1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Romët dhe sintit duan të pranohen në shoqëri

Në Europë romët dhe sintit margjinalizohen e shpesh përjashtohen nga shoqëria për shkak të prejardhjes etnike. Anticiganizmi është një dukuri aktuale, ndaj së cilës më 8 prill në Berlin synohet më shumë sensibilizim.

Berlin Gedenkstätte für die im Nationalsozialismus ermordeten Sinti und Roma

Monumenti pëkujtimor në Berlin pë romët dhe sintit e vrarë në kohën e nacionalsocializmit

Cristina jeton në një lagje romësh në periferi të fshatit të Transilvanisë në Rumani. Ajo është 15 vjeç dhe vjen nga raporte të çoroditura familjare. “Nëna e Cristina-s ka shtatë fëmijë nga shtatë baballarë të ndryshëm“, na tregon Eginald Schlattner, prift evangjelist në fshat. Në Gjermani ai është i njohur si autor. Cristina banonte tek gjyshja e saj, “katër breza, njëmbëdhjetë persona në një kasolle me tre krevatë“.

Varfëri ekstreme, dhunë, kriminalitet dhe asnjë mundësi për të dalë nga ky rreth vicioz – kjo është e përditshmja për shumë romë. Edhe në Rumani. Pavarësisht programeve kombëtare rezultatet e tyre nuk janë të prekshme prej atyre që jetojnë në skajet e shoqërisë. Ndaj janë të rëndësishme nismat lokale private. Schlattner ia ka dalë, që t'u mundësojë rreth 25 fëmijëve romë nga fshati të ndjekin një shkollë profesionale në qytetin fqinj Sibiu. Donatorë nga Zvicra, Austria dhe Gjermania e kanë ndihmuar atë, që ta menaxhojë këtë projekt.

“Cristina ia doli mbanë të përfundojë semestrin e parë të shkollës profesionale në të gjitha disiplinat“, vë në dukje me krenari Schlattner. Famullia është e hapur për fëmijët romë, atje ato mund të hanë, të lahen dhe të bëjnë detyrat e shtëpisë. Arsimi, thotë prifti 83 vjeçar njëkohësisht edhe romancier, është rruga e vetme që romët të fitojnë akses në shoqëri.

Luftë kundër paragjykimeve

“Popullsitë rome janë të humburit e Europës së bashkuar“. Kjo është bindja edhe e Petra Rosenberg. Ajo vet i përket pakicës së sintive dhe romëve në Gjermani dhe është një ndër përfaqësueset më të njohura të interesave të tyre. Në radhë të parë gjendja e romëve në vendet e Ballkanit kërkon më shumë vëmendje, thotë Petra Rosenberg në bisedë për DW. Si pasojë e reminishencave shekullore shumica e romëve atje jetojnë në varfëri të madhe, shanset e tyre për arsimim dhe punë janë të pakta, ata shpesh përjetojnë armiqësi dhe urrejtje. Shpresa e fundit e tyre mbetet largimi drejt Europës Perëndimore. “Por edhe këtu atyre nuk u kushtohet vëmendje dhe hasin në paragjykime të vjetra“, nënvizon Rosenberg.

Kjo nuk prek vetëm romët, por edhe sintit në Gjermani, që janë pranuar si pakicë kombëtare, shton ajo me hidhërim: “Ende ne përjetojmë refuzim e përjashtim“, thotë kryetarja e shoqatës së landit Berlin-Brandenburg për romët dhe sintit. Shumë, kryesisht të rinj, shpesh herë detyrohen ta mbajnë të fshehtë prejardhjen e tyre.

Uwe Neumärker, drejtor i fondacionit Momnument për Hebrejtë e vrarë në Euuropë, në prag të ditës ndërkombëtare të romëve (8 prill) ka bërë thirrje për një fushatë kundër anticiganizmit dhe për solidaritet me romët dhe sintit në Europë. Mbi 20 organizata nga politika, shoqëria civile dhe kultura janë mbledhur në këtë aleancë për të tërhequr vëmendjen ndaj vazhdimit të diskriminimit kundrejt minoritetit më të madh në Europë.

“Racizmi, që përjetojnë sintit dhe romët në jetën e përditshme në mbarë Europën është i padurueshëm. E askush nuk kujdeset!“, tha Neumärker duke prezantuar nismën e tij. Nuk duhet që të prekurit të lihen vetëm në sensibilizimin ndaj anticiganizmit dhe pasojave të tij që shpesh arrijnë deri në kërcënim ekzistence. “Ne si shumicë duhet që ta bëjmë publike këtë gjendje, ta dënojmë atë dhe të veprojmë kundër saj“, theksoi nismëtari i kësaj alenace.

Personalitete me solidaritet

Aleanca gjen mbështetje edhe nga ish-futbollisti i kombëtares gjermane Arne Friedrich. Fondacioni që mban emrin e tij angazhohet për integrimin e fëmijëve dhe të të rinjve me prejardhje migracioni. Friedrich e ndien si një angazhim personal mbështetjen për këtë alecnancë, sepse "janë kryesisht fëmijët e pakicave që vuajnë nga racizmi“. Pa arsim dhe shanse të barabarta për këta fëmijë nuk ka mundësi integrimi, thekson sportisti i njohur, i cili në ditën e romëve lexon apelin e aleacnës në kuadër të një manifestimi në monumentin përkujtimor në Berlin për sintit dhe romët e vrarë në kohën e nacionalsocializmit.

Me këtë apel aleanca do që t'i japë një impuls të ri edhe debatit lidhur me dëbimin e romëve në të ashtuquajturit vende të sigurta origjine. Historia e vëllezërve romë Kefaet dhe Selami Prizreni është në fokus në këtë kontekst. Familja e tyre emigroi në Gjermani në fillim të viteve 90-të për shkak të situatës së pasigurtë në Kosovë. Asokohe Kefaet ishte katër vjeç, vëllai i tij Selami ka lindur në Gjermani. Që të dy ata shkuan në kopsht dhe në shkollë. Si muzikantë Hip-Hop ata kanë bërë karrierë dhe emër edhe përtej kufijve të qytetit të tyre Essen. Më 2010 të dy vëllezërit u dëbuan në Kosovë. Atje ata nuk u pranuan bga ish-bashkëatdhetarët që i stigmatizonin ata si "gjermanë". Që nga viti 2014 të vëllezërit Prizreni janë sërish në Gjermani, ku ende nuk është vendosur për statusin e qendrimit të tyre. Në një letër të hapur drejtuar opinionit publik gjerman të dy vëllezërit paraqesin fatin e tyre, filmi dokumentar “Trapped by Law“ bën fjalë për odisenë e tyre. “Ne nuk duam të na mëshirojnë, ne duam të na pranojnë“, thotë Selami Prizreni. Me këtë mesazh të dy vëllezërit marrin pjesë edhe në tribunën e manifestimit në Berlin më 8 prill. Një mesazh, që vlen për të gjitha minoritetet dhe që së fundi duhet të ketë efekt ndaj shumicës.