1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritet numri i sulmeve ndaj forcave gjermane

14 Prill 2009

Ushtarët gjermanë bëhen sërish cak i atentateve

https://p.dw.com/p/HWZu
Ushtarë gjermanë në mision pranë qytetit afgan Kundus.Fotografi: picture-alliance/dpa

Seria e atentateve kundër ushtarëve gjermanë në Afganistan nuk ndërpritet. Të hënën (13.4) u sulmua me eksploziv një autokolonë. Më parë, kryengritësit hodhën granata kundër një baze ushtarake në Kundus. Ndërkohë, vrasja e një luftëtareje për të drejtat e grave ka shkaktuar zemërim.

Pashkët nuk kaluan në paqe për ushtarët e Bundesverit në Afganistanin verior. Të hënën në mëngjes (13.4), një autokolonë gjermane e trupës ndërkombëtare të paqes ISAF u bë objekt i një atentati me eksploziv, pak para qytetit Masar-i-Sharif. Bomba shpërtheu ndoshta në një automjet, i cili qe vendosur buzë rrugës.


Dy automjete të mbrojtura, të tipit Dingo, u dëmtuan nga shpërthimi. Të plagosur, sipas Bundesverit, nuk pati. Automjetet arritën të kthehen vetë në kampin fushor Marmal pranë Masar- i- Sharifit. Atje ndodhet rezidenca kryesore e komandës rajonale Veri të ISAF-it, nën drejtim gjerman. Pa pasoja serioze kaluan edhe sulmet me raketa ndaj bazës së Bundesverit Kundus të dielën e Pashkëve. Të pesë raketat, sipas Bundesverit, ranë jashtë kampit, të plagosur ose dëme materiale nuk pati.


Kundusi është vatër trazirash në veriun përndryshe të qetë të Afganistanit: atentati i së dielës (12.4) ishte i katërti brenda një jave. Kampi u godit pak pas largimit të kancelares gjermane të hënën e kaluar (06.04). Në veri të Afganistanit është stacionuar pjesa më e madhe e aktualisht 3600 ushtarëve gjermanë të Trupës Ndërkombëtare të Mbrojtjes, ISAF.


Taliban erschießen Frauenrechtlerin in Afghanistan
Luftëtarja gjermano-afgane për të drejtat e njeriut Sitara Achikzai.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara dënuan vrasjen e politikanes gjermano-afgane Sitara Achikzai në Kandahar. Një zëdhënëse e OKB-së në Kabul e karakterizoi këshilltaren e provincës si një grua të angazhuar dhe trime, e cila i shërbeu Afganistanit në njërin nga rajonet më të rrezikshme të tij. Për, citat - " vrasjen frikacake dhe të qëllimshme"- nuk ka asnjë justifikim.


Presidenti i Afganistanit, Hamid Karsai kërkoi sqarimin e aktit. Sitara Achikzai u vra të dielën (12.4) para shtëpisë së saj në qytetin Kandahar. Dorasit e dyshuar u larguan, aktin e morën përsipër Talibanët.


Në Kandahar dhe në provincën me të njëjtin emër në jug të vendit, kryengritësit radikalë islamikë kanë mbështetje të madhe. Feja puriste islame e talibanëve përzihet aty me përfytyrime të prapambetura të popullit. Veçanërisht patriarkët në fshatra nuk duan ta dorëzojnë pushtetin mbi gratë dhe vajzat.

Autor: Sabine Matthay / Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj