1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rritet presioni ndërkombëtar ndaj presidentit sirian Baschar al-Assad

Ndërsa presidenti Baschar al- Assad vazhdon të veprojë ende me forcë kundër popullsisë siriane rritet presioni ndërkombëtar ndaj regjimit në Damask.

Pamje nga protestat në Siri

Pamje nga protestat në Siri

Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën (24.08.) për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Sirisë.  Sipas të dhënave të diplomatëve po punohet edhe për një embargo të naftës e cila do të hyjë në fuqi më së largu në fillim të shtatorit. Mbi 90 përqind e eksportit sirian të naftës shkon në Evropë.

Sipas një shkrese zyrtare të publikuar të mërkurën në Bruksel hyrja në Bashkimin Evropian i ndalohet edhe 15 zyrtarëve të lartë  të tjerë të regjimit të Assad-it. Bëhet fjalë për ushtarakë të lartë dhe bashkëpuntorë të ngushtë të presidentit Assad dhe vëllaut të tij Maher al-Assad. Përveç kësaj është vendosur për ndërprejen e bashkëpunimit me pesë organizata shtetërore.

Projektrezoluta në Këshillin e Sigurimit

Në foto, Guido Westerwelle dhe Ban Ki-Moon

Në foto, Guido Westerwelle dhe Ban Ki-Moon

Të martën në mbrëmje Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dorëzuar në Këshillin e Sigurimit një projektrezolutë përmes së cilës kërkojnë një embargo të armëve si dhe sanksione të tjera kundër Sirisë. Sipas të dhënave të diplomatëve projektrezoluta ka në shënjestër edhe njerëz dhe firma të cilat konsiderohen përgjegjës për shtypjen brutale të lëvizjes së protestave në Siri.

Diplomatët perëndimor presin një debat intensiv mbi tekstin e kësaj projektrezolute. Rusia si anëtare me të drejtë vetoje në KS të OKB-së është shprehur menjëherë kundër projektrezolutës. Po ashtu edhe Kina ka refuzuar deri tani çdo përzierje në Siri. Kundërshtime janë shprehur edhe nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut vendos për hetime

Më parë gjendja në Siri është trajtuar edhe nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut me seli  në Gjenevë. Me shumicë votash ky organ i Kombeve të Bashkuara vendosi për hetimin ndërkombëtar të veprimeve të dhunshme kundër demonstruesve paqësor. Liria e tubimit është një prej të drejtave themelore të sistemit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.

Në foto, Baschar al-Assad

Në foto, Baschar al-Assad

Komisioni i caktuar hetimor duhet të hetojë edhe nëse qeveria siriane ka kryer krime kundër njerëzimit. Rezultatet e hetimeve mund të jenë të rëndësishme për një procedurë gjyqësore në Gjykatën e lartë për krime lufte në Hagë. 

Rezoluta përkatëse është dorëzuar nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet arabe. Kundër vendimit për formimin e komisionit ishin Kina, Rusia, Kuba dhe Ekuadori sipas të cilave kjo është një përzierje në çështjet e brendshme të Sirisë.  Vëzhguesit e vlerësojnë shumicën absolute si në sinjal të qartë të bashkësisë ndërkombëtare në adresë të Assad-it që të bashkëpunopjë me Këshillin për të Drejtat e Njeriut. Para së gjithash miratimi i katër vendeve arabe, Jordanisë, Arabisë Saudite, Kuvajtit dhe Katarit, të përfaqësuara aktualisht në Këshillin për të Drejtat e njeriut, ka një peshë të veçantë.

Që prej fillimit të protestave kundër sundimit të presidentit Baschar al-Assad para pesë muajsh sipas të dhënave të komisoneres së lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay e kanë humbur jetën mbi 2200 njerëz.

 

Autor: Ulrike Mast-Kirsching / Esat Ahmeti ( ARD, reuters, afp, dpa)

Redaktoi:Mimoza Kelmendi