1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rritet presioni i Prishtinës ndaj Beogradit

Analistët serbë mendojnë se ka mundësi që Prishtina ta shtyjë marrjen e kalimeve kufitare me Serbinë. Por ajo nuk do të heqë dorë. Aktualisht pika më e dobët e Beogradit janë raportet me NATO-n, pohojnë analistët.

Barrikadat serbe në Rudare

Barrikadat serbe në Rudare

Presidenti serb Boris Tadiç pohoi të enjten (15.09.) se veprime të njëanshme të shpallura nga Prishtina për nesër (16.09.) mund të rrezikojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin në rajon. "Kjo duhet penguar", tha Tadiç në hapje të forumit të sigurisë në Beograd me temë "Ballkani dhe siguria globale, çfarë kemi të përbashkët dhe çfarë na dallon."

Tadiç vuri në dukje se e vetmja zgjidhje e pranueshme për Kosovën është ajo, që do të dalë nga dialogu, në të cilin duhen kapërcyer dallimet.

Analistët: Situata në veri të Kosovës do të vazhdojë e tensionuar

Situata në veri të Kosovës me siguri do të mbetet e tensionuar dhe pas 15 dhe 16 shtatorit, vlerëson analisti Dushan Janjic për Deutsche Welle-n. Në ditët e ardhshme do të ketë disa përpjekje për të manovruar, për të shmangur çdo konfrontim të drejtpërdrejtë, thotë Janjic:

Analisti serbe Dushan Janjic

Analisti serbe Dushan Janjic

"Por ajo që unë mund të shoh, është se nuk ka përpjekje serioze të Beogradit për të negociuar me NATO-n. Kjo është për momentin pika më e dobët. Sepse poshtë konfrontohen anëtarët e NATO-s dhe qytetarët në barrikada. Pra, këtu është ajo pika e paparashikueshme, se kur dhuna mund të ndodhë në atë rrugë. Sa për dhunën e autoriteteve të Kosovës, ose të ashtuquajturat demonstrime të forcës, të them sinqerisht këtë nuk e pres. Situata punon për ta, që ata do të bëjnë presion të vazhdueshëm, të vendosin afate të shkurtra dhe mund të bien dakord të zgjasin afatin për disa ditë, përkitazi deri me 1 nëntor. Në çdo rast ata kanë një strategji daljeje, dhe nuk kanë nevojë për dhunë ", vlerëson Janjiç.

"Unë mendoj se është më realiste që Prishtina në këtë moment do të shtyjë marrjen e vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës, por ajo në çdo rast nuk do të heqë dorë prej saj", thotë pör Deutsche Welle-n Neven Cvetićanin, nga Instituti i Shkencave Shoqërore.

"Më duket se strategjia e Prishtinës për këtë problem do të jetë një presion i vazhdueshëm ndaj mbrojtjes së Serbisë. Pra, ashtu si në futboll, një lloj presioni politik, duke pritur që Serbia ta humbasë eventualisht durimin, për të bërë ndonjë veprim të gabuar dhe të ndërpresë komunikimin me bashkësinë ndërkombëtare, apo diçka të ngjashme."

Cvetićanin: diplomacia serbe duhet t'i bëjë të qarta pasojat komunitetit ndërkombëtar

Nëse ndodh që të imponohet një vendim për hyrjen e policisë dhe të doganave të Kosovës  në pikën e kalimit në veri të Kosovës, qeveria serbe nuk do të duhet ta lejojë, thekson Cvetićanin: "Sepse këto do të ishin pikë negative në opinionin publik dhe do u jepnin krahë sulmeve nga opozita, sidomos nga opozita nacionaliste. Qeveria serbe në këtë moment mund të ketë komunikim diplomatik me komunitetin ndërkombëtar dhe ajo që mund të bëjë për të parandaluar këtë, është vetëm të nxjerrë në pah pasojat. Nga ana tjetër çështja është, se sa qeveria serbe kontrollon serbët në Kosovës në këtë drejtim. Sigurisht unë shpresoj që deri këtu të mos vijë, sepse do të kishte pasoja të vazhdueshme, si për stabilitetin e rajonit dhe kam frikë se pasojat do të ndihen dhe në vendet e zhvilluara, të cilat nuk duan të këtë jostabilitet, më shumë refugjatë dhe popullsi nga këto zona, që është në kërkim të një mjedisi më të qetë, që do të shkonte në këto vende."

A kanë hequr dorë nga Kosova politikanët serbë?

Politikanët serbë ditët e fundit kanë dhënë deklarata shumë pesimiste për gjendjen nö veri tö Kosovös. Sipas mendimit të Dushan Janjiç, këto lloj deklaratash do të thonë se ata kanë hequr dorë nga Kosova.

"Dhe tani problemi i vetëm është se kush do të jetë i akuzuar. Pra, tani është fajtore bashkësia ndërkombëtare dhe jo politika jonë. Por deklaratat e tyre vetëm mund të dekurajojnë serbët dhe të dobësojnë ndikimin e tyre mbi serbët e organizuar në veri dhe të bëhen shtytje për dhunë. Prandaj ata duhet të mendojnë shumë seriozisht se çfarë do të thonë këto deklarata, dhe së dyti, u duhet thënë të mos harrojnë se Tribunali i Hagës punon ende. Ne nuk duhet të harrojmë, se si bashkësia ndërkombëtare vepron me ata politikanë, që punojnë kundër saj," tha Janjiç.

Politikani serb Vuk Drashkoviç.

Politikani serb Vuk Drashkoviç.

Drashkoviç kërkon kthesë drastike në politikën serbe për Kosovën

Njëri nga politikanët më të njohur në Serbi kërkoi sot në shtyp një kthesë drastike në politikën ndaj Kosovës. Vuk Drashkoviç, ish ministri i Jashtëm i Serbisë, u shpreh në gazetën e Beogradit "Novosti":

"Politika për të dashur të marrësh diçka, që e është e humbur prej kohësh, ka përjetuar dështim. Ne duhet të pranojmë, që Kosova ekziston", kërkoi Drashkoviç, partia e të cilit SPO është pjesë e koalicionit qeveritar në pushtet.

"Është e pamundur që me rrugë diplomatike të kthesh sovranitetin mbi Kosovën, që është humbur para 12 vjetësh“, argumentoi Drashkoviç pozicionin e tij. "Kur e provuam me luftë, përjetuam një katastrofë kombëtare. Me vazhdimin e një politike jorealiste dhe të pazbatueshme, do të humbasim edhe BE-në dhe do të ketë një eksod të serbëve nga Kosova. Serbia do të kthehej përsëri faktor pengues në rajon dhe do të ishte e bllokuar nga një politikë konfliktuale me të gjithë", paralajmëroi politikani.

Autor: Ivica Petrovic / Angjelina Verbica (dpa, beta)

Redaktoi: E. Xhani