1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rritja ekonomike në Gjermani shumë më e lartë gjatë këtij viti

Qeveria gjermane i ka ngritur prognozat për rritjen ekonomike gjatë vitit 2010 në 3,4 per qind, bëri të ditur ministri federal për Ekonomi, Rainer Brüderle. Deri tani llogaritej me një rritje prej vetëm 1,4 %.

default

Ministri i kënaqur

Liberali më në fund kishte një shkas të mirë për të shprehur kënaqësi para mediave. Me një buzëqeshje triumfaliste, ministri i Ekonomisë, Rainer Brüderle doli para gazetarëve në Berlin për të paraqitur prognozat më të reja të qeverisë federale.

"Rritja ekonomike ka mbërritur dhe atë me fuqi të plotë. Gjatë këtij viti presim një ngritje të madhe prej 3,4 për qind. Një rritje e këtillë ekonomike në Gjermani është shënuar vetëm një herë prej ribashkimit të vendit, në vitin 2006. Gjermania në këtë mënyrë paraqet lokomotivën e rritjes ekonomike në Evropë, Gjermania është një vend në rritje", theksoi ministri.

Përmirësimi i kushteve ekonomike

Deutschland Bundeswirtschaftsminister Rainer Brüderle Herbstgutachten

Eksporti por edhe ekonomia e brendshme kane ndihmuar shumë.

Brüderle thotë se një rritje e këtillë ishte e mundur vetëm pas përmirësimit të ekonomisë dhe tregtisë në mbarë botën. Bazën e kësaj ngritjeje e përbëjnë industria dhe përmirësimi i kushteve të biznesit. Investimet janë shtuar, ndërkohë që është përmirësuar dhe gjendja në tregun e punës. Në vjeshtë për herë të parë që prej vitit 1992 do të bjerë numri i të papunëve në më pak se 3 milionë dhe në këtë nivel do të mbetet edhe në vitin 2011. Për vitin e ardhshëm qeveria pret një rritje ekonomike prej rreth 1,8 për qind, në vend të prognozave të deritanishme prej 1,6 %.

Brüderle theksoi se rritja ekonomike është edhe pasojë e rritjes së kërkesës brenda vendit, duke kundërshtuar kështu ata të cilët pohojnë se rritja ekonomike në Gjermani është bërë në dëm të vendeve të tjera.

"Fuqia jonë eksportuese nuk ka të bëjë me një strategji të shtetit, por me vendimet sipërmarrjeve. Ne nuk merremi me manipulimin e monedhës, tek ne nuk ka proteksionizëm dhe nuk veprojmë në dëm të partnerëve në treg. Por ne jemi të gatshëm për një konkurrencë të shëndoshë. Ne nuk jemi ndër të parët vetëm në eksport por edhe në import. Dhe në këtë mënyrë mbështesim edhe vendet partnere", theksoi ai.

Brüderle në Korenë e Jugut

BRITAIN_G20_FINANCE_MINISTERS_MEETING_GCC115_722339607112009.jpg

Schäuble kësaj radhe nuk do të jetë me kolegët në Korenë e Jugut.

Në takimin e ministrave të financave të grupit G-20 në Korenë e Jugut, Brüderle do të zëvendësojë ministrin e sëmurë Wolfgang Schäuble dhe do të kërkojë zgjidhjen e problemit me Kinën rreth kursit të monedhës. Në një intervistë para nisjes për në këtë takim, Brüderle tha se grindjet rreth kursit të monedhave shpejt mund të shndërrohen në një luftë në treg. Sipas tij, kursi i këmbimit duhet t'i përgjigjet vlerës reale të monedhave, që vlen si për dollarin amerikan ashtu edhe për juanin kinez. Të dy këto janë partnere të Evropës.

Në ekonominë botërore Brüderle sheh shanse por edhe rreziqe. Kina dhe India kanë vazhduar rritjen dhe janë të interesuara për investimet gjermane. Ministri tha se me gjithë pritjet për rritjen e të ardhurave të shtetit nga tatimet, nuk do të ketë ndryshime në kursin e kursimeve. Zhvillimet pozitive në ekonominë gjermane janë nënvizuar edhe nga anketat e Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë, e cila pohon se vitin e ardhshëm do të hapen 300.000 vende të reja pune, ndonëse shefi i sindikatave, Michael Sommer, ka frikë se fjala është për vende pune që nuk do të paguhen mirë.

Autor: Bernd Gräßler/Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 22.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PkNv
  • Data 22.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PkNv