1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rrethimi i Sirtes në Libi po ngushtohet

Çmimi për rrëzimin e diktatorit Gaddafi është i lartë. 50.000 vetë thuhet se janë vrarë në luftë kundër regjimit të pushtetmbajtësit libian. Ndërkohë, i biri i Gaddafit, As-Saadi po zhvillon negociata me kryengritësit.

Kryengritësit rrugës për në Sirte

Kryengritësit rrugës për në Sirte

Këshilli tranzitor i kryengritësve u ka vendosur luftëtarëve në qytetin Sirte një ultimatum deri të shtunën (03.08.) Po të mos i dorëzojnë armët deri atëherë, kryengritësit do ta sulmojnë qytetin. Kryengritësi Taleb pret rreth 30 km larg qytetit marrjen e një vendimi:

"Ne do të vazhdojmë marshimin drejt qytetit, po nuk do të futemi brenda se ende situata nuk është e sigurt. Po zhvillohen ende negociata midis kryetarëve të fiseve dhe udhëheqësve tanë. Ne presim urdhra. Po të na urdhërojnë, sigurisht që do të futemi. Po të mos marrim urdhra, në radhë të parë do të sigurojmë vijën tonë të mbrojtjes."

Vendndodhja e Gaddafit e paqartë

Me këmbëngulje vazhdon të përhapet fjala se vetë Gaddafi ndodhet në qytetin e tij të lindjes; lajme të tjera flasin për qytetin Beni Walid, në juglindje të Tripolit, ku Gaddafi ka gjithashtu një mbështetje të gjerë. Zëdhënësi i kryengritësve, Al Ameen Bolhaj e paraqet jo shumë të rëndësishëm një arrestim të mundshëm të Gaddafit:

"Të gjithë libianët shpresojnë që ta arrestojnë sa më shpejt që të jetë e mundur Gaddafin. Por ky nuk është synimi ynë i parë, ne nuk jemi të fiksuar në kapjen e tij. Ne duam të ndërtojmë një Libi të re."

Organizata e Ndihmës së emergjencës Mjekë pa Kufij ka shpallur alarm për shkak të gjendjes së keqe të furnizimit të migrantëve në Tripoli. Qindra refugjatë nga shtete afrikane presin ndihmë në dy kampe provizore pa furnizim të mjaftueshëm mjekësor. Në një garnizon të braktisur ushtarak në Tripoli, rreth 1000 vetë nga Somalia, Sudani dhe vende të tjera jetojnë në kushte çnjerëzore në çadra dhe barraka druri, pasi janë arratisur nga zonat e luftimeve.

Gjendje e rëndë e migrantëve

Shumë nga njerëzit vuajnë nga infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, nga sëmundjet e lëkurës dhe ato të aparatit të tretjes, tha një zëdhënës i organizatës. Migrantët flasin veç kësaj për urrejtje dhe dhunë, me të cilat i pret populli në Libi. Ahmed Hussein është nga Sudani:

"Shumë njerëz janë të armatosur dhe na sulmojnë. Çdo i zi sulmohet, sepse besojnë që ne i përkasim regjimit të vjetër. Prandaj unë jam fshehur këtu, kam frikë, nuk jam i sigurtë askund dhe prandaj kam ardhur këtu."

Dhe një burrë nga Nigeria plotëson:

"Po të dalësh në rrugë, njerëzit të ndalojnë dhe thonë se ke luftuar për Gaddafin. Unë nuk jam luftëtar, prandaj jam fshehur këtu me gruan time, pa para, për të blerë ushqime. Ju lutem, kam nevojë për ndihmën tuaj."

Autor: Michael Ehl/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj


 

DW.COM