1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rrezik për paqen - Izraeli nuk ndryshon politikën e ngulimeve

Përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për afrimin e Izraelit dhe palestinezëve në tryezën e bisedimeve të paqes goditen rishtazi. Izraeli nuk heq dorë nga politika e ngulimeve të reja, megjithë kritikat ndërkombëtare.

Muri i madh ndarës

Muri i madh ndarës

Izraeli hedh poshtë akuzat e kritikëve të tij dhe aleatëve se me vazhdimin e ndërtimit të ngulimeve të reja në pjesën lindore arabe të Jeruzalemit po saboton përpjekjet për paqen me palestinezët.

Vendimin për ndërtimin e 1.100 apartamenteve në zonën Gilo, të cilën Izraeli e konsideron si  pjesë të kryeqytetit Jeruzalem, shteti izraelit e mori  në pikun e përpjekjeve ndërkombëtare për riaktivizimin e procesit të paqes në Lindjen e Afërt. Gilo, nuk është një ngulim dhe as post i jashtëm, ka bërë të ditur një zëdhënës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu. Bëhet fjalë për një zonë banimi në qendër të Jeruzalemit, i cili në çdo plan paqeje të 18 viteve të fundit, është vendosur të jetë pjesë e kryeqytetit.

Bilin

Bilin

Izraeli: Palestinezët gjejnë preteskte të mos hyjnë në negociata

Kështu Izraeli argumenton se plani i ndërtimeve nuk bie ndesh me përpjekjet e qeverisë së tij për paqen mbi bazën e zgjidhjes me dy shtete. Ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Ron Prosor tha: "Jeruzalemi, nëse mund të them kështu, ishte kryeqyteti i hebrenjve, në një kohë kur Londra ishte moçal. Kështu çdo gjë është në tryezën e bisedimeve, çdo gjë është e negociueshme, por unë dëgjoj që palestinezët përdorin çdo lloj preteksti për të gjetur një argument që të mos hyjnë në negociata."

Presidenti palestinez Mahmud Abas ka vënë si kusht për fillimin e bisedimeve ndalimin e ndërtimeve në zonat e pushtuara. Ndërsa Izraeli kërkon fillimin e bisedimeve pa asnjë kusht.

Palestinezët: Ata nuk janë të interesuar të negociojnë me ne

Përfaqësuesi palestinez në Kombet e Bashkuara, Riad Mansur e kritikoi qëndrimin izraelit duke e quajtur atë një "veprim provokativ dhe ilegal":  "Ata japin 1.100 përgjigje për t'i thënë "jo" komunitetit ndërkombëtar për të hapur rrugën e bisedimeve, dhe mendoj se kjo thotë qartë se ata nuk janë të interesuar të negociojnë me ne."

Rripi i Gazës

Rripi i Gazës

SHBA, vendet evropiane, po ashtu edhe shtetet arabe i tremben një komplikimi të ri të përpjekjeve ndërkombëtare për fillimin e bisedimeve të paqes të ngrira prej një viti. Ministri i Jashtëm egjiptian Mohamed Amr, pas një takimi me ministren e Jashtme amerikane, Hillary Clinton kritikoi politikën e ndërtimeve të Izraelit dhe kërkoi fillimin e bisedimeve të paqes me një plan të qartë kohor.

Kërkesa palestineze i dërgohet një komisioni të posaçëm

Ndërkohë kërkesa e palestinezëve për një shtet palestinez me kryeqytet Jeruzalemin lindor ka kaluar një pengesë tjetër. Këshilli i Sigurimit e mori në dorëzim kërkesën të mërkurën (27.09) por ia nisi atë menjëherë një komisioni të posaçëm. Përfaqësuesi palestinez në Kombet e Bashkuara, Riad Mansur megjithatë e përshëndeti këtë vendim.

Autor: dpa/Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti