1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rrethohet i dyshuari për vrasje në Francë

Policia franceze me sa duket e ka rrethuar burrin, i cili vrau të hënën (19.3.) me armë zjarri një mësues dhe tre fëmijë në një shkollë hebraike në Tuluzë. Ai thuhet të jetë përgjegjës edhe për vrasjen e tre ushtarëve.

Policia

Policia franceze në aksion

Policia me sa duket ia ka dalë më në fund të zbulojë armikun numër 1 të shtetit francez, burrin me motoçikletë, i cili fshihet pas atentateve me pasojë shtatë të vrarë. Prej orës tre të mëngjesit në Tuluzë po zhvillohet një aksion policor i përmasave të mëdha. Në një zonë banimi të qetë në kodrat e Tluzës është fshehur një i ri, i cili me shumë gjasa është atentatori. Ai ka hapur menjëherë zjarr mbi policinë, kur kjo iu afrua shtëpisë së tij. Mirëpo, pas të shtënave ai nisi të fliste me forcat e njësive speciale. Ministri i Brendshëm francez, Claude Guéant, i cili gjendet në vendin e ngjarjes, shprehet në lidhje me përmbajtjen e bisedave: „Që nga ai moment burri flet shumë. Ai thotë se është muxhahedin dhe se bën pjesë në Al Kaida. Ai do gjithashtu të marrë hak për fëmijë palestinezë dhe për angazhimin e ushtrisë franceze jashtë vendit.“

Vetura policie

Forca të mëdha policie

I dyshuari i armatosur

I dyshuari është 24 vjeç dhe ka në zotërim armë të rënda. Ai është shtetas francez nga Tuluza. Me sa duket ai ka qenë i njohur për policinë, sepse ka qëndruar në hapësirën arabe. Ministri i Brendshëm Guéant: „Ky burrë ka qenë më parë në Afganistan dhe në Pakistan. Përveç kësaj ai ka pasur kontakte me salafistët.“

Për njësinë speciale kjo ishte një natë plot ngjarje. Fillimisht mbi të u shti, këtu u plagosën dy policë. Më pas ata hynë në negociata me atentatorin e supozuar. Punonjësit e policisë u përpoqën të bindnin për bashkëpunim edhe të ëmën e burrit, e cila banon gjithashtu në Tuluzë. Mirëpo, kjo refuzoi, thotë Ministri i Brendshëm Guéant: „Ne e sollën nënën në vendin e operacionit dhe iu lutëm, të vendoste kontakt me të birin. Ajo tha se nuk kishte kurrfarë ndikimi mbi të.“

Varrimi i viktimave në Tuluzë

Varrimi i viktimave në Tuluzë

Kësisoj forcat policore vazhdojnë të negociojnë me burrin e armatosur. Për siguri, në zonën e banimit u ndërpre furnizimi me gaz, pasi policia druan, që burri mund të aktivizojë një bombë për të shkaktuar më shumë viktima. Sidoqoftë, duhet të jetë fjala vetëm për çështje orësh derisa burri të jetë arrestuar.

Autor: Daniela Kehls/Elert Ajazaj

Redaktoi: Bahri Cani