1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rrezik prej islamistëve në Bosnjë?

Në fund të muajit tetor, ambasada amerikane në Sarajevë u qëllua nga një ekstremist që mendohet të jetë i drejtimit vehabist. Islamizmi në Bosnjë- Hercegovinë ka traditë tolerance.

Bajram në Bijeljina në Bosnie Herzegovinë

Bajram në Bijeljina në Bosnie Herzegovinë

Muslimanët boshnjakë janë konsideruar nga njohësit e fesë islame si liberalë, tolerantë dhe kozmopolitë. Shumica janë myslimanë sunitë dhe i përkasin shkollës hanefite, e cila konsiderohet si veçanërisht e hapur dhe e gatshme për dialog. Në Bosnje ka një traditë shekullore të jetës multikonfesionale. Popullsia muslimane ka jetuar nën sundimin osman në fqinjësi të mirë me të krishterët katolikë dhe ortodoksë, si dhe hebrejtë sefardë. Që nga fundi i shekullit të 19-të islami në Bosnjë ka qenë nën ndikimin e administrimit tolerant të monarkisë dyfishe Austro-Hungareze katolike.

Mustafa Klanco, prej shumë vjetësh kryeimam i boshnjakëve në Gjermani, shpjegon: "Myslimanët boshnjakë kanë gjetur një model për mënyrën, se si ata mund të mbajnë fenë e tyre, kulturën e tyre dhe traditat. Ata kanë zbuluar, se si ta jetojnë besimin e tyre në një shtet laik." Kështu vehabizmi, një rrymë konservatore-dogmatike e sunizmit, që mbizotëron në Arabinë Saudite, nuk ka patur kurrë rrënjë në Bosnje.

Bajram në Bosnie Herzegovinë

Bajram në Bosnie Herzegovinë

Me luftën në Bosnje-Hercegovinë në fillim të viteve nëntëdhjetë, pati një zhvillim të ri. Nën përshtypjen e persekutimit dhe të rrethimit tek disa boshnjakë filloi procesi i radikalizimit. Në të njëjtën kohë filloi ardhja e muslimanëve fundamentalistë nga jashtë. Në atë kohë rreth 2.000 luftëtarë nga vende të ndryshme arabe erdhën në Bosnjë, mes tyre edhe të tillë me lidhje me Osama bin Laden. Pas marrëveshjes së paqes së Dejtonit të dimrit të vitit 1995 dhe përfundimit të luftës, disa prej këtyre islamistëve vendosën të qëndrojnë në Bosnjë dhe morën pasaporta boshnjake. Ata rekrutuan të rinj si pasardhës, me ndihmën e fondacioneve saudite ngritën xhami të reja dhe iu përkushtuan përhapjes së rrymës vehabite të Islamit. Si qendra të fundamentalistëve sot konsiderohen disa fshatra në lindje të Bosnjës dhe xhamia e mbretit Fahd në Sarajevë, e ngritur me paratë e Arabisë Saudite.

Vehabitët – një lëvizje politike

Vehabizmi ose salafizmi, sipas Reshid Hafizovic nga fakulteti i Shkencave Islame në Sarajevë, është në thelb e njëjta gjë, karakterizohet nga një interpretim shumë i ngurtë dhe konservator i Kuranit dhe angazhohet për zbatimin konsekuent të ligjit të sheriatit islam tradicional. Megjithatë thotë Hafizovic, "ata, që e quajnë veten sot në Bosnjë dhe Hercegovinë salafistë apo vahabitë, janë shumë militantë dhe mbrojnë vlera, që nuk kanë të bëjnë aspak me islamin." Studjuesi i fesë islame nga Sarajeva është i shqetësuar për ndikimin e tyre, sepse "ata nuk janë aq shumë një lëvizje fetare se sa një lëvizje politike."

Se sa vehabitë janë në mesin e rreth 2.5 milionë myslimanëve në Bosnje-Hercegovinë, për këtë nuk ka shifra zyrtare. Ministri i Brendshëm Ahmetovic, tha kohët e fundit, se nuk janë "më shumë se 5.000." Organizata zyrtare si klube, shoqata, apo parti politike ato nuk kanë, dhe rrallë ndodh që vehabitët të dalin me aktivitete publike. Ata preferojnë të komunikojnë me publikun përmes portaleve të tyre të internetit. Brenda komuniteteve të tyre të mbyllura vehabitët janë shumë aktivë, mbahen leksione të shumta për "besimin e vërtetë", për "mësimet e vërteta të Kuranit" dhe për "rrugën e drejtë islame."

Xhami dhe kishë në Haxhici, në Bosnie Herzegovinë

Xhami dhe kishë në Haxhici, në Bosnie Herzegovinë

Rrjet ndërkombëtar

Këtu konvertohen edhe ithtarë të rinj, megjithatë jo vetëm përmes forcës së bindjeve spirituale. Në shtypin boshnjak është shkruar disa herë për stimuj financiarë për të konvertuarit në vehabizëm. Kështu portali i internetit "Vesti," pohon se disa vehabitë të rinj marrin 400 dollarë amerikanë në muaj, për të kaluar në këtë rrymë radikale të Islamit dhe për respektuar një kod të rreptë veshjeje. Paratë, kjo është bindja e përhapur në Bosnjë, vijnë nga Arabia Saudite.

Të njohura janë edhe kontaktet e vehabitëve boshnjakë me fqinjët e afërt, për shembull në rajonin e Sanxhakut në Serbi. Këtu jetojnë shumë pjesëtarë të pakicës boshnjake, islamistët radikalë janë atje shumë aktivë. Edhe sulmuesi i Sarajevës vinte nga kjo zonë. Kontakte të ngushta duhet të ekzistojnë me islamistët në Austri dhe Gjermani. Xhamia e Vjenës "Sahab", konsiderohet si qendër e ekstremistëve me prejardhje nga Bosnja, për salafistët gjermanë të shoqatës "Ftesë për në parajsë" thuhet se kanë lidhje me vehabistët boshnjakë.

Muslimanët liberalë si të "pafe"

Edhe pse ndonjëherë kërcënimi nga "luftëtarët e shenjtë në Ballkan" mund të duket i ekzagjeruar, kërcënimi i islamizmit militant në Bosnje-Hercegovinë nuk mund të injorohet. Rasti i 23-vjeçarit Mevlit Jasarevic, që në fund të tetorit të këtij viti qëlloi me kallashnikov në ambasadën amerikane në Sarajevë duke plagosur rëndë një polic, nuk është i vetëm. Në qershor të vitit të kaluar jashtë stacionit të policisë në qytetin e vogël të Bugojno në Bosnjen qendrore shpërtheu një bombë, një oficer i policisë vdiq dhe gjashtë të tjerë u plagosën rëndë. Haris Çausheviç u arrestua si autor, një vehabist nga rrethinat.

Kontroll i policisë në Bosnie Herzegovinë kundër islamistëve ekstremistë

Kontroll i policisë në Bosnie Herzegovinë kundër islamistëve ekstremistë

Dhe në një raport të brendshëm të NATO-s të vitit 2009, në lidhje me rrezikun e islamikëve në Evropë, përmendet grupi aktiv në Bosnje "Rinia Aktive Islamike" (AIO) i financuar ndër të tjera prej Arabisë Saudite dhe Iranit: "Muxhahedinët me shtetësi boshnjake trajnojnë anëtarë të AIO në vrasje, (në prerje fyti), në teknikat terroriste dhe përdorimin e eksplozivëve", thuhet në studim. Përveç potencialit militant të vehabitëve të Bosnjes arsye për shqetësim është se ata nuk konsiderojnë armiq vetëm besimtarët e feve të tjera, apo ateistët. Edhe muslimanët liberalë në Bosnje konsiderohen "të pafetë", dhe në veçanti imamët boshnjakë, të cilët predikojnë tolerancë në marrëdhëniet me të krishterët.

Autor: Zoran Arbutina/Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama