1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rrezikohet shtyrja e protokollit të Kiotos në Doha

Në konferencën dyjavore të OKB-së që nisi punimet në Doha do të diskutohet zgjatja e protokollit të Kiotos. Po shpresat për suksesin e punimeve janë të pakta. Dështimi do të ishte fatal thonë ekspertët.

Hapja e konferencës në Doha

Hapja e konferencës në Doha

Që para dy vitesh bashkësia ndërkombëtare vendosi në konferencën ndërkombëtare në Kankun reduktimin e ngrohjes globale me 2 gradë. Një reduktim i tillë me 2 gradë konsiderohet i pranueshëm dhe jo tërësisht kundër qëllimit që bota i vuri vetes duke e fiksuar edhe në konventën e Kombeve të Bashkuara për klimën: "Të pengohet shkatërrimi nga dora e njeriut i sistemit klimaterik me pasoja të rrezikshme".

Qëllimi: Shtyrje e Kiotos deri në vitin 2020

Prandaj Kombet e Bashkuara kanë ftuar edhe njëherë nga e Hëna (26.11)ekspertë e politikanë nga 190 vende të botës në Doha, Katar për të diskutuar për klimën. Por askush nuk pret përmbylljen me sukses të punimeve në Doha. Ajo që do të diskutohet kryesisht është se nën çfarë kushtesh do të mund të shtyhet protokolli i Kiotos. Këtë vit skadon afati i Kiotos, marrëveshja e vetme botërore për klimën e miratuar në vitin 1997 dhe që përmban detyrime të caktuara për bashkësinë ndërkombëtare për të reduktuar emisionin e gazrave ndotës.

Me qëllim që të mos krijohet boshllëk ligjor, shtetet e BE-së, por edhe dhjetë shtete të tjera janë të angazhuara që së paku të mundësohet shtyrja e jetëgjatësisë së protokollit të Kiotos, përmes një faze të ndërmjetne me deri në dhjetë vjet. Ottmar Edenhofer kryeekonomist i Institutit të Potsdamit për Pasojat e Ndryshimit Klimaterik nuk beson në një sukses të negociatave në Doha. "Unë e perceptoj situatën aktuale të negociimit si një udhëkryq pa rrugëdalje", është shprehur Edenhofer për Deutsche Wellen. Në rast se Kioto dështon, ky do të ishte një sinjal fatal, paralajmërojnë aktivistët e mjedisit dhe politikanët.

Sfida 7 bilionëshe e klimës - Pllakat në Doha

Sfida 7 bilionëshe e klimës - Pllakat në Doha

Radhën e kanë vendet në zhvillim

Ajo që pritet kryesisht në Doha janë premtime konkrete për klimën nga vendet në zhvillim. Rreth 100 vende në botë ende nuk kanë bërë deklarata konkrete për mbrojtjen e klimës ndër to edhe Filipinet dhe Tajlanda, apo vende të tjera të botës arabe, si Arabia Saudite apo vetë mikpritësi, Katari, shprehet Sven Harmeling nga organizata e mjedisit "German Watch". Ndërsa dy mëkatarët më të mëdhenj të ndotjes së mjedisit, SHBA dhe Kina nuk i nënshtrohen deri më taniu detyrimeve konkrete për klimën që dalin nga protokolli i Kiotos.

Në Doha debatohet edhe për financimin e kostove që lidhen me ngrohjen globale. Deri në vitin 2020 shtetet e prekura më së shumti nga ndryshimi i klimës do të duhet të marrin deri në 100 miliardë dollarë ndihma. Por ende nuk dihet se nga do të vijë ky financim.