1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rregullimi i tregjeve i vështirë

Katër vjet pas shpërthimit të krizës ekonomiko-financiare bankave u duhet të konstatojnë që kërkesat e rritura për pajisje me kapital dhe menaxhimi i rrezikut kanë çmimin e tyre

Veçanërisht i kënaqur nuk dukej shefi i kryesisë së bankës Deutsche Bank kur paraqiti së fundmi bilancin aktual. "Sipas gjasave, bankat e investimeve nuk do t'i arrijnë për një kohë të caktuar as në një mjedis tregu më të mirë  nivelet e fitimit të kohërave të mëparshme rekord", parashikoi Josef Ackermann për sektorin e vet.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Reforma e tregjeve financiare, siç u paralajmërua me gojën plot prej politikanëve në kulmin e krizës ekonomiko-financiare, gjendet ende në hapat e parë. Këtë e pranon hapur edhe qeveria gjermane. "Mund të thuhet që në disa pika kemi nxjerrë mësime, kemi qasje. Mirëpo, jemi ende larg pasjes së një përgatitjeje, që kriza si në 2008/2009 të mos krijohen më“, tha kancelarja gjermane Angela Merkel pas një takimi me Komisionin e Ekspertëve "Arkitektura Financiare e Re" në Berlin. Merkel e pati ngarkuar komisionin nën drejtimin e ish-presidentit të ECB-së [Bankës Qendrore Evropiane] Ottmar Issing në 20008-n me hartimin e propozimeve për reforma.

Raporti final i Komisionit Issing gati

Me raportin e tij të pestë Komisioni Issing e mbyll tani punën e vet. Për Merkelin ky është një rast për të bërë një bilanc. Tani, në teori, pyetja si duhen reformuar tregjet financiare është depërtuar. Ndërkohë që shpejtësia e rregullimit, përcaktimi i normave ligjore, lë për të dëshiruar, thotë kancelarja. Te G20-a, njëzet vendet e industrializuara dhe në industrializim e sipër më të rëndësishme, ka "njëfarë rezerve" në dorëzimin e sovranitetit kombëtar në favor të organizatave ndërkombëtare, thotë Merkel.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Mirëpo, ky nuk është problemi më i madh. Ky gjendet më tepër në strukturën e tregjeve financiare, në të cilat të ashtuquajturat banka informale luajnë një rol të rëndësishëm. Këtu bëhet fjalë për sipërmarrje, që kryejnë punë financiare si një bankë, mirëpo nuk kontrollohen prej mbikëqyrjes financiare si një institut kredie i rregullt. Këtu bëjnë pjesë edhe hedge fondet, investuesit financiarë privatë dhe të ashtuquajturat shoqëri me qëllim të posaçëm (te të cilat bankat zhvendosin biznese të rrezikshme, që atyre vetë nuk u lejohet t'i bëjnë). Sipas përllogaritjeve sektori i bankave informale arrin 60 bilionë dollarë, prej të cilave një pjesë e konsiderueshme xhirohet në Londër.

Ndriçim i pjesës së errët

Së afërmi kancelarja Merkel deklaroi në forumin ekonomik botëror në Davos, se rregullimi i bankave informale do të kërkojë me gjasa edhe dy vjet. Ndoshta kjo përllogaritje është optimiste. Sidoqoftë, raporti i pestë i Komisionit të Ekspertëve "Arkitektura Financiare e Re" flet me zë të ulët, duke kërkuar në një hap të parë vetëm një rregullim të tërthortë të sektorit. Ky rregullim mund të ketë këtë trajtë, thotë komisioni: Të gjitha kontaktet e sektorit bankar zyrtar me atë informal t'i nënshtrohen mbikëqyrjes, në mënyrë që të ketë transparencë.

Autorë: Sabine Kinkartz / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti