Deri tani mbahemi se punon gruaja nëpër shtëpira. Jo vetëm unë por dhe shumica e shqiptarëve që punonin në ndërtim dhe tani kanë mbetur pa punë”.

Maria Varvari nga Larisa paraqitet pranë Organizmit të Punësimit të Fuqisë Punëtore më bulevardin Aleksandras. “Kam shkelur të pesëdhjetat dhe jemi katandisur lypsare për një ditë pune”, thotë Maria. Ajo ka shpresë që të përfshihet në një program subvencionimi, i cili do t'i jepte mundësinë të blinte 150 pulla siguracioni që i mbeten për të dalë në pension duke paguar vetë nga xhepi një pjesë të parave. Për punë as që bëhet fjalë në këtë moshë dhe në këtë krizë, që preferon më shumë gratë por edhe të rinjtë.

Sipas të dhënave më të fundit të Shërbimit Statistikor Grek, nga shkurti i vitit 2009 brenda një viti papunësia u rrit nga 9.1 në 12.1% ose me 154.000 vetë të tjerë, duke e rritur numrin e të papunëve në 605.000 vetë. Një tronditje e madhe për opinionin e kapluar nga ankthi i papunësisë. Vetëm dy muajt e parë të këtij viti, papunësia nxori nëpër rrugë 100.000 vetë duke prekur më shumë gratë me 15.3% por edhe të rinjtë. Në grupmoshën 15-24 vjeç indeksi i papunësisë arriti në 32%.

Violeta Milori, përgjegjëse e Qendrës së Kualifikimit Profesional të Spartës, thotë: “Për mendimin tim papunësia është shumë më e madhe se ajo që shpallin statistikat shtetërore dhe për dy fakte shumë të thjeshta. Nuk konsiderohen të papunë ata që regjistrohen në sigurimet shoqërore të degës së bujqësisë. E dyta, janë të papunët që ndjekin një kurs profesional edhe 300 orësh, për dy ose 3 muaj. As ata nuk konsiderohen të papunë. Vetëm këto dy fakte tregojnë që papunësia reale është shumë më lartë se ajo që tregojnë evidencat shtetërore.”

Vetë Violeta e di që me fondet publike të shkurtuara në mënyrë drastike dhe një recesion mbi 4% për këtë vit pak shanse ka për programe të tjera kualifikimi të papunësh. “Njerëzit që vitet e ardhshme do të kenë punë, pavarësisht nga pagesa, që mund të jetë edhe minimale, do ta konsiderojnë vetën e tyre me fat”, - thotë Violeta.

Në shumë degë si ndërtimi apo tregtia me pakicë në asfiksi të plotë dhe turizmin në sprovë të rëndë për këtë sezon, papunësia galopante rrezikon të prishë paqen sociale dhe të hedhë në erë programin qeveritar.

“Sindikatat dhe punonjësit kërkojnë të hapen punë, të përballohet ky fenomen social i palejueshëm”, - thotë zëdhënësi i Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë, Stathis Anestis. Duket sikur qeverisë i kërkohet e pamundura, por nuk ka zgjidhje tjetër veç futjes së ekonomisë në orbitë zhvillimi.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 17.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NPyS
  • Data 17.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NPyS