1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rritje e kërkesave për azil në vendet e industrializuara

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se numri i njerëzve që aplikojnë për azil në Evropë dhe në Amerikën Veriore është rritur me 17 për qind në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Refugjatë nga Afrika e Veriut në stacionin e pritjes në Chemnitz.

Destinacioni - Evropa: shënohet rritje e numrit të refugjatëve nga Afrika në Evropë

Ka qenë një vit i rëndësishëm, plot ndryshime, dhe shifrat e reja nga Kombet e Bashkuara tregojnë një numër të pashembullt të zhvendosurish. Megjithatë, rritja me 17 për qind në kërkesat për azil në vendet me mirëqenie nuk përbën surprizë për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët; në mars, kur trazirat në Tunizi dhe Libi arritën pikën e krizës, komisioneri i lartë për refugjatët Antonio Guterres paralajmëroi prej një katastrofe humanitare.

Komisioneri i lartë për refugjatët Antonio Guterres

Komisioneri i lartë për refugjatët Antonio Guterres

"Sot jemi të shqetësuar tek shohim 40.000 vetë që shtyheshin drejt kufirit (tejet e vështirë për t'u menaxhuar në anën tuniziane) dhe besoj se na duhet një evakuim masiv. Më shumë se dhjetë mijë egjiptianë po vijnë në ditë dhe tunizianët vetë nuk janë në gjendje ta përballojnë këtë sfidë. Do të shohim një katastrofë humanitare shumë të madhe në qoftë se nuk merren masa shumë rrënjësore, dhe masa të tilla mund të merren vetëm me një solidaritet të fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare."

Ndikimi i trazirave në Afrikën e veriut më i vogë nga sa pritej

Por me gjithë këto paralajmërime, shifrat e reja të azilit tregojnë se ndikimi i trazirave në veri dhe në perëndim të Afrikës mbi kërkesat për azil në Evropë, ka qenë deri tani më i vogël sesa pritej. Shumica e atyre që morën arratinë, shkuan në vende afrikane fqinje. Pra, megjithëse kërkesat për azil kanë pasur një kërcim me 17 për qind, zëdhënësi i Agjencisë së OKB-së për refugjatët Adrian Edwards thotë se pranvera arabe, dhe sigurisht kriza të tjera në Afrikë, nuk janë arsyeja kryesore.

"Është një kërcim kuptimplotë dhe interesante këtu është se ai nuk buron nga ato çka, ne mendonim se janë shkaku. Mund t'ju kujtohet që sivjet patëm një krizë të madhe me zhvendosje në Bregun e Fildishtë në Afrikën Veriore dhe një në zhvillim e sipër në Kepin e Afrikës. Mirëpo ajo që po shohim është se shumica e njerëzve që po kërkojnë strehim janë nga pjesë të tjera të botës: Nga Afganistani, Irani, Serbia dhe Kosova – vende ku kemi parë prej disa kohësh zhvendosje, dhe jo nga vendet e krizave të fundit."

Afganistani mbetet problem shqetësues

Azilkërkues afganë në Itali Bild: Basir Ahang

Azilkërkues afganë në Itali

Veçanërisht Afganistani është një burim shumë i madh shqetësimesh për OKB-në. Plot dhjetë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, vendi mbetet aq i pasigurt saqë numri i refugjatëve që kthehen është ngadalësuar gati në një çurg, ndërsa numri i atyre që përpiqen të largohen po kthehet shpejt në vërshim.

"Afganistani paraqet një situatë shqetësuese. Gjendja e sigurisë ose pasiguria në Afganistan është një faktor që duket se është kryesisht përgjegjës për këtë. Në dekadën e fundit kemi parë miliona vetë të kthehen në Afganistan nga vendet fqinje. Kjo normë kthimi ka rënë në vitin e fundit ose në dy vitet e fundit. Për shembull, po shohim gjithashtu afganë që shfaqen në Evropë në numra të shtuar" - thotë Adrian Edwards.

Afganët, të ndjekur nga afër prej njerëzve nga Serbia dhe Kosova, Kina dhe Iraku, përbëjnë shumicën e kërkesave për azil. Ndërkaq, vendi i industrializuar me numrin më të madh të kërkesave është ShBA, e ndjekur prej Francës, Gjermanisë, Suedisë, dhe Mbretërisë së Bashkuar. Por, kërkesat për azil arrijnë zakonisht kulmin në gjysmën e dytë të vitit, prandaj OKB-ja pret një rritje tjetër nga dhjetori, kohë kur turbullirat e vazhdueshme në veriun e Afrikës mund të pasqyrohen më qartazi. Për fundin e vitit Agjencia për Refugjatët parashikon deri në 420.000 kërkesa azili: shifra më e lartë në tetë vjet.

Autor: Imogen Foulkes / E. Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti