1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rotacioni i pushtetit pozitiv për Shqipërinë

Në intervistë me DW Frank Hantke, drejtor i FES në Shqipëri, thotë se rotacioni është pozitiv për të mos lejuar ngurtësimin e sistemit të klientelizmit. Klasa politike duhet të dialogojë për objektivat madhorë të vendit.

DW: Si e vlerësoni këtë fushatë elektorale për zgjedhjet parlamentare duke patur parasysh standardet demokratike dhe evropiane që klasa politike në Shqipëri është zotuar të respektojë?

H: Fushata elektorale është mjaft zhgënjyese, sa i takon pjekurisë demokratike. Kemi thuajse 70 parti që kandidojnë, dhe 62 prej tyre janë të lidhura me një nga dy blloqet, kështu që kemi një fushatë elektorale dy partish, ose blloqesh, mes të cilave ndryshimet nuk janë edhe aq ideologjike, se sa në luftën për pushtetin dhe privilegjet e lidhura me të. Nga ajo që kemi vëzhguar deri tani mund të themi që fushata nuk është përqëndruar edhe aq në temat elektorale se sa tek fajësimet reciproke, si akuzat për korrupsion, nga të cilat thuajse çdo ditë dëgjojmë të reja. Shumë prej tyre mund të jenë të ekzagjeruara, por një pjesë janë të mbështetura nga prova, qofshin këto akuza për sulme ndaj zyrave, apo ndaj kandidatëve. Kemi prova që nëpunësit e administratës shtetërore detyrohen me mjete shumë të padenja të pozicionohen në anën e partisë qeverisëse. Drejtorë shkollash detyrohen të dërgojnë mësuesit në mitingjë të partisë qeverisëse, etj. Pra trysnia e partive në qeveri ndaj të punësuarve në sektorin publik është shumë e madhe.

DW: Ku duhet kërkuar shkaku për këtë? Tek partitë apo edhe tek zgjedhësit, të cilët kanë prirje të përkrahin partitë që përdorin një "gjuhë të fortë"?

H: Kjo ka të bëjë edhe me historinë e demokracisë shqiptare e cila është shumë e re dhe e papjekur. Kjo nuk është akuzë, por konstatim. Ne e dimë nga përvoja e vendeve të tjera se sa shumë kohë duhet që gjërat të ndryshojnë edhe në mendjen e njerëzve. Nga ana tjetër me ndryshimin e sistemeve në Shqipëri nuk ka pasur ndryshim të vërtetë të elitave politike. Shumë nga politikanët e elitës së vjetër i rigjejmë sot në parti të ndryshme. Nuk mund të thuash se gjithë ish-komunistët janë grumbulluar në një parti të vetme. Përkundrazi kemi një shpërndarje të elitës së vjetër në thuajse të gjitha partitë. Sigurisht Shqipëria nuk është ndryshe nga vende të tjera në tranzicion, por këtu kjo është shumë e dukshme.

Kemi edhe një tjetër aspekt: vendet në administratën publike, rreth 70 ose 80 mijë vende pune shpërndahen sipas përkatësisë partiake. Kështu ka qenë në qeverinë socialiste dhe kështu ishte edhe administratën Berisha. Për pasojë ndodh shpesh që njerëz të cilët kanë fituar kompetencë profesionale të zëvendësohen nga të tjerë të paaftë, që janë thjesht përkrahës të një partie. Kjo bëhet pengesë që vendi në përgjithësi të bëhet më kompetent në administratën publike.

DW: A mendoni se kjo do të ndryshojë pas miratimit të ligjit për administratën publike nga Parlamenti i Shqipërisë?

H: Nëse duam të jemi të ndershëm duhet të pranojnë se shumë nga ligjet që ekzistojnë në letër, janë konform kërkesave të BE-së. Por ligjet nuk zbatohen. Ky është një sekret i ditur nga të gjithë, pra që mes letrës dhe realitetit ekziston një hendek i madh. Pra krijohet përshtypja e afrimit në përgjithëse të legjislacionit me kërkesat e BE-së, por kur sheh realitetin politik këtu konstaton se zbatimi i ligjeve dhe kontrolli i respektimit të ligjeve nuk funksionon aspak. Të gjitha organet e kontrollit janë në duar të qeverisë përkatëse, dhe kështu nuk mund të kryejnë më rol kontrollues pasi nuk janë më të pavarur. Lidhur me miratimin e ligjit për administratën publike ekziston shpresa që me ndryshimin e qeverisë pas zgjedhjeve të bëhet diçka. Nëse shohim zbatimin e ligjeve gjatë tetë viteve të administratës Berisha duhet thënë se për fat të keq ka shumë pak shpresa që diçka thelbësore të ndryshonte gjatë një mandatit të tretë të tij. Se si do të jetë kjo në rast fitoreje të opozitës, mbetet të shihet, por ka një farë shprese e cila natyrisht është e shoqëruar me dyshime. Dyshime, pasi edhe në kohën e qeverisjes nga socialistët ka pasur tendencë të kumulimit të pushtetit nga qeveria.

DW: Sipas jush një rotacion do të ishte atëherë në dobi të shqiptarëve?

H: Mendoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve janë për një rotacion, ndryshim pushteti. Pasi ky sistem sipas të cilit, fituesi merr gjithçka, po ngurtësohet gjithnjë e më shumë, po depërton thellë e më thellë, deri në fshatin më të vogël.

DW: Partitë / koalicionet në garë kanë bërë premtime bujare për hapjen e qindra mijëra vendeve të reja të punës, pa sqaruar megjithatë në mënyrë të plotë se si do të financohen këto masa punësimi. Kemi të bëjmë këtu thjesht me premtime elektorale, të cilat nuk ka gjasa të zbatohen pasi janë larg realitetit ekonomik të Shqipërisë?

H: Kur politikanët japin shifra konkrete për vende të reja pune, unë jam gjithnjë skeptik. Vendet e punës krijohen në radhë të parë nga ekonomia, me përjashtim të atyre në sektorin publik. Këto të fundit po shpërndahen fare qartë nga partitë, si p.sh. në rastin e LSI-së e cila premton 20 për qind të vendeve të administratës për përkrahësit e saj. Ndryshe më duhet të them se premtimet për vende pune me shifra konkrete janë shumë të dyshimta, jo vetëm në Shqipëri. Në të vërtetë kemi të bëjmë me një garë se kush premton më shumë vende pune për katër vitet e ardhshme, dhe nuk shpjegohet qartë se çfarë mjetesh do të përdoren, ku dhe në çfarë afatesh kohore, për krijimin e vendeve të reja të punës. Ka sigurisht përfytyrime se ku mund të krijoheshin vende të reja pune, por për të përmendur shifra konkrete, siç bëhet nga partitë në garë, e madje me shifra kaq të larta, nevojitet një sistem kualifikimi i i njerëzve që do të punësohen në sektorët e përmendur, investime si ato në infrastrukturë etj. Të gjitha këto, edhe kur ekzistojnë në programet e partive, janë të shpjeguara në mënyrë shumë të mjegullt. Për këtë arsye këto premtime nuk janë realiste.

DW: Në këto kushte, kur premtimet e partive tingëllojnë jorealiste, shqiptarët ka më shumë mundësi të votojnë për programet apo për partitë?

H: Në thelb shqiptarët nuk kanë një alternativë të vërtetë. Ata kanë dy blloqet që kandidojnë dhe që janë të armiqësuar deri në dhëmbë. Nuk ka parti të tjera të cilat të ofrojnë alternativë thelbësore apo serioze. Kjo është njëra ana. Nga ana tjerër, fola dhe më parë për trysninë shumë të madhe që prej javësh, muajsh ushtrohet ndaj njerëzve. Nga njëra anë në sektorin publik por edhe në sektorin privat, ku punëdhënësit kërkojnë nga të punësuarit e tyre të votojnë për një parti të caktuar. Në sektorin publik kjo vlen për partitë në qeveri, në radhë të parë për Partinë Demokratike. Kjo trysni i kufizon njerëzit në lirinë e tyre për dhënien e votës, pasi vendi i punës është i varur nga kjo votë. Kjo vlen natyrisht edhe për opozitën, pasi vetëm ata që hapur angazhohen dhe e mbështesin atë, mund të shpresojnë për një vend pune në rast ndryshimi qeverie. Në një anketim të kohëve të fundit të fondacionit tonë rezultoi se shqiptarët kanë shumë pak besim tek klasa politike në vend.

DW: A do të ndikojë kjo negativisht në pjesëmarrjen në zgjedhje?

H: Unë personalisht jam kundër bojkotimit të zgjedhjeve. Fondacioni Friedrich Ebert përpiqet ndër të tjera edhe që në periudhë afatmesme dhe afatgjatë të ketë ndryshime në qendrimin e njerëzve. Ndryshimi duhet të ndodhë në bazë, njerëzit duhet të thonë: këtë gjendje nuk e pranojmë më. Në sfondin e asaj që thashë më lart, për këtë duhet në shumë raste kurajo e madhe civile. Kjo do t'i detyronte partitë ekzistuese të ndryshonin ose do të sillte lindjen e grupimeve të reja politike, që mund të jenë alternativa për shqiptarët. Për këtë arsye unë mendoj se nuk sjell asgjë të bojkotosh zgjedhjet. Objektivi kryesor mendoj unë, dhe besoj se është kështu edhe për pjesën më të madhe të shqiptarëve, është që të realizohet rotacioni.

DW: Nëse KQZ nuk plotësohet me anëtarët që mungojnë, a do të ketë kjo ndikimin në legjitimimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe pranimin e tij nga shqiptarët?

H: Ky është një problem shumë serioz. KQZ duhet të marrë shumë vendime me shumicë të kualifikuar, gjë që me përbërjen aktuale nuk e bën dot. Nuk duket se ka gjasa që deri në zgjedhje të ndryshojë diçka në këtë përbërje. Të dy palët këmbëngulin në pozicionet e tyre, të paafta për kompromis. Kështu është e qartë se të dyja palët kanë në duar një instrument për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve pas 23 qershorit. Ky është njëri aspekt. Aspekti i dytë ka të bëjë me disa detyra të KQZ-së, të cilat nuk po kryhen. Për shembull verifikimi i burimeve të financimit të fushatës elektorale. Nëse krahasojmë se sa fonde shtetërore janë në dispozicion për fushatën dhe sa po shpenzohen në të vërtetë, dallimi është i stërmadh. Pra fondet që të dyja partitë po përdorin për fushatë vijnë nga burime krejt të tjera, dhe jo p.sh. nga kuotat e anëtarëve, të cilat në shumë raste nuk ekzistojnë aspak. Të gjitha këto mbeten në errësirë sepse KQZ nuk po bën detyrat e veta. Pra mosplotësimi i KQZ-së është një mangësi e madhe, që u lë derën hapur gjithë zhvillimeve të mundshme pas zgjedhjeve.

DW: Cila do të ishte këshilla juaj për partitë dhe zgjedhësit në ditët e fundit deri në zgjedhje?

H: Në kaq pak ditë që kanë mbetur nuk mund të ndryshojë ndonjë gjë e madhe dhe çdo këshillë do të ishte më kot. Por besoj se është shumë e rëndësishme që palët të kuptojnë se asnjë ndryshim në vend nuk mund të ndodhë me vetëm 51 për qind, kundër 49 për qind. Përkundrazi, dialogu politik është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Të dyja palët duhet të pranojnë të mbështesin objektivat madhorë për të mirën e vendit, si p.sh. zhvillimi i ekonomisë, zhvillimi i sistemit arsimor etj. Pra duhet të ketë dialog. Nga përvoja ime personale mund të them se kam vendosur të jap leksione në universitete dhe shkolla për konceptin dialog, pasi ai as që njihet. Flas për konceptin e dialogut si e kuptojmë dhe e praktikojmë ne në Evropë, dhe që është guri i themelit për Bashkimin Evropian në përgjithësi.

Z. Frank Hantke është drejtor i Fondacionit Friedrich Ebert në Tiranë.

Intervistoi: Eliana Xhani