1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Rreziqet e spostimit të kufirit të Shengenit drejt Lindjes janë të konsiderueshme

Komentatorët e shtypit gjerman të së premtes ndalen në disa tema të politikës së jashtme si dhe në një bilanc të punës së koalicionit qeveritar në Gjermani.

Spostohet drejt lindjes kufirit i vendeve të Shengenit

Spostohet drejt lindjes kufirit i vendeve të Shengenit

VOLKSSTIMME që del në Magdeburg shkruan për zgjerimin e zonës së Shengenit me shtete të reja anëtare të BE, midis tyre edhe me Poloninë. Ky hap u shoqërua sot me protesta të 300 policëve gjermanë, të cilët besojnë se kushtet në vendin fqinj nuk janë përmirësuar në masën që lejon heqjen e kufijve:

"Ky është një fat për Gjermaninë, dëgjoje të shprehej me eufori në fillim të nëntorit ministri gjerman i punëve të brendshme, Volfgang Shojble. Ai kishte parasysh me këtë zgjerimin e zonës së Shengenit, midis të tjerëve edhe me Poloninë. Por policët federalë që demonstrojnë në Frankfurt mbi Oder besojnë se po u afrohet një fatkeqësi: që kriminaliteti dhe trafikimi i njerëzve do të rriten në një masë të konsiderueshme. Cila është e saktë? E vërteta është si shpesh diku në mes. Kufijtë e hapur janë pasoja logjike e zgjerimit të BE të vitit 2004. Por si atëherë, edhe tani shtrohet çështja e momentit të përshtatshëm. Rreziqet e spostimit të kufirit të Shengenit drejt Lindjes janë të konsiderueshme: azilkërkuesit mbërrijnë lehtë nga Gjermania në Poloni, rruga për indianët dhe kinezët shkurtohet në një masë të konsiderueshme. Të mbetet vetëm të shpresosh që Shojble të ketë të drejtë"

E të njëjtit mendim është edhe gazeta që del Straubing, LANDSHUTER ZEITUNG/STRAUBINGER TAGBLATT: "Pas përvojave të Perëndimit, duhet të pritet që pasojat kriminale të eleminimit - në thelb për t'u përshëndetur- të kontrolleve në Lindje të jenë fatale. Vagabondë të vegjël, tregtarë njerëzish, drogash dhe armësh si dhe terroristë do të futen më shumë në vend. Kjo edhe për faktin se policia federale dhe ajo e landit do të reduktohet në rajonet kufitare. Përse i injorojnë Shojble dhe kolegët e tij të landeve të gjitha paralajmërimet e ekspertëve të policisë? Nëse krimit i hapet në një anë dera dhe dritarja, ka pak kuptim që të kërkosh në anën tjetër ligje më të ashpra për mbrojtjen nga rreziqet. Ai që nevojitet është një koncept i përgjithshëm për sigurinë e brendshme"

Gazeta e Geras, OSTTHÜRINGER ZEITUNG shkruan për trajtimin e Pakistanit nga SHBA, pas legjitimimit në post nga gjykatësit pro tij të presidentit Musharaf: "Me pretendimet amerikane për demokracinë- të gjitha këto vështirë se pajtohen. Mbetet absurde që nga njëra anë Bushi predikon liri dhe demokraci dhe nga ana tjetër mbështet diktaturat ushtarake. Por për këtë kontradiktë në Uashington janë më se të ndërgjegjshëm. Kundërargumenti është: po të bien në duart e radikalëve islamikë armët atomike, situata do të ishte shumë më e keqe, se ajo me një regjim josimpatik, por të parashikueshëm në veprimet e tij."

Ndërrojmë temë: në gazetën e Hajdelbergut RHEIN-NECKAR-ZEITUNG lexojmë në ditën kur koalicioni i madh qeveritar në Gjermani arrin gjysmën e periudhës legjislative: "Koalicioni i Madh vërtet mund të festojë fundin e Pjesës së Parë, por ai në asnjë mënyrë nuk e ka kryer gjysmën e detyrave të tij. Këtë e shohin në të njëjtën mënyrë edhe zgjedhësit, të cilët vazhdojnë të refuzojnë t'ia japin qartë besimin e tyre një kampi partiak. Kjo nuk ndryshon as kur Merkeli, Becku dhe Shtajnmajeri demonstrojnë qartë mungesën e qejfit për të vepruar në një aleancë për hir të aleancës. Prandaj: edhe më tej kështu deri më 2009, por ndryshe."

Ja së fundi edhe mendimi i PFORZHEIMER ZEITUNG: "Pragmatizmi i Merkelit ka konsistuar deri tani në atë, që kërkesat e partnerit të koalicionit janë transformuar pa u shqetësuar dhe pa emocione në një masë të padëmshme për unionistët. Në kryerjen e kësaj pune ajo nuk ka shkëlqyer në mënyrë të veçantë. Por me siguri që ekzistojnë metoda më të këqia për të drejtuar një koalicion të madh qeveritar, në të cilin partnerët e ruajnë njëri tjetrin si qentë në zinxhir, sepse asnjëri nuk dëshiron që tjetri të arrijë sukses te zgjedhësit."

  • Data 23.11.2007
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CSOS
  • Data 23.11.2007
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CSOS