1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rrezik epidemish në Filipine

Mijëra vetë po presin për ushqim, ujë të pijshëm dhe ilaçe në Filipine. Nga ndotja e ujit të pijshëm kërcënon përhapja e sëmundjeve.

Rrugë të shkatërruara, gërmadha ndërtesash dhe trupa pa jetë njerëzish dhe kafshësh që kanë nisur të kalben. "Duket sikur sapo ka mbaruar ndonjë luftë," thotë Andreas Schultz duke përshkruar situatën në Filipine pas taifunit "Haiyan". Andreas Schultz është drejtori i shoqatës Mjekët e kësaj Bote, e cila ka dërguar tashmë ekipin e saj të dytë në kryeqytetin e vendit, Manila. Ky ekip do të kujdeset së bashku me kolegët filipinas për të plagosurit në arkipelagun Visayas.

Dr. Andreas Schultz

Dr. Andreas Schultz

"Tani për tani problemi më i madh është që të depërtosh në zonat ku ka nevojë," thotë Schultz në bisedë me DW. Infrastruktura është pothuajse plotësisht e shkatërruar nga taifuni. Stafit të tij iu desh vetëm për një rrugë nga aeroporti i Taclobanit deri në qytet katër orë - kjo rrugë zakonisht bëhet për 20 minuta.

Uji i pijshëm vatër për mikrobet

Për shkak të mbeturinave, kadavrave dhe fekaleve të shpërndara kudo ka rrezik që të infektohet uji i pijshëm dhe të kthehet në vatër për mikrobet që mund të përhapet me shpejtësi. Christina Frank nga Instituti Robert Koch mendon madje se rreziku kryesor nuk janë kufomat, por fekalet.

Tajfuni ka shkatërruar edhe puset dhe kanalizimet dhe janë përzier kanalet e ujit të pijshëm me kanalet e ujërave të zeza. "Prej kësaj ekziston rreziku i përhapjes së diarresë por edhe i sëmundjeve të rrezikshme infektive si leptospirosis, hepatiti A dhe E, të cilat mund të transmetohen përmes fekaleve. Rrezik ka edhe sepse plagët mund të infektohen lehtë nëpërmjet kontaktit me ujë të kontaminuar dhe me papastërti." - sqaron ekspertja.

"Po ashtu insektet mund të çojnë edhe në përhapjen e sëmundjeve të tilla si malarja apo ethet tropikale" - sqaron Christian Meyer nga Instituti Bernhard-Nocht. Problem përbën edhe përhapja e kolerës apo e tifos. Të gjitha këto mund të çojnë në përhapje epidemish.

Jo vetëm medikamente, por edhe ujë i pishëm

Sëmundjet bakteriale, si infeksionet e plagëve, mund të mjekohen relativisht lehtë me antibiotikë. Prandaj Christina Frank mendon se duhen vënë shpejt në dispozicion medikamente të tilla. Po ashtu ajo mendon se duhen vënë në dispozicion edhe vaksina kundër tetanozit. Por më e rëndësishme, është që njerëzit të kenë në dispozicon ujë të pijshëm dhe ushqime të pastra. Po ashtu duhen ngritur sa më parë nevojtore dhe kanalizime për të parandaluar më tej që ujërat e zeza të ndotin ujin e pijshëm.