1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rrëmbehen dy gjermanë në Somali - Diskutim parimor mbi misionin e marinës gjermane

Rrëmbimi i të paktën dy shtetasve gjermanë në brigjet e Somalisë është bërë shkas në Berlin për fillimin e një diskutimi mbi zgjerimin e kompetencave të marinës.

default

Bgredet në Somali

Marina gjermane është e angazhuar në Kepin e Afrikës në kuadër të misionit anti terror "Operation Enduring Freedom".

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane u shpreh me kujdes: "Me probabilitet të lartë kemi të bëjmë me një rrëmbim", tha Martin Jäger dje (25.6.) në konferencën e zakonshme për shtyp të qeverisë. Përzgjedhja e fjalëve është një dëshmi për seriozitetin e situatës. Sipas informacioneve të ministrisë së jashtme gjermane dy shtetas gjermanë janë sulmuar dhe rrëmbyer nga piratët në brendësi të vendit: "Për momentin është e paqartë nëse në bord ka patur edhe shtetas të kombësive të tjera. Por dua të theksoj se deri tani nuk kemi asnjë sinjal se në bord ka qenë edhe një fëmijë gjerman."


Në Somali që prej ditës së martë (24.6.) qarkullojnë zëra se bashkë me dy gjermanët janë rrëmbyer edhe një djalë i sëmurë dhe një francez. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme nuk donte të fliste mbi spekulime të tjera rreth kontakteve me rrëmbyesit apo kërkesa për para në këmbim të pengjeve: "Këto janë detaje operative të cilat për arsye të vetëkuptueshme nuk do t'i diskutojmë publikisht."


Rasti aktual i rrëmbimit ka shkaktuar në Gjermani një diskutim mbi zgjerimin e kompetencave të marinës. Në të drejtën ndërkombëtare përcaktohet qartë se kur ndërhyhet në det të hapur, shpjegoi zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane Jäger: "Në këtë rast aplikohen e drejta ndërkombëtare dhe marrëveshja për të drejtën detare. Në to përcaktohet shumë qartë se çdo anije e çdo kombi ka kompetenca të ndërhyjë në një rast të tillë."


Ndryshe paraqitet situata në ujrat territoriale. Atje marina mund të ndërhyjë vetem me lejen e vendeve përkatëse. Kjo është teorikisht e vërtetë edhe për Somalinë. Për shkak të problemit të piratëve në brigjet e saj, vendi afrikan lejon ndërhyrjen e ushtarëve të marinave të huaja në kuadër të një rezolute të Kombeve të Bashkuara. Kusht për këtë është një i ashtuquajtur njoftim.


Deri tani Gjermania nuk e ka përdorur atë pasi synohet hartimi i një rregulli europian, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Jäger. Bisedime përkatëse ka patur në Bruksel dhe ato mund të kenë si rezultat që Gjermania në bazë të nenit 24 të kushtetutës të heqë dorë nga të drejtat e sovranitetit në favor të një sistemi kolektiv sigurie.


Pavarësisht nga kjo marina gjermane është në çdo kohë e autorizuar për të dhënë ndihmë emergjente, bëri të qartë Jäger: "Kur janë në lundrim pavarësisht se në cilin det të globit, dhe marrin një thirrje për ndihmë, anijet e marinës kanë gjithnjë të drejtë e madje detyrim të ndërhyjnë."


Por jashtë këtyre rasteve marina gjermane nuk mund të ndërhyjë, për këtë është e nevojshme të ndryshohen nenet 35 dhe 87a të Kushtetutës, tha një zëdhënës i ministrisë gjermane të mbrojtjes. Këto nene rregullojnë kompetencat e forcave të armatosura për asistencën ligjore, administrative dhe ndihmën në raste katastrofash.

  • Data 26.06.2008
  • Autor Marcel Fürstenau, Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ERA5
  • Data 26.06.2008
  • Autor Marcel Fürstenau, Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ERA5