1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Roth: "Reformat e vendosura duhet edhe të zbatohen e realizohen."

Shqipëria dhe perspektiva e saj për të marrë statusin e vendit kandidat. Intervistë me Michael Roth, ministër shteti për Evropën në Ministrinë e Jashtme gjermane.

DW: Si i vlerësoni përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur standardet e kërkuara nga BE me anë të reformave? A kanë sjellë ato suksesin e dëshiruar? Apo a do ta sjellin atë?

Roth: Ne vlerësojmë arritjet e reformave të ndërmarra nga qeveria e re dhe ajo e mëparshme shqiptare. Shqipëria ka vendosur piketa të rëndësishme veçanërisht në sektorët e drejtësisë, administratës dhe aktivitetit parlamentar, çka e kanë sjellë vendin konsiderueshëm më afër BE-së.

Por me rëndësi vendimtare për suksesin e këtyre reformave është tanimë realizimi i tyre konsekuent dhe i besueshëm. Mbi këtë do të raportojë Komisioni Evropian deri në qershor të këtij viti. Këtë raport ne – ashtu sikurse partnerët tanë në BE – do ta lexojmë me shumë vëmendje. Dhe mbi këtë bazë, në qershor, do të marrim vendimin përkatës.

Cilat mbeten detyrat më të rëndësishme për Shqipërinë në përmbushje të pesë kritereve prioritare, që i janë vendosur vendit nga BE?

Reformat e vendosura nuk duhet të mbeten vetëm në letër, por edhe të zbatohen e realizohen. Kjo vlen për reformën në drejtësi dhe administratë, veçanërisht për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë kontekst është e rëndësishme që Shqipëria të dëshmojë se ka arritur sukses të dukshëm.

Por përpjekjet për reforma janë para së gjithash në interes të vetë Shqipërisë. Në gjykimin tim është e rëndësishme që Shqipëria të mos i perceptojë ato si „diktat të Brukselit“. Një shtet ligjor i fortë, demokracia e qëndrueshme, lufta e vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një shtet social solidar dhe një ekonomi moderne janë në vetvete vlerë e shtuar për Shqipërisë dhe e çojnë vendin në mënyrë të sigurt përpara.

Në qershor do të shqyrtohet sërish mundësia e dhënies së statusit të vendit kandidat. Si duken mundësitë, që Shqipëria të marrë këtë herë statusin e dëshiruar?

Vendimin për këtë do ta marrim së bashku me partnerët tanë në BE në muajin qershor. Është rëndësishme që Shqipëria deri atëherë të vijojë në mënyrë konsekuente rrugën e reformave të nisura.

Deri në ç'masë do të ndikojnë zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që do të zhvillohen së afërmi, në procesin e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, apo të dhënies së statusit të vendit kandidat? (Ka zëra që janë për një konsolidim të brendshëm dhe ndalimin e përkohshëm të zgjerimit)

Ne e mbështesim perspektivën e vendeve të Ballkanit perëndimor në BE. Por edhe Bashkimi Evropian duhet të zhvillohet në atë mënyrë, që të mbetet i fortë e funksional edhe me një numër në rritje të shteteve anëtare. Në dhjetor BE i përkufizoi qartë pritshmëritë e veta ndaj Shqipërisë. Nëse Shqipëria do të përmbushë në mënyrë përfshirëse këto kritere, atëherë edhe Bashkimi Evropian do të mbajë premtimin e tij.

Në të njëjtën kohë ne duhet t'u shpjegojmë qytetareve dhe qytetarëve, pse procesi i zgjerimit është i rëndësishëm për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor. Perspektiva e Bashkimit Evropian është sukses për të gjithë pjesëmarrësit, vetëm nëse ajo shndërrohet në një motor vendimtar për reformat, stabilitetin dhe mirëkuptimin rajonal. Populistët dhe euroskeptikët brenda BE-së heshtin rreth këtij fakti.

Nga ana tjetër unë u rekomandoj gjithnjë bashkëbiseduesve të mi shqiptarë: bëni publicitet në vendin tuaj për Bashkimin Evropian si një union vlerash, si komunitet i paqes, demokracisë dhe solidaritetit. Mos e humbni rastin për të bërë për vete sa më shumë qytetare dhe qytetarë. Në fund të fundit reformat nuk janë qëllim në vetvete, ato janë në radhë të parë në interesin e vetë Shqipërisë.

Sa i rëndësishëm është për Gjermaninë dhe BE-në thellimi i marrëdhënieve rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe pse?

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një kusht i detyrueshëm për stabilitetin dhe mirëqenien në rajon, po ashtu edhe për anëtarësimin në BE. Procesi i bashkimit evropian ishte një faktor vendimtar në paqëtimin mes Francës dhe Gjermanisë – një rol të ngjashëm mund të luajë ai sot në Ballkanin Perëndimor.

Progresi i bërë në procesin e normalizimt mes Serbisë dhe Kosovës është inkurajues. Ne presim që ky proces të mund të vijojë edhe gjatë bisedimeve të anëtarësimit me Serbinë dhe të sjellë një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. Politika e jashtme e Shqipërisë është definitivisht e përgjegjshme dhe model për mbarë rajonin.