1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europäisches Rating

2 Qershor 2010

Komisioni i BE-së propozon një kontroll më të rreptë në të ardhmen të agjencive të vlerësimit të riskut të kredisë. Për këtë duhet të ngrihet një autoritet i ri, i cili do t'i kontrollojë me kujdes e imtësi këto kompani.

https://p.dw.com/p/Nfz1
Moodys, Fitch dhe Standard & Poors nën kritikë për shkak të vlerësimeve të gabuara.
Fotografi: DW

Autoriteti evropian për mbikqyrjen e letrave me vlerë, shkurt ESMA, duhet të themelohet deri në fund të vitit. Krahas detyrave të tjera ai duhet të kontrollojë më imtësisht agjencitë amerikane të vlerësimit të riskut. Vlerësimi i letrave me vlerë nga agjencitë është një fenomen global dhe shfrytëzohet në gjithë Evropën, thuhet në një propozim rregullativ të Komisionit të BE-së. Për këtë arsye agjencitë duhet të mbikqyren nga një autoritet qendror.

Dobësim i mbikqyrjes në plan kombëtar

Fitch Ratings New York
Fotografi: DW / Sonja Kanikova

Por disa qeveri të vendeve anëtare të BE-së, ndër to edhe Gjermania, kanë tjetër mendim. Ato druhen se mund të cënohet autonomia e autoriteteve të tyre kombëtare për mbikqyrjen financiare dhe bankare. Autoriteti i ri evropian do të kontrollojë më rreptë agjencitë e mëdha të vlerësimit të riskut të kredive, të cilat dominojnë aktualisht tregun: Standard & Poor's, Moody's dhe Fitch. Shkeljet e rregullave prej tyre do të ndëshkohen rëndë, u shpreh komisioneri për tregun e brendshëm Michel Barnier. Gjykimi i agjencive për bonitetin e letrave me vlerë, boniteti i bankave apo edhe shteteve gjatë muajve të fundit është vënë shpesh në dyshim.

Shefi i bankës së landit të Bremenit, Folker Hellmeyer, i akuzoi sipërmarrjet amerikane se mbrojnë vetëm interesat e industrisë financiare amerikane. Si provë për këtë ai përmend faktin që agjencitë e vlerësimit të riskut e ruajnë notën AAA për SHBA-në edhe pse borxhi publik dhe politika e deficitit ka ndërkohë përmasa dramatike. Për këtë arsye Hellmeyer kërkoi ngritjen e një agjencie evropiane vlerësimi risku, e cila mund të kryejë vlerësimet e pavarur nga agjencitë amerikane të organizuara mbi bazën e ekonomisë private. Edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle pati folur për këtë temë në muajin prill.

Dyshime rreth neutralitetit

Komisioneri Michael Barnier ka vënë në shënjestër agjencitë e vlerësimit të riskut.
Në shënjestër agjencitë e vlerësimit të riskut - Komisioneri Michael Barnier kërkon kontroll të rreptë dhe konkurrencë.Fotografi: picture alliance / dpa

Për shumë transaksione financiare në Evropë, vlerësimi i rreziqeve nga agjencitë dhe mbikqyrës të bonitetit është e përcaktuar me ligj. Agjencitë e vlerësimit, të cilat për shërbimet e tyre paguhen nga kompanitë apo shtetet e kontrolluara, akuzohen për konflikt interesash. Para krizës së rëndë të tregjeve financiare, agjencitë i kishin vlerësuar produktet e këtyre tregjeve me notën më të mirë AAA, megjithëse vetëm pak më vonë u dëshmuan se ishin pa vlerë. Me uljen e nivelit të besueshmërisë për aftësinë paguese të Greqisë dhe kohët e fundit Spanjës, agjencitë e vlerësimit të riskut e ashpërsuan krizën e borxheve.

Tani komisioni i BE-së kërkon të nxisë konkurrencën mes agjencive. Kontrolli i bonitetit të një produkti të caktuar financiar do të jetë tani e tutje i mundur nga disa agjenci. Deri tani vlente rregulli: një produkt, një vlerësues. Autoriteti i ri i BE-së, ESMA do të pajiset me kompetenca të gjera kontrolluese. Ajo mund të sekuestrojë dokumente të agjencive, të kontrollojë zyra dhe të marrë në pyetje. ESMA do të ketë të drejtë të japë edhe dënime.

Polemikë për selinë e ESMA-s

Sipas Komisionerit francez të BE-së Michel Barnier ESMA duhet ta ketë selinë në Paris. Por përfaqësuesit e qeverive gjermane dhe britanike në Bruksel nuk janë dakord.

Nëse planet e Michel Barnier do të pranohen nga këshilli i ministrave të financave të BE-së nuk dihet ende, edhe pse në shumë takime të nivelit të lartë është theksuar domosdoshmëria e rregullimit më të mirë ligjor të tregjeve financiare.

Autor: Bernd Riegert / Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani