1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rrallohen dhurimet zemërgjera për partitë

Sipërmarrjet dhurojnë më rrallë shuma të mëdha për partitë politike. Financimet e mëdha nuk shihen mirë nga ekonomia.

default

Në fillim të vitit 2013 parlamenti gjerman, Bundestag, publikoi emrat dhe adresat e atyre që i kanë dhuruar një partie vitin e kaluar më shumë se 50 mijë euro. Kemi të bëjmë këtu me të ashtuquajturat financime të mëdha. Në krahasim me vitin e kaluar, ka rreth 30 për qind më pak, gjithsej 1,31 milionë euro. Dhe rënia e dhuratave financiare pritet që të zgjasë shumë kohë.

Si gjithnjë edhe këtë vit, mes sponsorëve ka firma të mëdha, si për shembull BMW dhe Daimler nga sektori i automobilave, dhe shoqata, si për shembull ajo bavareze e industrisë së metaleve dhe elektricitetit (VBM). E pyetur nga Deutsche Welle, VBM tha se kërkon të përmbushë një përgjegjësi shoqëroro-politike: "Në përgjithësi të gjitha aktivitetet tona janë të orientuara në dhënien e kontributit për vendimmarrjet demokratike". Ky rregull duket se del jashtë balancimit, nëse VBM i dhuron në vitin 2012 vetëm partive në pushtet, Unionit Kristiandemokrat- kristiansocial nga Bavaria (CSU, 320 000 euro) dhe Partisë së Demokratëve të lirë (FDP, 80.000).

Duke pasur një program partiak pro-ekonomisë, duhet të pritet që financimet më të mëdha të bëhen nga ekonomia, thotë Oskar Niedermayer, studiues i shkencave politike në Universitetin e lirë të Berlinit. Të gjelbrit dhe Të majtët nuk morën gjë këtë vit.

Shqetësim për emrin e mirë

Krahas krizës financiare një shkak tjetër pse ka rënë numri i dhurimeve të mëdha, ka të bëjë edhe me shqetësimin që kanë firmat për emrin e tyre, thotë Yves Venedey, zëdhënës i shtypit të rrjetit aktivist "Campact". Që me fillimin e viteve 60-të, ekziston një ligj që rregullon financimet e partive. Marrja e dhurimeve të mëdha financiare duhet publikuar menjëherë nga partitë. Gati dy vjet më vonë pason raporti i hollësishëm, i cili është i detyrueshëm të jepet. Në titujt e gazetave në vitin 2009, u fol për FDP dhe pronarin e grupit të hoteleve "Mövenpick". Ky i pati dhuruar 1,1 milionë euro partisë së demokratëve të lirë, të cilët ishin të interesuar që të fusnin më vonë në fuqi një ulje taksash për hotelet.

"Supozimet nuk mungojnë", thotë Niedermayer. Supozime sipas të cilave, politikanët i bazojnë vendimet e tyre tek sasia e parave, që marrin nga firmat apo shoqatat. Dëshmi për këtë është e vështirë të gjehen. Që prej aferës së financimeve të Partisë Kristiandemokrate në fund të viteve 90-të, nuk ka ndodhur më që një financim partie i një firme të ketë pasoja juridike, thotë Niedermayer.

Ish-kancelari gjerman Helmut Kohl.

Ish-kancelari gjerman Helmut Kohl.

Në atë kohë u zbulua se Partia Kristiandemokrate kishte numra llogarie të fshehura, ku rridhnin paratë e firmave. Ish-kryetari i partisë në atë kohë, Helmut Kohl, nuk pranon as sot, të japë emrat e donatorëve.

Për të penguar përmendjen e emrit në lajme të tilla negative, shumë firma praktikojnë dhënien e shumave të vogla, të cilat edhe nëse bëhen të ditura, publikimi bëhet shumë vonë nga momenti i financimit. Po ashtu ndodh që pronarët e firmave apo punonjësit, dhurojnë shumë si persona privatë, duke e mbuluar kështu procesin e financimit.