1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritet presioni kundër Asadit - SHBA e Perëndimi kërkojnë dorëheqjen e presidentit sirian

19 Gusht 2011

Presidenti amerikan, Barack Obama kërkoi për herë të parë të enjten (18.08) dorëheqjen e presidentit sirian, Bashar al-Asad. Amerika qëndron në krah të popullit sirian, që do të marrë në dorë fatet e tij, tha Obama.

https://p.dw.com/p/12JFb
Obama kërkoi largimin e Asadit
Obama kërkoi largimin e AsaditFotografi: dapd

Presioni ndërkombëtar kundër presidentit Asad u rrit të enjten dukshëm. Prej ditësh qarkullonin zërat, sipas të cilëve, Shtëpia e Bardhë do të kërkonte nga sundimtari sirian që të jepte dorëheqjen. Të enjten (18.08) në një deklaratë me shkrim, presidenti amerikan, Barack Obama për herë të parë e kërkoi dorëheqjen e presidentit Asad- në të mirë të popullit sirian. Obama e akuzoi atë për masakrim të popullit të tij. Pak pas deklaratës së Obamës, në orën katër të mbasdites, ministrja e Jashtme amerikane, Hillary Clinton doli para shtypit: "Tranzicioni drejt demokracisë në Siri ka filluar. Ka ardhur koha për Asadin që ai të largohet."

Me këtë SHBA e rritën shumë qartë presionin kundër pushtetmbajtësit sirian, Bashar al-Asad. Deri të enjten, qeveria amerikane kishte dënuar ashpër dhunën kundër popullit sirian dhe i kishte hequr të drejtën Asadit si kreun legjitim të shtetit sirian.

Hillary Clinton në konferencë shtypi
Hillary Clinton në konferencë shtypiFotografi: dapd

Në të njëjtën kohë, qeveria amerikane ashpërsoi sanksionet kundër Sirisë. Ato synojnë të izolojnë gjithnjë e më shumë presidentin sirian, tha Clinton. Tek sanksionet bën pjesë edhe ngrirja e pasurisë së qeverisë siriane në SHBA si edhe ndalimi i qytetarëve amerikanë në bizneset me Sirinë. Në SHBA ndalohet gjithashtu edhe futja e naftës dhe produkteve të saj nga Siria.

SHBA nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në Siri

Por një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë ushtarake apo të tërthortë të Shteteve të Bashkuara në Siri, Hillary Clinton i dha një përgjigje kategorike. "Ne e kuptojmë përpjekjen e madhe të popullit sirian, që nuk duan përzierje të ndonjë shteti tjetër në luftën e tyre. Ne e respektojmë këtë dëshirë."

Në një aksion të koordinuar të enjten të Uashingtonit, Berlinit, Parisit dhe Londrës është kërkuar gati në një kohë dorëheqja e pushtetmbajtësit sirian në një deklaratë të përbashkët të kancelares gjermane, Angela Merkel, presidentit francez, Nicolas Sarkozy dhe kryeministrit britanik, David Cameron.

Bashar al-Asad nën presion ndërkombëtar
Bashar al-Asad nën presion ndërkombëtarFotografi: picture alliance/dpa

Hillary Clinton: "Qeveria e Asadit është dënuar në të gjitha anët e botës. Ajo mund të drejtohet vetëm tek Irani, po qe se do të gjejë mbështetje për veprimet e saj brutale dhe të padrejta."

Që nga fillimi i protestave në mars, qeveria e Asadit është bërë përgjegjëse për vdekjen e së paku 1.900 antiqeveritarëve. Hillary Clinton bëri të ditur se gjendja në Siri do të trajtohet edhe në Këshillin për Të Drejtat e Njeriut të OKB-së, në një takim të posaçëm në Gjenevë.

Autor: Anna Engelke / Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti