1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Shqipëri

Arben Muka30 Maj 2013

Organizatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit rom në Shqipëri përpiqen që të ndikojnë tek partitë kryesore politike në këtë periudhë dhe të regjistrojnë të gjithë anëtarët e komunitetit në listat e votuesve.

https://p.dw.com/p/18hBa
Aktivistët romë në TiranëFotografi: DW/A. Muka

Shtabet elektorale dhe kandidatët për deputetë kanë vënë në fokus çdo shtresë të popullatës, çdo grup interesi që gëzon të drejtën për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Në aktivitetet elektorale në vende publike apo në rrethe më të ngushta qytetarësh, nuk mungojnë edhe takimet me përfaqësuesit e komunitetit rom, që besohet se në shkallë vendi janë rreth 100 mijë vetë. Duke u përballur me probleme të shumta sociale dhe ekonomike, duke bashkëjetuar me diskriminimin e hapur ose të fshehur, romët përpiqen që të jenë prezentë në këtë fushatë elektorale duke kërkuar që të mos mbeten thjesht fasadë, por të bëhen pjesë e zgjidhjeve konkrete në programet e partive kryesore politike.

Studenti Emiliano Aliu, është një prej aktivistëve nga komuniteti rom, i përfshirë dhe si konsulent lokal në përfaqësinë e OSBE-së në Tiranë për projektin "Praktikat më të mira për integrimin e romëve". Ai shikon dy anë në vëmendjen e komunitetit rom në këtë periudhë elektorale. Ka interesim për të marrë informacion për qëndrimin e politikanëve, por në të njëjtën kohë ka dhe skepticizëm se këtë herë të zgjedhurit do të merren seriozisht me problemet e shumta me të cilat përballen çdo ditë romët e Shqipërisë, thotë Emiliano për DW.

Emiliano Aliu
Emiliano Aliu -aktivist i komunitetit romFotografi: DW/A. Muka

Eleminimi i mungesave të romëve në listat e votimit

Ne jemi shumë të interesuar, sepse kush nuk do që të zgjidhë problemet që ka. Janë vështirësi jetësore, serioze, që duan angazhim konkret me data konkrete. Janë bërë kalvar, kanë kaluar nga një qeveri në një tjetër dhe gjërat ose lëvizin fare pak, ose kanë stopuar. Ndaj ka dhe skepticizëm për premtimet që marrim. Ne kemi aktivizuar grupe të rinjsh nga komuniteti që të jenë prezentë në takimet dhe diskutimet elektorale. Ata duhet të jenë aktivë në debate, por dhe të interesohen për romët që nuk janë të regjistruar në listat e votimit. Një grup studentësh janë shumë aktivë në terren dhe për çdo rast që evidentojnë si të paregjistruar, e ndjekin në bashkëpunim me autoritetet lokale. Na mbështet në mënyrë specifike përfshirja në dy projekte që mbështeten nga Fondacioni Shoqëria e Hapur, SOROS, dhe nga Instituti i Kulturës së Rinisë Rome në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë."

Arben Kosturi, president i Unionit rom "Disutni Albania" në qarkun e Korçës, i referohet Strategjisë Kombëtare që u miratua 10 vjet më parë nga parlamenti shqiptar. Një strategji për përmirësimin e jetesës së romëve, por që ka mbetur fatkeqësisht në letër, shprehet Kosturi për DW.

Arben Kosturi
Arben Kosturi -President i Unionit rom "Disutni Albania"Fotografi: DW/A. Muka

"Hapa shumë të vegjël. Të pandjeshëm për pjesën më të madhe të romëve. Ne si Union do të vijojmë të këmbëngulim gjatë kësaj fushate. Do të shfrytëzojmë takimet që do të kemi me partitë kryesore. Të mos jemi fasadë. Do t'u kërkojmë afate konkrete, se njerëzit i kemi në blloqet dhe fletoret e borxheve të pashlyera në dyqanet e ushqimeve. Kur nuk paguajnë dot as për ushqimet, llogarit për gjëra të tjera, për të çuar fëmijët në shkollë, për të bërë një jetë normale si të gjithë njerëzit. Unioni po shfrytëzon çdo mundësi që të mos lemë asnjë anëtar të komunitetit jashtë listave të votimit. Ky është një rast që ta themi fjalën tonë me votë. Më e mira do të ishte të kishim dhe përfaqësuesit tanë në parlament, por ende ka paragjykime nga politika shqiptare. Tek tuk në ndonjë qark është vënë ndonjë emër në listat e kandidatëve, por ta themi hapur, jo në pozicione ku mund të fitohet vendi në parlament. Përfaqësimi me deputet nga komuniteti rom do të ishte një gjë e mirë jo vetëm për ne, por për gjithë shoqërinë."

Jo vetëm e drejtë për të votuar, por dhe për t'u votuar

Për Arben Kosturin nga "Disutni Albania" romët nuk duhet vetëm t'u garantohet e drejta e votimit, por dhe e drejta që të votohen. Kjo duhet të nisë nga zgjedhjet lokale pasi forumula zgjedhore në këtë nivel është me e favorshme për këtë objektiv.

Roma Aktivisten in Korca
Aktivistët romë në KorçëFotografi: DW/A. Muka

Studenti Emiliano Ali nga projekti "Praktikat më të mira për integrimin e romëve" shikon si risi të kësaj fushate elektorale tendencën që kanë politikanët nga forca të ndryshme për të mbajtur kontakte të ngushta me lidershipin e komunitetit, me njerëz që kanë reputacion, ndërkohë që e kanë të vështirë për takimet me masën e gjerë të romëve.

"Kjo vjen mendoj nga mosmbajtja e premtimeve. Ndaj kontaktohet me 'ndërmjetës' nëse mund ta quaj kështu. Ajo që ne presim nga fituesit e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit lidhet në rradhë të parë me strehimin. Kohët e fundit janë vënë re shpërngulje masive të familjeve të komunitetit pa ju dhënë zgjidhje alternative. Duhet bërë më shumë për arsinimin. Është bërë vitet e fundit, por kjo është shumë pak në raport me nevojat e domosdoshme që ka. Të përfshihen në administratën lokale dhe qendrore të diplomuar nga rradhët e komunitetit. Meqë jemi këtu, duhet të kujtojmë punësimin. Është një sëmundje e rëndë për romët, që shkakton 'zinxhir' dhe tË sëmundjeve të tjera sociale dhe ekonomike."