1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rritet ndjeshëm kërkesa për energji elektrike në Shqipëri

Rreshjet e dëborës dhe ngricat nga temperaturat e ulta në të gjithë territorin e Shqipërisë kanë rritur ndjeshëm kërkesën për energji elektrike. Në javët e fundit vendi është duke importuar energji nga tregu rajonal.

Stacion furnizimi me energji elektrike në Shqipëri

Stacion furnizimi me energji elektrike në Shqipëri

Sipas zyrtarëve të lartë të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, kontratat me furnizuesit e energjisë janë të sigurta deri në fund të muajit shkurt. Çmimi i blerjes aktualisht është 70-75 euro për megavat orë, por për marsin dhe në vijim mbetet e hapur kosto e importit. Duke qenë se të gjitha vendet e rajonit, ku më pak e ku më shumë kanë probleme me energjinë, atëherë dhe negociatat janë në kushte të disfavorshme për çmimin. Ajo që shpresojnë zyrtarët e energjisë në Shqipëri është shkrirja e dëborës nga përmirësimi i motit, gjë që do të ndikonte drejtëpërdrejtë në rritjen e prodhimit vendas dhe uljen e importit.

Kontrata afatgjatë për blerjen e energjisë

Gjergj Simaku, ekspert për energjinë elektrike dhe lektor Univeristeti në Tiranë

Gjergj Simaku, ekspert për energjinë elektrike dhe lektor Univeristeti në Tiranë

Gjergj Simaku, ekspert për energjinë dhe lektor në Universitetin “Polis” në Tiranë e përshkruan situatën si të komplikuar. Shqipëria sot realisht është në pozitën se nuk ka se ku të blejë energji megjithëse ka para, ndërkohë që nuk ka se ku të shesë kur ka energji me shumicë, thotë Simaku për DW.

“Pra jemi në një moment kur ne duhet të hyjmë si aktorë në tregun ballkanik. Qëllimi i një strategjie ose politike shtetërore do të ishte që të blemë në afat të gjatë bazën e sistemit. Që do të thotë të blemë një energji të caktuar me një kontratë afatgjatë, e cila të jetë konstante, që shpenzohet në cdo ditë të vitit dhe pastaj të hymë në treg duke e shitur energjinë në periudhën e pikut, të shesim atëherë kur duhet shitur dhe të blemë gjatë gjithë kohës”.

Gjergj Simaku mendon se i duhet dhënë fund praktikës kur blerjet bëhen në momente të vështira dhe kur cmimi është shumë më i lartë dhe që i kushton buxhetit dhe ekonomisë vendase. Sipas tij kjo është mungesë vizioni dhe mosmenaxhim i mirë i rezervave që ofron kaskada e hidrocentraleve në vend dhe gjithçka lidhet me modelin e tregut.

Nuk ka pse të hyjë shteti në modelin e tregut

“Modeli i tregut realisht sot në Shqipëri është i gabuar. Nuk ka arësye që kompania shpërndarëse ta blejë energjinë nga një kompani shtetërore dhe më pas t'jua shesë këtë konsumatorëve duke krijuar një zinxhir që nuk shpërthen dot. Sepse brenda ka interesa, sic mund të përmenden ujësjellësat ose entet buxhetore që nuk kanë mundësira për të paguar. Nuk ka pse të hyjë shteti në modelin e tregut sepse kjo krijon ngërç në likuiditete, për rastet kur konsumatorët nuk paguajnë. Dhe nga ngërçet lindin krizat.

Nëse në pjesën tjetër të rajonit periudhat e vështira zgjasin në një hark kohor të shkurtër, në Shqipëri nga fenomeni i moslikuiditetit nga ana e konsumatorëve vështirësitë janë prezente në mënyrë permanente. Nga bllokimi financiar bëhet joeficente dhe linjat e interkonjuksionit me vendet fqinje siç është ajo mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.”Për ekspertin Pajtim Bello, pjesmarrja e Shqipërisë në tregun rajonal energjitik është lidhur në mënyrë të ndërsjellë me cilësinë e performancës në tregun e brendshëm.

Vjedhjet dhe abuzimet e energjisë në Shqipëri më të lartat në rajon

Pajtim Bello, ekspert për energjinë elektrike në Shqipëri

Pajtim Bello, ekspert për energjinë elektrike në Shqipëri

“Një sistem energjitik që të jetë kompetitiv në tregun rajonal, të jetë i aftë të bashkëpunojë në çdo kohë me shtetet e tjera patjetër që duhet të ketë përputhshmëri mes kërkesës dhe ofertës në tregun e brendshëm. Kjo nuk ka ndodhur. Gjithashtu burimet e energjisë që ne kemi i përdorim në mënyrë joefiçente. Niveli i vjedhjeve dhe abuzimeve me energjinë në Shqipëri janë më të lartat në rajon. Shikoni, humbjet teknike dhe joteknike janë rreth 40 përqind dhe nëse nuk zgjidhet ky problem tregu vendas i energjisë mbetet i sëmurë".

Humbjet janë një pengesë për investime dhe për të rregulluar tregun. Nëse nuk ke një treg cilësor nuk ke se si të integrohesh, pasi je gjithmonë nevojtar dhe kërkon të marrësh duke prishur planet e të tjerëve, pa ju përgjigjur në rastet kur ata kanë nevojë për energji.” Paralelisht me mirëmenaxhimin e sistemit, thotë Bello për DW, Shqipëria duhet të çojë deri në fund ndërtimin e sistemeve të interkonjuksionit me vendet fqinje si një garanci se malli energji elektrike do të lëvizë në mënyrë të sigurtë në bazë të kërkesës dhe ofertës që ka secili shtet në periudha të caktuara kohore.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Mimoza Kelmendi