1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Rreziku i një shkallëzimi të ri"

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin po nxit riorganizimin e Sirisë. Në intervistë me DW, ekspertja e Sirisë, Muriel Asseburg është skeptike për shanset e suksesit.

Deutsche Welle: Presidenti rus Vladimir Putin thotë se angazhimi ushtarak në Siri "po i afrohet fundit". A do të thotë kjo edhe një fund i luftës civile në Siri?

Unë nuk shoh një fund të luftës civile. Presidenti Putin përpiqet ta kthejë dominancën ushtarake, politike dhe diplomatike, që ka arritur Rusia në Siri, në një rregullim të konfliktit. Por kjo ka gjasa që nuk do të thotë se luftimet me të vërtetë kanë marrë fund.  Kundër kësaj ka shumë interesa ushtarake, të cilat duan t'i zbatojnë si regjimi, ashtu edhe aktorë të tjerë rajonalë.

Vladimir Putini dëshiron të bëjë "procese politike". Çfarë kupton ai me këtë?

Në kuadër të "procesit të Astanas", të cilin ai e krijoi në fillim të vitit me pjesëmarrjen e Turqisë dhe të Iranit kanë dalë katër të ashtuquajtura "zona deeskalimi". Në këto rajone bëhen përpjekje që përmes armëpushimeve midis regjimit dhe kryengritësve të qetësohet gjendja, e lidhur me shpresën se armëpushime të tilla do të zgjerohen në të gjithë vendin.

Me "Kongresin e popujve sirianë" ai dëshiron më tej që të nisë një dialog kombëtar. Në këtë format ekziston dëshira që të afrohen me njëri-tjetrin si grupe opozitare, ashtu edhe grupe të afërta me regjimin. Por megjithatë duhet thënë se për grupe të tilla që u përmendën atje nuk ka dëgjuar askush.

A ndodhet Siria në rrugën e demokracisë?

Për demokraci as që mund të bëhet fjalë, Rusia përpiqet megjithatë të fitojë legjitimitetin më të madh përmes qetësimit të konfliktit. Prandaj duhet të respektohen procedura të caktuara.  Duhet të ketë një kushtetutë, duhet të ketë edhe zgjedhje. Nëse këto zgjedhje do të jenë në përputhje me standardet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për këtë mund të dyshohet shumë. Unë besoj se nuk do të kemi as zgjedhje të lira dhe korrekte nën vëzhgim ndërkombëtar, dhe as që do të marrë pjesë në to diaspora.

Dr. Muriel Asseburg (SWP)

Ekspertja Muriel Asseburg

Legjitimin e këtij plani e mundëson edhe rakordimi me partnerët ndërkombëtarë. Presidenti Putin telefonon të martën pasdite me Presidentin Trump, të mërkurën ai do të takohet me Presidentin turk Rexhep Tayyip Erdogan dhe me Presidentin e Iranit Hassan Rohani. A është Vladimir Putini faktori i ri i paqes në rajon?

Unë besoj me të vërtetë se Putinit i pëlqen të paraqitet si faktor paqeje në këtë situatë dhe se dëshiron të kontribuojë vërtet që ky konflikt të paqëtohet tani. Por unë jam shumë skeptike, që do të ketë sukses në këtë përpjekje. Perceptimi te fuqitë rajonale, që ndodhemi në fazën e fundit të konfliktit, ka bërë që ato të përpiqen gjithnjë e më fort t'i imponojnë me mjete ushtarake interesat e tyre. Unë madje shoh rrezikun e një shkallëzimi të ri të situatës.

Regjimi sirian ka bërë të ditur për shembull se dëshiron të rimarrë Rakkan dhe provincën Idlib. Edhe Turqia do të përpiqet që të pengojë që në veri të Sirisë të ekzistojë një zonë e pandërprerë autonome kurde. Edhe Izraeli do të përpiqet që të kufizojë praninë e Hizbollave të mbështetur nga Irani në zonën kufitare me Izraelin.

 

Muriel Asseburg punon për Fondacionin Shkenca dhe Politika në Berlin. Fokusi i punës së saj është Lindja e Afërt dhe e Mesme.