1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romney ndryshon qendrimin

Ralf Sina/ Auron Dodi11 Shtator 2012

Në kongresin e Republikanëve, Mitt Romney e sulmoi ashpër politikën shëndetësore të Obama - dhe vlerat e tij në sondazhe ranë. Tani ai tregohet më i arsyeshëm: disa elemente të reformës së Obamas ai madje i mbështet.

https://p.dw.com/p/166QL
Mitt Romney ndryshon qendrimet
Fotografi: rtr

Si "njeri që e kthen pallton nga fryn era" e kritikojnë atë edhe shumë shokë të partisë së tij: Mitt Romney konsiderohet si një njeri, i cili i ngre pozicionet në bazë të rezultateve të anketimeve. Dhe ai nuk rezulton fitimtar pas kongreseve të partive republikane dhe demokrate. Prandaj, fundjavën që sapo kaloi, sfiduesi i Obamas nisi kthesën e tij personale përsa i përket "reformës shëndetësore", e cila nga republikanët luftohet si pjellë e ideologjisë shtetërore burokratike të mirëqënies. Mitt Romney i habiti shumë spektatorë dhe miq të partisë së tij në emisionin e NBC-së "takim me shtypin" me deklaratën që bëri:

"Unë në asnjë mënyrë nuk do t'i anulloj të gjitha pjesët e reformës shëndetësore. Aty ka disa gjëra që më pëlqejnë dhe do t'i mbaj".

Vërtet që ai do ta zëvendësojë konceptin e reformës shëndetësore të Obamas me një koncept të vetin, ngul këmbë Romney. Por dy pika qendrore të reformës së refuzuar krejtësisht nga republikanët dhe nga kandidati i tij për zëvendëspresident Paul Ryan Romney do t'i shpëtojë:

"Duhet të garantohet që personat që kanë qenë të sëmurë para se të siguroheshin të marrin mbrojtjen e sigurimit shëndetësor. Veç kësaj, tregu duhet të ofrojë sigurime, me të cilat fëmijët të sigurohen përmes prindërve të tyre deri në moshën 26 vjeç."

Obama kryeson në anketime
Obama kryeson në anketimeFotografi: DW/dapd

Pas përfundimit të të dyja kongreseve partiake, Obama ndodhet në të gjitha sondazhet nacionale përpara rivalit të tij. Në bazë të një anketimi të Institutit Gallup, Obama do të merrte tani 49 përqind të votave të zgjedhësve, 44 përqind të tyre do t'i merrte rivali Romney. Para së gjithash në qytete me rëndësi vendimtare përsa u përket zgjedhësve që ndryshojnë pozicionet, si Ohio, Iowa dhe Florida aktualisht është Obama ai që kryeson.

"Ishte një gabim i Shtëpisë së Bardhë. Por ishte edhe një gabim i Republikanëve".

Kështu shprehet Romney për shkurtimet automatike të buxhetit, të cilat e kërcënojnë Amerikën pas vitit 2013, meqenëse demokratët dhe republikanët nuk ranë dakord deri tani për një koncept të diferencuar për uljen e deficitit. Edhe në një pikë tjetër i deziluzionon Romney ata anëtarë të partisë së tij, që duan t'i luftojnë në mënyrë radikale borxhet shtetërore:

Vetëm në fund të mandatit të tij të dytë në post mund të pritet një buxhet i balancuar. Kursimi maksimal para kësaj kohe e mbyt ekonominë, paralajmëron Romney. Dhe tingëllon në këtë pikë shumë i ngjashëm me Obaman. Presidenti i SHBA nuk ka pasur rezultate kaq të mira në sondazh si tani që prej marsit. Madje edhe gjendja e keqe në tregun e punës nuk ndryshon gjë në këtë situatë.

Herë pas here Mitt Romney citon statistikën e papunësisë dhe kuotën e papunësisë mbi tetë përqind. Dhe premton 12 milionë vende të reja pune brenda vetëm katër vjetëve. Por suksesi deri tani e ka harruar sfiduesin e Obamas.