1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rrezikoi shumë dhe fitoi

Ai ia doli mbanë. Ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz është kryetari i ri i partisë konservatore austriake ÖVP. Para zgjedhjeve, Kurzi i pati vënë partisë shumë kushte, të cilat u pranuan.

Sebastian Kurz

Sebastian Kurz

Në Austri, kryesia e Partisë konservatore austriake ÖVP e zgjodhi njëzëri Sebastian Kurzin kryetar të ri të partisë. Më parë, ministri i Jashtëm austriak pati paraqitur shtatë kushte, para pranimit të kryesisë së partisë. Në to bën pjesë edhe kërkesa e tij për të kandiduar me një listë të vetën në zgjedhje. Ajo do të quhet "Lista Sebastian Kurz - partia e re popullore"

Veç kësaj ai kishte lënë të kuptohet se do ta merrte postin e ri të shefit, vetëm nëse partia do të mbështeste mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe do t'ia mundësojë atij që të përcaktojë "linjën përmbajtësore" dhe të emërojë personelin.

"Shpresoj që kjo ofertë të pranohet"

Veprimi i parë që do të bëjë 30 vjeçari është që t'i japë fund para kohe koalicionit të socialdemokratëve të SPÖ dhe të ÖVP. Ai synon që vendimi për këtë të merret së bashku me SPÖ-në, tha Kurz. Kohën deri në verë ai do ta përdorë për të vënë në jetë plane të përbashkëta. "Shpresoj shumë që kjo ofertë të pranohet".

Stephansdom in Wien

Kurz dëshiron që zgjedhjet e reja të mbahen në fillim të vjeshtës. Për këtë, një shumicë e parlamentit duhet të marrë një vendim përkatës. Data për zgjedhjet e reja të rregullta do të ishte vitin e ardhshëm. Kancelari federal dhe shefi i SPÖ-së, Christian Kern paralajmëroi të dielën edhe njëherë për pasojat e shpërbërjes së koalicionit qeveritar. Me këtë, u shtrohet qilimi i kuq populistëve të FPÖ-së, të cilët kanë mbështetje të madhe në sondazhe, tha 51 vjeçari në televizionin austriak ORF. "Pasojat do të jenë të konsiderueshme".

Aleanca kuq-e zi e qeveris Austrinë që prej fundit të 2013-ës. Bashkëpunimi i dy partisë popullore u shoqërua me mosmarrëveshje të vazhdueshme dhe me fajësime reciproke. Në këtë kuadër, në janar 2017 kancelari Christian Kern i kërkoi në mënyrë ultimative ÖVP që të bashkëpunojë më mirë dhe e kërcënoi këtë parti nga ana e tij me fundin e koalicionit të përbashkët.