1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rrëzohet avioni i presidenti polak Lech Kaczynski

Avioni i presidentit polak Lech Kaczynski është rrëzuar sot (10.4.2010) në Smolensk në perëndim të Rusisë. Kryetari i shtetit polak ka qenë në bord të avionit, njoftoi Ministria e Jashtme polake.

Presidenti polak Lech Kaczynski humb jetën në fatkeqësi ajrore.

Presidenti polak Lech Kaczynski humb jetën në fatkeqësi ajrore.

Nga rrëzimi i avionit të shtunën (10.04.2010) me presidentin polak Lech Kaczynski në bord sipas zyrtarëve rusë kanë humbur jetën të gjithë pasagjerët. Nuk ka të mbijetuar, tha guvernatori i Smolenskut në televizionin rus. Në bord sipas të informacioneve ndodheshin nga 85 deri 132 vetë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Varshavë, Piotr Paszkowski, tha në kanalin televiziv polak TVN24, se në bord të Tupolevit 154 ndodheshin krahas kryetarit të shtetit dhe gruas së tij edhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë si dhe zv/ministri i Jashtëm i Polonisë.

Shkaku i rrëzimit i paqartë

Presidenti polak Kaczynski ndodhej së bashku me gruan e tij dhe një delegacion rrugës për në një ceremoni përkujtimore për vrasjen e ushtarëve polakë nga shërbimi sekret rus 70 vjet më parë në Katyn të Rusisë.

Presidenti rus Dmitri Medwedew u njoftua menjëherë për rrëzimin në jug të qytetit Smolensk. Në kohën e rrëzimit të avionit, në orën 10:50 sipas orës lokale, sipas të dhënave të Ministrisë për Mbrojtjen Civile kishte mjegull. Avioni ishte duke u ulur. Shkaku i rrëzimit është deri tani i paqartë. Ndërkohë është gjetur njëra nga kutitë e zeza të avionit me inçizime nga minutat para rrëzmit. Lech Kaczynski, 60 vjeç, ishte presidenti i Polonisë që prej dhjetorit 2005.

Në aksident humbën jetën ushtarakët më të lartë polakë

Sipas listës zyrtare të pasagjerëve, të publikuar prej qeverisë polake, në aksidentin e sotëm humbën jetën edhe shefi i shtabit të ushtrisë polake Franciszek Gagor, gjeneral-majori Bronislaw Kwiatowski, komandant i forcave operacionale, gjenerali Tadeusz Buk, komandant i forcave tokësore, Andrzej Blasik, komandant i forcave ajrore, Wojciech Potasinki, komandant i forcave speciale, dhe zëvendësadmirali i forcave detare Andrzej Karweta.

Merkel, Westerwelle dhe BE-ja të tronditur thellë

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle, u shprehën të tronditur thellë nga vdekja e presidentit polak Lech Kaczynski. Merkel deklaroi se ishte "e tronditur thellë". Westerwelle, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Afrikën e Jugut tha se "kjo është një orë tragjike" për popullin fqinj polak. Me Kaczynski-n dhe viktima të tjera "të tragjedisë së tmerrshme" edhe Evropa humbet personalitete mbi të cilat mund të mbështetej "kur ishte e nevojshme" Edhe për Gjermaninë ky është një moment "për të ndalur një çast". Gjermanët janë pranë polakëve në këto momente të vështira, tha Westerwelle. Ai shtoi se e kishte njohur vetë Kaczynski si një bashkëbisedues shumë të zgjuar dhe energjik. Për këtë arsye vdekja e tij më prek nga afër personalisht, tha ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle.

Bashkimi Evropian dërgoi një mesazh mbështetjeje për Poloninë për vdekjen e papritur të presidentit. "Dua t'ju përcjell mbështetjen tonë për popullin polak përballë kësaj tragjedie," tha Ministri i Jashtëm spanjoll Miguel Angel Moratinos, vendi i të cilit mban aktualisht kryesinë në Bashkimin Evropian. Ai tha se donte të përcillte "një sinjal solidariteti" në këtë kohë të rëndësishme për gjithë polakët dhe evropianët.

Pasoja pë pejzazhin politik në Poloni

Zëdhënësi i qeverisë polake Pawel Gras tha se pas vdekjes së Kaczynskit, president prej 2005-ës, vendi do të zhvillojë zgjedhje. "Në përputhje me kushtetutën do të na duhet të duhet të mbajmë zgjedhje të parakohshme presidenciale, tha Gras. "Tani, kryetari i dhomës së ulët të parlamentit, Bronislaw Komorowski, është automatikisht presidenti në detyrë." Polonia do të mbajë një javë zi për fatkeqësinë që ndodhi sot në Rusi.

Autor: dpa/rtr/afp/Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 10.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MsSW
  • Data 10.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MsSW